Fragmente nga “Erosi dhe qytetërimi”

/Herbert Marcuse/

Parathënie

Titulli “Erosi dhe qytetërimi” ishte shprehi e një mendimi optimist, eufemistik, madje dhe pozitiv, sipas së cilit arritjet e shoqërisë së avancuar industriale do t’i mundësonin njeriut përmbysjen e drejtimit të progresit, zhdukjen e unitetit vdekatar të prodhimtarisë dhe shkatërrimit, lirisë dhe shtypjes; me fjalë të tjera përvetësimin e shkencës së lumturisë, duke përdorur pasuritë sociale për ta formuar botën e njeriut në dakordësi me instinktet e tij të jetës. 

Ky optimizëm bazohej mbi presupozimin se racionalja për pranimin e vazhdueshëm dhe të vullnetshëm të shtypjes nuk ekzistonte më, që pamjaftueshmëria dhe nevoja për të punuar deri në rraskapitje ekzistonin artificialisht, në interes të ruajtjes së sistemit të dominimit. Neglizhova ose nuk mora në konsideratë mjaftueshëm faktin që kjo racionale e vjetruar ishte forcuar, për të mos thënë zëvendësuar nga forma të reja dhe më efektive të kontrollit social.

Vetë forcat që e shpallën shoqërinë në gjendje për të paqtuar përpjekjen për ekzistencë, shërbejnë për të shtypur individët në nevojë të çlirimit të tillë.

Aty ku standardi i lartë i jetesës nuk mjafton për të pajtuar popullin me jetesën dhe pushtetarët e tyre, “inxhinieria sociale” e shpirtit dhe “shkenca e marrëdhënieve humane” mundësojnë manifestimin e nevojshëm libidinal. Në shoqërinë e bollëkut, autoritetet nuk kanë nevojë ta justifikojnë dominimin e tyre. Si e pandërgjegjshmja, apo si pushteti shkatërrimtar që këto fuqi përfaqësojnë me sukses, janë e njëjta anë e të mirës dhe së keqes, dhe principi i kontradiktës nuk gjen strehë në logjikën e tyre.

Ndërsa bollëku i shoqërisë varet gjithnjë e më shumë nga prodhimi dhe konsumi i pandërprerë, individët duhet t’u përshtaten këtyre kërkesa në mënyra të ndryshme nga tradicionalja.

***
Qytetërimi perëndimor i ka veshur gjithnjë me lavdi heroin, sakrifikimin e jetës për qytetin, shtetin apo kombin; por thuajse asnjëherë nuk ka shtruar pyetjen nëse qyteti, shteti apo kombi ekzistues janë në lartësinë e sakrificës.

Tabuja e privilegjit të padiskutueshëm të së tërës është ruajtur gjithnjë e më dhunshëm, pikërisht kur e tëra supozohej të konsistonte në individë të lirë. Pyetja tani shtrohet – nga jashtë së tërës – nga ata që refuzojnë të luajnë lojën e bollëkut, nëse zhdukja e kësaj të tëre është parakusht për krijimin e një qyteti, shteti apo kombi realisht njerëzor.

Gjasat anojnë bindshëm nga pushteti ekzistues. Dimensionin romantik mbi çështjen nuk e sjell vlerësimi pozitiv i lëvizjeve çlirimtare në vendet e prapambetura, por vlerësimi pozitiv i perspektivës së tyre. Nuk ka asnjë arsye pse në të ardhmen shkenca, teknologjia dhe paraja të mos kryejnë përsëri procesin e shkatërrimit dhe më pas të rindërtimit sipas imazhit të tyre. “Çmimi që duhet paguar për progresin është frikshëm i lartë, por do ia dalim ta tejkalojmë.” Kështu shprehen jo vetëm viktimat e mashtruara, por edhe qeveritarët e tyre. 

Prapëseprapë kemi fotografi të trupave të vdekur dhe të zhveshur në Vietnam të rreshtuar përpara ushtarëve fitimtarë, duke u përngjasuar në çdo detaj trupave të përdhosur dhe të vdekur nga uria në Aushvic. Asgjë dhe askush nuk mund t’i tejkalojë këto ngjarje, as ndjenjën e fajit që me kohën shndërrohet në agresivitet. 

Por dhuna mund të përplaset me dhunën. Miti kureshtar sipas të cilit plaga shërohet nga arma që e shkaktoi, nuk e ka konfirmuar veten në raport me historinë; dhuna që shkëput hallkën e dhunës mund të jetë pikënisje e një zinxhiri të ri. Përsëri, brenda dhe për shkak të kësaj vazhdimësie, beteja do të vazhdojë. Nuk është përleshja e Erosit kundër Thanatosit, sepse rendi ekzistues tashmë e ka Erosin e tij, i cili mbron, shton dhe përjetëson jetën, jetë jo dhe aq e keqe për ata që zgjedhin bindjen dhe shtypjen. Por në balancë, presopuzimi dominues është që agresioni në mbrojtje të jetës është më i dëmshëm për instinktet e jetës sesa agresioni si i tillë.

Në mbrojtje të jetës; frazë që ka domethënie shpërthyese në shoqërinë e bollëkut. Përfshin jo vetëm protestën kundër luftërave neokoloniale, refuzimin e thirrjes së ushtrisë me rrezik burgosjen, betejën për të drejta civile, por njëkohësisht edhe refuzimin për të folur me gjuhën e bollëkut, për të veshur rrobat e pastra, shkollimin për hir të bollëkut. Bohemianët e rinj, hipserat, pacifistët – të gjithë këta dekadentë janë tregues të asaj që dekadenca ka qenë gjithnjë: strehë e varfër nga njerëzimi i rrejshëm.

***
A mund të vihet në dyshim rezultati i përleshjes në të ardhmen e afërt? Populli, shumësia e njerëzve në shoqërinë e bollëkut, janë rreshtuar krah ekzistueses dhe jo asaj që mund dhe duhet të jetë. Rendi ekzistues është mjaftueshëm i fortë sa për të racionalizuar dhe siguruar vazhdimësinë e këtij rreshtimi. Megjithatë, vetë fuqia dhe eficienca e sistemit mund të shndërrohen në faktorë shpërbërës të tij. 

Përjetësimi deri në vjetrim i nevojës për punësim me kohë të plotë (edhe në format e tij të reduktuara), kërkon rritjen e shpërdorimit të burimeve, krijimin e punëve gjithnjë e më të panevojshme dhe zgjerimin e sektorit ushtarak dhe shkatërrimtar.

Luftërat e përshkallëzuara, përgatitjet e vazhdueshme për luftë dhe administrimi absolut mund të jenë të mjaftueshëm për të mbajtur njerëzit nën kontroll, por me çmimin e alternimit të moralit ndaj të cilit shoqëria ka ende varësi. Progresi teknologjik, në vetvete domosdoshmëri për ruajtjen e rendit ekzistues, mbart brenda vetes nevoja dhe cilësi antagoniste me organizimin social të punës mbi të cilin ndërtohet rendi. 

Në rrjedhën e automatizimit, vlera e produktit social përcaktohet gjithnjë e më pak nga koha e nevojshme për prodhimin e tij. Për pasojë bie nevoja reale sociale për punë prodhuese dhe vakumi duhet mbushur me aktivitete joproduktive. Një pjesë e madhe e punës së ushtruar bëhet sipërfaqësore dhe e pakuptimtë.

Edhe pse këto aktivitete mund të ruhen dhe shumëfishohen nën kontrollin e administrimit absolut, duket sikur ekziston një limit për rritjen e tyre.

Limiti do të arrihet kur mbivlera e prodhuar nga puna nuk do të mjaftojë për të paguar punën joproduktive. Një reduktim progresiv i punës duket i pashmangshëm, prandaj sistemi duhet të sigurojë të mira edhe për ata që nuk punojnë; i duhet të zhvillojë nevoja që e tejkalojnë ekonominë e tregut, madje që janë të papërputhshme me të.

Shoqëria e bollëkut po përgatitet në mënyrën e saj për këtë ditë, duke organizuar gradualisht “dëshirën për të bukurën dhe urinë për komunitet” dhe rikthimin e “prekjes së natyrës”. Tingëllimi i rrejshëm i këtyre pretendimeve është tregues i faktit që brenda sistemit ekzistues, këto aktivitete përkthehen në veprimtari të administruara kulturore, të sponsorizuara nga qeveria dhe korporatat e mëdha, si një zgjatim i pushtetit të tyre ekzekutiv në shpirtin e masave.

***
Konflikti ndërmjet zhvillimit të domosdoshëm të nevojave joekonomike, të cilat do të kuptimësonin idenë e zhdukjes së punës (jeta si qëllim në vetvete), dhe nevojës për të siguruar jetesën është i menaxhueshëm thjeshtësisht. Megjithatë konflikti mund të dalë nga kontrolli nëse shoqërohet dhe ashpërsohet nga ndryshime të mundshme në qendër të shoqërisë së zhvilluar industriale, si për shembull minimi gradual i ekonomisë kapitaliste përgjatë automatizimit.

Ndërkohë, mund të hidhen disa hapa. Sistemi e ka pikën e dobët aty ku shfaq forcën më brutale: në përshkallëzimin e potencialit ushtarak, i cili duket se priret drejt aktualizimit periodik me periudha gjithnjë e më të shkurtra të qetësisë dhe paqes. Kjo tendencë duket e kthyeshme vetëm nën trysni të fortë, dhe përmbysja e saj do të çelte zonën e rrezikut në superstrukturë, pasi rikthimi i saj në “normalitetin” kapitalist është i pamundur pa një krizë dhe ndryshime të thella ekonomike dhe politike. Sot kundërshtia ndaj luftës dhe agresionit ushtarak e godet sistemin në rrënjë: rebelohet kundrejt atyre të cilët varen pikërisht nga lufta për të ruajtur dhe shumëfishuar pushtetin.

Interesat e pushtetit mund të identifikohen pa vështirësi dhe për t’i luftuar ato nuk nevojiten raketa, bomba apo napalm. Gjithsesi kërkon diçka shumë më të vështirë për t’u riprodhuar dhe shpërndarë: njohjen e pacensuruar dhe të pamanipuluar, ndërgjegjësim dhe, mbi të gjitha, refuzimin e organizuar për të punuar në instrumentet materiale dhe intelektuale të cilat sot përdoren për të shtypur njeriun, në emër të lirisë dhe bollëkut të atyre që dominojnë pjesën tjetër.

Momenti kur puna e organizuar refuzon të operojë në mbrojtje të status quo-së dhe momenti kur puna manuale zvogëlohet gradualisht gjatë prodhimit, aftësitë intelektuale shndërrohen në faktorë socialë dhe politikë. Sot refuzimi i organizuar për të bashkëpunuar i shkencëtarëve, matematikanëve, psikologëve industrialë dhe matësve të opinionit publik, mund të arrijë atë që mbase asnjë grevë e madhe nuk mundet të arrijë: pra fillimin e përmbysjes, përgatitjen e terrenit për veprimtari politike. Fakti që ideja tingëllon jorealiste nuk e redukton përgjegjësinë e rolit të intelektualit në shoqëritë moderne industriale. Refuzimi intelektual mund të gjejë mbështetje në një tjetër katalizator, në refuzimin instiktiv të të rinjve në protestë. Janë jetët e tyre që varen nga ky proces, dhe nëse jo jetët, të paktën shëndeti mendor dhe kapaciteti për të funksionuar si qenie të palimituara. Protesta e tyre do të vazhdojë sepse është domosdoshmëri biologjike. “Për nga natyra” të rinjtë janë në krye të atyre që jetojnë dhe luftojnë për Erosin kundër Vdekjes, dhe kundër një qytetërimi që kërkon të shkurtojë rrugëtimin drejt kësaj të fundit. Po në shoqërinë e administruar domosdoshmëria biologjike nuk përkthehet menjëherë në veprimtari; organizimi kërkon kundërorganizim. Sot beteja për Erosin, beteja për jetën, është beteja politike e kohës.

E përktheu Frenklin Elini

Imazhi: Gamma-Rapho via Getty Images

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.