/Alfred Bushi/
Për Rousseau-në, në një sistem politik ku individët janë njëkohësisht nënshtetas dhe qytetarë, thënë ndryshe qytetar aktivë dhe pasivë, këta nuk mund të përfaqësohen politikisht pasi, sipas tij vullneti e vendimi nuk mund të përfaqësohen nga dikush tjetër përpos vetes. Kështu, në një demokraci ku qytetarët marrin pjesë aktivisht në çështjet politike ata mund të zgjedhin ose emërojnë vetëm individë të cilëve u janë ngarkuar ose deleguar detyra të caktuara. Në këtë mënyrë i ngarkuari me punë është i lidhur ngushtë me popullin që e ka zgjedhur ose emëruar. Mirëpo në një demokraci liberale, ku populli sovran zgjedh një herë në katër vjet përfaqësuesit e tij, problemi i përfaqësimit mbetet një çështje delikate së cilës është gati e pamundur t’i jepet zgjidhje brenda strukturës kushtetuese ekzistuese. Problemi është gjithnjë i njëjtë: mospërfaqësimi i interesave të popullit në institucione; nënshtrimi për të mos thënë përdhosja e parlamentit nga ekzekutivi; alternativa të vendosura nga lart, nga kryetarët e partive; përfaqësues të korruptuar, të papërgatitur dhe pa dinjitet që mbrojnë interesat e të privilegjuarve etj. Shto këtu që paradoksalisht në një sistem të tillë të përfaqësuarit mbahen gjithnjë fajtorë për të tillë përfaqësues që të tjerët ua kanë rezervuar si alternativa të detyrueshme, duke i dhënë këtij rrethi vicioz një pamje sa qesharake aq dhe absurde.
Por edhe përfaqësimi në demokracinë liberale e ka ilaçin e vet, dhe ky ilaç gjendet në atë që mund të quhet përfaqësim organik. Kur përfaqësuesit e një shtrese të caktuar dalin nga gjiri i kësaj shtrese si domosdoshmëri historike dhe vendim i vullnetit të përbashkët, pra janë të lidhur organikisht me të, atëherë raporti i përfaqësimi, për të përdorur një analogji të Gramsci-t, është si lëkura me skeletin, një marrëdhënie e domosdoshme dhe organike. Lëkura e merr gjithnjë formën nga skeleti dhe ky i fundit përfaqësohet në botën e jashtme prej të parës sipas ligjeve të tij dhe rrethanave të jashtme. Vetëm kjo formë përfaqësimi mund të na shpëtojë nga gracka e demokracisë liberale që e maskon dhe e ruan dhunën shumëpërmasore me lirinë e zgjedhjes së përfaqësuesve të vendosur nga lart.
Për ta lidhur me atë që po ndodh së fundmi në vendin tonë, shembulli i Elton Debreshit është për antonomazi sinonim i këtij përfaqësimi organik. Eltoni është përfaqësuesi i dalë prej gjirit të minatorëve dhe bir minatori; i kalitur prej betejave sindikaliste të shumta që ata kanë kryer kundër dhunës ekonomike të kryeoligarkut Samir Mane dhe institucioneve të korruptuara shtetërore. Prandaj ai simbolizon njëkohësisht një domosdoshmëri historike dhe vendim kolektiv e personal për ta ndërprerë historinë si përsëritje e shtypjes dhe shfrytëzimit të të shumtëve nga dora e një pakice.
Ndryshe nga çdo kandidat tjetër, interesat jetësore e politike të Eltonit janë të lidhur ngushtë me ato të shtresës nga ai vjen, e më tej me ato të shtresave të tjera të nënrenditura e të shfrytëzuara. Ai nuk shfrytëzohet dhe nuk vuan vetëm si minator, por edhe si banor i një fshati të cilit duan t’i marrin pyllin dhe lumenjtë; ai e vuan mbi kurrizin e tij edhe mungesën e infrastrukturës bazë, si rrugët, ujin apo dritat; ai është shfrytëzuar edhe si punëtor krahu; ai vuan dhe si bujk të cilit nuk i afrohet asnjë asistencë nga shteti; ai e vuan mbi veten mungesën e një spitali ku ofrohen shërbimet thelbësore; e ka pësuar personalisht pamundësinë ekonomike për t’u arsimuar. Kjo e bën Eltonin aktualisht të vetmin përfaqësues të mirëfilltë të problemeve të shtresës së tij dhe shoqërisë që e ka prodhuar, pasi çdo padrejtësi ai e vuan në vetën e parë.
Eltoni është shëmbëlltyra e intelektualit organik, i unitetit të punës së mendjes dhe asaj fizike, njeri i punës dhe i mendjes. Mundin prodhues-organizativ të fituar në procesin e punës, ai e gërsheton me përpunimin intelektual, racional dhe universalizues. Të gjitha këto fuqizohen me veprimtarinë e tij sindikale e politike për të drejtat ekonomike e politike të punëtorëve mbarë. Është pikërisht ky përpunim racional dhe politik që e vë në raport të qartë me botën përreth, duke e diferencuar dhe e shndërruar në një qenie autentike që e ka të qartë qëllimin e saj. Puna me disiplinën e saj, solidaritetin dhe unitetin me të tjerët pa të cilët asgjë nuk është e mundur, është baza e çdo universaliteti racional, e çdo raporti politik. Cilësi këto që ai i mban veshur në çdo moment të veprimtarisë së tij shoqërore e politike. Të tillë individë, përfaqësues organikë, mund të jenë përfaqësues të vërtetë të vullnetit të përgjithshëm shoqëror: të disiplinuar, solidarë, organizativë dhe universalë.
Me kandidimin dhe zgjedhjen e Eltonin nis një fazë e re e përfaqësimit politik dhe parlamentarizmit. Vartësia e parlamentit ndaj ekzekutivit e për rrjedhojë ndaj interesave ekonomike të oligarkisë e kanë kthyer parlamentin në një institucion të parëndësishëm që thjeshtë miraton ligje që vijnë nga ekzekutivi. Qeverisja nëpërmjet VKM-ve është simptomë e humbjes së epërsisë që parlamenti ka mbi çdo institucion tjetër në një republikë parlamentare, ku sovraniteti i përket popullit dhe përfaqësuesve të tij. Zgjedhja e Eltonit dhe të tjerëve si ai do t’ia kthejë dinjitetin politik parlamentit, duke e shndërruar atë në një institucion që punon në shërbim të interesave të popullit dhe bën ligje të cilat më pas ekzekutohen prej qeverisë. Një sistem politik ku ekzekutivi bën ligjet dhe i ekzekuton ato, jo vetëm shkel parimin e ndarjes së pushteteve, por edhe shndërrohet në një sistem të padrejtë dhe shtypës, siç e dëshmojnë VKM-të dhe ligjet e miratuara dekadat e fundit.
Gërshetimi dhe alternimi i betejave sindikale brenda vendit të punës dhe aktiviteti politik janë karakteristika themelore e idesë së përfaqësimit që personifikon Elton Debreshi. Ai është modeli që çdo qytetar aktiv që interesohet për të mirën e përbashkët duhet të përqafojë. E ardhmja politike e shoqërisë tonë nuk mund të ndryshohet përpos se duke riprodhuar këtë model autentik: një dije e disiplinuar, organizative që shpërthen në vendin e punës për t’iu drejtuar vrullshëm hapësirës politike, për t’i rikthyer asaj pamjen njerëzore dhe universalitetin e munguar. Një dije e fuqizuar e cila më pas duhet të rikthehet në vendin e punës për ta demokratizuar dhe emancipuar atë nga dhuna dhe shfrytëzimi sistemor. Me Eltonin dhe të tjerë si Eltoni e ardhmja është më e qartë dhe shpresëdhënëse.
Imazhi: Organizata Politike
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.