/Alfred Bushi/
Sipas Gramsci-it, vetëqeverisja, si një institucion që ka për karakteristikë vetadministrimin e çështjeve ekonomiko-politike, i ka rrënjët në Anglinë e periudhës që i paraprin lindjes së marrëdhënieve kapitaliste në prodhim. Kjo vetëqeverisje duhet të plotësojë disa kushte për të qenë e tillë: pavarësi ekonomike; traditë tregtare; dhe gëzim i një farë konsensusi mes masave fshatare apo mungesë të konflikteve të ashpra klasore. Institucioni për të cilin flet Gramsci i përket organizimit feudal të marrëdhënieve ekonomiko-politike ku zotërinjtë feudalë apo tregtarët gëzojnë një autonomi të lartë në raport me pushtetin e Kurorës. Me ndryshimin e marrëdhënieve ekonomike dhe raportit të forcave mes klasave, ky institucion do të zhvillohet më tej prej klasave sunduese dhe ideologëve të saj duke dalë nga caqet dhe kushtet e përcaktuara prej Gramsci-t.
Një raport i tillë do të zbehej me futjen e marrëdhënieve kapitaliste në prodhim dhe pas shpërthimit të Revolucionit të Lavdishëm, ku pushteti i Kurorës do të shndërrohej gjithnjë e më shumë në një pushtet administrues të çështjeve politike (edhe këtë në fakt së bashku me lordët), ndërsa zotërinjtë feudalë dhe kapitalistët do të gëzonin gjithnjë e më shumë një autonomi pothuajse tërësore për sa i përket sferës ekonomike. Kështu, mes kushtet të përcaktuara nga Gramsci bie në sy zbehja pothuaj tërësore e kushtit të konsensusit dhe mungesës së konflikteve të ashpra klasore. Domenico Losurdo-ja, duke trajtuar rastin e vetëqeverisjes në Shtetet e Bashkuara të periudhës skllavopronare, nxjerr në pah një paradoks të rëndësishëm të konceptit të vetëqeverisjes, i cili në fakt shkon përtej rastit amerikan, sipas të cilit “ata që rivendikojnë ose dalin në rresht të parë duke kërkuar vetëqeverisje dhe ‘liri’ kundrejt pushtetit politik qendror janë pronarët e mëdhenj të skllevërve”. Kjo vjen si pasojë e faktit – vijon Losurdo-ja – se “pasuria dhe rehatia që pronari i skllevërve gëzon dhe kultura që arrin të fitojë përforcojnë një ndërgjegje klasore krenare, e cila bëhet gjithnjë e më e paduruar nga padrejtësitë, ndërhyrjet dhe detyrimet e vendosura nga pushteti politik apo nga autoriteti fetar”. Pra me fuqizimin e klasës së kapitalistëve vihet re një theksim gjithnjë e më i madh i institucionit të vetëqeverisjes i cili nënkupton autonomi në sferën ekonomike.
Roli i burokracisë në këto kushte, siç vëren Gramsci, kuptohet që duhet të jetë ai i një trupe të ndershme e të çinteresuar, të pavarur nga pushteti qendror. Mirëpo pikërisht kjo pavarësi e kthen atë në një institucion të varur e të kontrolluar nga sistemi liberal i përfaqësimit dhe qeverisjes, i cili nuk mund të pavarësohet aq sa t’u shkojë kundër interesave të klasave sunduese. Në kushtet ku pushteti qendror influencohet nga kapitali, kjo pavarësi e supozuar e humbet kuptimin e saj.
Pa dashur të largohem shumë nga shembujt e mësipërm do doja të cekja rastin e Shqipërisë ku tashmë klasat sunduese, të cilat kanë akumuluar pasuri të mjaftueshme për të influencuar politikisht, gjithnjë e më shumë po e theksojnë institucionin e vetëqeverisjes së sferës ekonomike. Kapja e institucioneve përfaqësuese dhe qeverisë prej tyre është dëshmi si e simbiozës mes kapitalit dhe politikës, ashtu edhe e dëshirës për t’i kthyer këto çështje ekonomike në një problem ekskluzivisht ekonomik. Mirëpo duke vepruar kështu, pjesa dërrmuese e të drejtave të punëtorëve lihen në dorë të vullnetit dhe mëshirës së kapitalistëve. Po shfrytëzimi i pacak i punëtorëve, kushtet e vështira të punës dhe shtypja e të drejtave të tyre mund të sjellë ashpërsim të konfliktit klasor dhe nevojën për organizim sindikal e politik si të punëtorëve ashtu edhe të shtresave të tjera të nënrenditura.
Për ta pasuruar analizën e mësipërme kemi zgjedhur një pjesëz nga “Fletoret e burgut” të Antonio Gramsci-t.
***
Self-government dhe burokracia
Vetëqeverisja është një institucion ose një zakon politik, administrativ, që ka si parakusht disa kushte të caktuara: ekzistencën e një shtrese shoqërore e cila jeton me rentë, që ka një traditë për sa i përket tregtisë dhe që gëzon njëfarë prestigji mes masave të gjera popullore për sa i përket drejtësisë dhe çinteresit të saj (dhe për sa i përket disa aftësive të saj psikologjike, si ajo e të ushtruarit të autoritetit me vendosmëri e dinjitet, por pa kryelartësi dhe indiferencë prej mendjemadhi). Kuptohet kësisoj që vetëqeverisja ka qenë e mundur vetëm në Angli, aty ku klasa e pronarëve të tokave, përveç kushtit të pavarësisë ekonomike, nuk ka qenë kurrë në luftë të ashpër me popullsinë (sikundër ndodhi në Francë) dhe nuk ka pasur një traditë të madhe ushtarake (si në Gjermani), me veçimin dhe sjelljen autoritare që burojnë prej saj. Në vendet anglosaksone ka pasur një ndryshim për sa i përket kuptimit të vetëqeverisjes: luftë kundër centralizmit të burokracisë së lartë qeverisëse dhe institucione që i besohen një burokracie të kontrolluar drejtpërdrejt nga poshtë. Burokraci e shndërruar në domosdoshmëri: duhet shtruar pyetja e formimit të një burokracie të ndershme dhe të çinteresuar, e cila nuk abuzon me funksionin e saj për t’u pavarësuar nga kontrolli i sistemit përfaqësues. Mund të thuhet që çdo formë shoqërie ka formën dhe zgjidhjen e saj për sa i përket problemit të burokracisë, dhe këto janë të ndryshme nga njëra-tjetra.
*Shkëputur nga përmbledhja “Passato e presente” e shtëpisë botuese Einaudi, e vitit 1951. Të gjitha nocionet e kësaj përmbledhjeje janë të nxjerra nga “Fletoret e burgut” të Gramsci-t.
Imazhi: The Florentine
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.