Hipotezë spekulative mbi impaktin e një pandemie në zgjerimin e përgjithshëm të kontrollit
/Michalis Zotos/
Ndërsa gradualisht kalojmë nga masat e izolimit në fazën e re të pandemisë, do të doja të tentoja parashtrimin e një parashikimi për rezultatet e mundshme mbi politikbërjen në të ardhmen e afërt. Si fillim është e nevojshme të sqarohen dy gjëra. Së pari, duhet thënë se duke qenë ende në mes të stuhisë dhe në mungesë të të dhënave për realizimin e një analize konkrete, çdo përpjekje mund të jetë e dobishme vetëm në sensin e hipotezës. Një lloj parashikimi i cili, si çdo kategori tjetër orvatjeje intelektuale, është më së shumti spekulativ dhe mund të hidhet poshtë përgjatë kthesave historike nga njerëz të cilët kanë treguar se janë gjithmonë tepër të aftë për ta shkruar historinë sipas termave të tyre. Së dyti, përpjekja për të avancuar parashikime do të zhvillohet në kombinim me një koment të shkurtër mbi debatin e filozofëve në European Journal of Psychoanalysis. Një debat (një pjesë e tij u përkthye në shqip këtu) që u iniciua nga argumenti i Agamben-it mbi pandeminë, i cili na shtyu të mendojmë për situatën aktuale në drejtim të biopolitikës (biopolitics).
Para së gjithash, duhet të sqarojmë se vlerësimi i Agamben-it zhvillohet në thelb si ekzaminim i teknikave që krijojnë regjime të së vërtetës (truth regimes).Propozimi themelor:
“…është e nevojshme që të kuptojmë sesi një përhapje e panikut” për një “pandemi të supozuar” stimuloi një “përgjigje disproporcionale” (gjendje të jashtëzakonshme). – Giorgio Agamben, 27/02/2020.
Në këndvështrimin tim do të thotë: Një aktualitet/ngjarje (në rastin e përhapjes së virusit) nuk do të thotë gjendje krize – thyerje e rendit shoqëror – në vetvete. Shkundja e rendit shoqëror nuk vjen si pasojë e vetive konkrete të aktualitetit (shkalla e përhapjes së virusit). Një “krizë” nuk është thjesht një problem social, i cili është duke ndodhur, por një problem social që mbart brenda vetes shqetësimin, ankthin, frikën, madje edhe shpresën, nëpërmjet përhapjes së diskursit (dijes), i cili e lidh ngjarjen me përjetimin traumatik, të parehatshëm dhe përçarës, në mënyrë që të pushtojë vëmendjen tonë, brenda një konteksti të paracaktuar të zgjidhjeve të mundshme. Një aktualitet nuk është një krizë, por shndërrohet në të tillë nëpërmjet problematizimit (problematization), kur praktika diskursive të shumëfishta e artikulojnë si një rrezik të paprecedent ndaj jetës njerëzore.
Problematizimi është një ndër mjetet kryesore metodologjike të përdorura nga Agamben-i, të cilin ai e ka huazuar prej universit teorik të Foucault-së. Qasja ndaj pandemisë në këto terma, si nëpërmjet modelit të Agamben-it ashtu edhe të Foucault-së, nis me predispozitën e të menduarit të situatës së dhënë brenda aparatit analitik dije-pushtet (knowledge-power). Në këtë rast përhapja e Covid-19 nuk është një “krizë” vetëm sepse përbën një kërcënim të paprecedent ndaj jetës sonë, por shndërrohet në të tillë nëpërmjet praktikave diskursive të pafundme të cilat e artikulojnë, që prej fillimit të muajit shkurt, brenda disa kornizave të caktuara të dijes. Duke ndjekur këtë linjë mendimi, Agamben-i pretendon që dikush mund të gjejë një numër të lartë ndodhish të cilat përbëjnë rrezik më domethënës për jetën sesa risku 2% i Covidit-19.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose indirekte, pjesëmarrësit në debat iu qasën vlerësimit të Agamben-it si një perspektivë shpifëse dhe mohuese, e cila dukej sikur i afrohej më shumë legjitimizimit të diskursit nga mbështetësit e Trump-it sesa një vlerësim depërtues, mbartës i një respekti të thellë ndaj jetës njerëzore. Në përpjekje për t’u sqaruar, një Agamben i frustruar mbronte veten duke argumentuar se deklarata e tij ishte prezantuar jashtë kontekstit. Ai përsëri insistoi se përgjigja e autoriteteve shtetërore ndaj kërcënimit të pandemisë nuk u motivua nga zemërgjerësia e qeverisë për të mbrojtur qytetarët, por nga instinkte despotike; “një tendencë” për të vendosur “një gjendje të jashtëzakonshme” e cila kufizon liritë “si një paradigmë normale e qeverisjes”.
Përgjigja e qeverisë italiane ndaj pandemisë ngre shumë pikëpyetje. Siç lë të kuptohet Agamben-i, është e vështirë të perceptohet si reagimi i një shteti zemërgjerë i cili vendos realisht jetën njerëzore mbi gjithçka. Ndërgjegjësimi shtetëror i sinqertë, në radhë të parë, do të kishte rezultuar në masa parandaluese në sektorët më vulnerabël ndaj përhapjes së virusit, siç është sektori industrial. Një shtet zemërgjerë do të mbronte njerëzit në njësitë jetësore të prodhimit, brenda të cilave subjektet janë më të ekspozuara. Shqetësimi i sinqertë do të fokusohej në forcimin e sistemit mjekësor duke zgjeruar buxhetin për shëndetin publik dhe kufizuar përfitimin e spitaleve private, duke kryer njëkohësisht testimin e përgjithshëm të popullsisë.
Megjithatë, Agamben-i nuk bëri thirrje për një ndërhyrje racionale, por ai zhvlerësoi çfarëdolloj ndërhyrjeje shtetërore si të ishte a priori negative. Nga pjesëmarrës të tjerë në debat (më së shumti prej Nancy-t dhe Sotiris-it) u argumentua se qasja e Agamben-it bie poshtë për shkak të kuptimit që ai i jep sovranitetit si një aparat ekskluzivisht disiplinues (pushtet shtypës) dhe jo përmes aspektit të tij produktiv (pushtet krijues). Ata vazhduan duke pohuar se biopolitika (të paktën në qasjen e Foucault-së) nuk shfaqet vetëm si praktika e izolimit shtëpiak, por gjithashtu në formën e testimit dhe vaksinimit të përgjithshëm. Nëse mendojmë në terma të kontrollit abstrakt, atëherë edhe vaksinimi i përgjithshëm mund të konsiderohet një kufizim. Por kjo formë konceptimi abstrakt e kontrollit do të sillte veç legjitimimin e veprimeve idiote siç janë lëvizjet kundër vaksinimit. Nëpërmjet kuptimit të Foucault-së ndaj biopolitikës, kontrolli jo vetëm e kufizon lirinë, por edhe e artikulon atë.
Biopolitika e Agamben-it ndahet prej aparatit analitik të Foucault-së sa i përket qëllimit. Duke filluar prej magnum opus-it të tij, Historia e Seksualitetit deri në leksionet në College de France, Foucault-ja në mënyrë të vazhdueshme sugjeron që ne ta shikojmë ushtrimin e biopushtetit (biopower) në bazë të parimeve të reja metodologjike, të cilat përcaktojnë artikulimin e subjektit shoqëror në nivelin e praktikave sociale të jetës së përditshme, pa referenca ndaj strukturave determinuese të jashtme, siç mund të jenë sovraniteti shtetëror, forma të akumulimit të kapitalit apo lufta e klasave. Në aparatin analitik dije-pushtet, studimi gjenealogjik i regjimeve të së vërtetës ka për qëllim të tregojë se si kthimi në subjekt i subjektit shoqëror shpaloset nëpërmjet një kombinimi të: a) përfytyrimeve sociale të marra për të mirëqena (të objektifikuara) dhe të artikuluara në mënyrë shoqërore; b) praktikave konjitive; dhe c) teknikave disiplinuese. Për Foucault-në, çdo formë analize e cila përpiqet që të gjejë qëllimin te ngritja dhe dominimi i regjimeve të së vërtetës, çdo përpjekje që shkon përtej artikulimit të tyre të brendshëm, është e destinuar të kërkojë fantazma. Prandaj nga momenti kur Agamben-i dallon “autoritetin (instiktiv) irracional” si forca e qëllimshme mbrapa rregullimit të regjimeve të së vërtetës, ai ndahet prej aparatit dije-pushtet të Foucault-së.
Agamben-i, në mënyrë të vazhdueshme në shkrimet e tij, përpiqet ta ndajë biopolitikën nga perspektiva poststrukturaliste. Kthesa linguistike në teorinë sociale nuk mund të dëshmojë lindjen e regjimeve të së vërtetës prej forcave aktuale sociale. Biopushteti i Foucault-së qëndron shumë afër me kafazin e hekurt të Weber-it, duke iu afruar biopolitikës si teknika të cilat vendosin dhe vendosen në një formë të re racionaliteti (governmentality). Ekziston një katalog i gjerë literature që tregon se aparati dije-pushtet i Foucault-së është i fortë në përshkrimin e mikrofizikës së regjimeve të së vërtetës, por nuk arrin t’i lidhë këto me dinamika konkrete sociale, duke e bërë të pamundur për të kuptuar se përse disa të vërteta pozicionohen si dominuese në kurriz të alternativave. Pikërisht këtu Agamben-i përpiqet që të historizojë nocionin ahistorik të biopushtetit fukoldian. Po përgjatë përpjekjeve për ta bërë këtë, ai vazhdon në konceptimin ahistorik të sovranitetit shtetëror.
Sovraniteti, sipas Agamben-in, është i konkretizuar nga një kuptim ndaj autoritetit sikundër është ontologjikisht i predispozuar për të qenë despotik. Nën këtë aspekt, aparati dije-pushtet që ai përdor të jep përshtypjen e të qenit më afër (mbase më tepër nga çfarë ai vetë do të dëshironte) me nocionin altyserian të aparatit ideologjik shtetëror, i filtruar prej kuptimit të sovranitetit sipas Schmitt-it më shumë sesa me biopushtetin e Foucault-së. Përpjekja e tij bëhet problematike në momentin kur ai atashon qëllimin e shtetit si një kategori metafizike në vend të një zhvillimi historik racional të ngulitur në kushte konkrete materiale. Në nocionin e sovranitetit të Schmitt-it, shteti kuptohet si një formë despotike e një pushteti të pakufizuar në vetvete. Pavarësisht nga format si shtet modern apo tradicional, liberal apo i mirëqenies, demokratik apo diktatorial, në thelb, të gjithë këta drejtohen nga të njëjtat instinkte/vullnet i brendshëm drejt pushtetit.
Por nëse është kështu, atëherë përse në Itali industritë në veri nuk ndaluan së prodhuari? Përse shtetet zgjodhën që të ushtrojnë sovranitetin e tyre absolut vetëm mbi kufizimin e lirive të popullsisë dhe jo mbi interesat e elitave të fuqishme? Nëse dëshira shtetërore për pushtet është e pakufizuar dhe e kthyer nga vetvetja, atëherë përse duket sikur është kufizuar prej pushtetit ekonomik dhe interesave të elitave ekonomike?
Së pari, duhet të kuptohet ekonomia e trupit të shëndetshëm (healthy body) si qendra e biopolitikave dhe baza që vendos autoritetet qeveritare si elementë thelbësorë në zgjerimin e këtyre strategjive. Në këtë kuptim, parashikimi i parë që mund të bëjmë është se autoritetet shtetërore, me qëllim të përmbushjes së motiveve ekonomike, do të vazhdojnë ta trajtojnë shëndetin e njeriut si një mall. Kjo nuk është një gjë e re, por një proces i vazhdueshëm që do të thellohet në shkallë më të madhe në përputhje me legjitimimin e tij nga diskursi i pandemisë. Pavarësisht nga format e ndryshme që përgjigja ndaj pandemisë do të vazhdojë të marrë, emëruesi i tyre i përbashkët do të jetë instrumentalizimi i lartë i shtetit i drejtuar prej interesave ekonomike.
Instrumentalizimi i shtetit është thelbi i ideologjisë neoliberale. Hayek-u dhe Friedman-i e zhvilluan projektin e tyre neoliberal nën një kritikë të dyfishtë. Në njërën anë, ata kritikuan qasjen laissez-faire për perspektivën shkatërrimtare të saj kundrejt funksionimit të shtetit, duke e quajtur si të papjekur. Në anën tjetër, ata nuk ranë dakord me ndërhyrjet e Keynes-it, duke i quajtur si jofunksionale. Për etërit e neoliberalizmit, laissez-faire dhe politikat ndërhyrëse të Keynes-it janë parë si tepër problematike. Hayek-u dhe Friedman-i argumentojnë se roli thelbësor i shtetit duhet të jetë mundësimi i funksionimit të pakushtëzuar të tregut, si dhe ndërmarrja e përgjegjësisë për hapjen e rrugëve që tregu të funksionojë edhe në ato fusha ku lindja spontane e strukturave të tij është e kufizuar. Brenda perspektivës liberale shteti përfiton një hapësirë – ekstremisht të kufizuar – autonomie, ndërsa në perspektivën neoliberale nuk ekzistojnë hapësira të ndara ndërmjet tregut dhe shtetit. Neoliberalizmi përpiqet të përthithë shtetin brenda tregut, duke rezultuar në një shembje të çfarëdolloj forme autonomie, e cila në të njëjtën kohë mund të kombinohet me fuqizimin e shtetit. Në këtë perspektivë, tregu i lirë nuk është i kërcënuar prej ndërhyrjeve shtetërore, për sa kohë ndërhyrja është përthithur brenda mekanizmave të tij.
Është e mirëprovuar që shteti neoliberal mund të konsolidohet përgjatë një radhitjeje strukturore tepër të diversifikuar, të ngulitur në kushte historike materialisht të përcaktuara që rezultojnë në një spektër të gjerë konstruktesh, të cilat prodhojnë shkallë të ndryshme kontrolli. Për sa kohë aparatet shtetërore janë instrumente eficiente në hapjen e tregjeve, nuk ka rendësi nëse vetë shteti është demokratik apo diktatorial. Prandaj, që prej fillimit, neoliberalizmi ka qëndruar në harmoni perfekte me regjimet totalitare. Për shembull, djemtë e Çikagos (Chicago Boys) dhe Friedman-i në veçanti nuk kishin ndonjë problem në mbështetjen e regjimit të Pinochet-it dhe diktaturave të tjera në përgjithësi. Në këtë mënyrë, flirtimi i stërzgjatur i politikës perëndimore me shtetformimet totalitare nuk përbën një devijim prej perspektivës së tyre ideologjike, por duhet parë si një zhvillim natyral, i cili në rastin tonë mund të mbështetet nga diskursi mbi pandeminë.
Thellimi i instrumentalizimit të shtetit zhvillohet si një kusht i nevojshëm për zgjerimin e projektit politik neoliberal dhe riprodhimin e kapitalizmit, por instrumentalizimi në vetvete nuk ka receta strikte se si duhet të zhvillohet. Prandaj praktikat shtetërore në ditët e sotme mund të shfaqen në forma të ndryshme. Për shembull, qeveritë në Bashkimin Evropian janë tepër të ngjashme në bazë të aparateve të tyre politike, por reagimet e tyre ndaj krizës u shfaqën në aspekte tepër të ndryshme. Suedia u karakterizua nga një qasje jondërhyrëse, ndërsa Italia dhe Franca ndërmorën një reagim më të ashpër. Mbretëria e Bashkuar, e drejtuar prej një figure politike e cila vjen tepër afër me nocionin e autoritetit irracional të prezantuar nga Agamben-i, ndërmori një qasje jondërhyrëse, në kundërshtim me një pozicionim që mund të konsiderohej despotik. Agamben-i është mbështetur gjerësisht në figura si Johnson-i,Trump-i, Putin-i dhe Erdogan-i që të mbështesë argumentin e tij mbi vazhdimësinë e autoritetit tradicional në modernitetin e vonë. Por, të gjitha këto figura nuk përqafuan strategji që mund të radhiten në konceptin e tij të gjendjes së jashtëzakonshme.
Qëllimi përfundimtar i të gjithë paradigmave të sipërpërmendura të kontrollit shtetëror ishte riprodhimi kapitalist i trupit shoqëror. Por në secilin rast, ky qëllim u arrit nëpërmjet rrugëve që u shfaqën si të ndryshme pa qenë të ndryshme në thelb. Ekonomisti nobelist Paul Romer ka deklaruar se “një krizë është një shans që nuk duhet humbur”. Kjo nuk përbën një frazë motivuese, por një imperativ politik të një ideologjie mizore e cila sugjeron të përfitosh mbi vuajtjen njerëzore. Pavarësisht se sa njerëz humbasin punën, sensin e sigurisë dhe aksesin në resurse, sipërmarrësi kompetent i asistuar prej qeverive instrumentale duhet të fokusohet në gjetjen e mënyrës së duhur për të nxjerrë fitim prej situatës. Biopolitikat do të vazhdojnë të zhvillohen brenda kësaj kornize të të parit të botës.
Një aparat i gjerë teknikash si raportet mjekësore, vaksinimi, testimi universal etj., dhe lënda e tyre e parë që është trupi i njeriut, frymëmarrës, dëshirues, punues, prodhues, konsumues, duhet të kuptohen për rëndësinë e tij kundrejt modelit kapitalist të akumulimit. Në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik, trupi i shëndetshëm (produkt i biopolitikës) është baza e çdo praktike prodhimi dhe konsumimi. Të mirat, shërbimet, idetë dhe arti prodhohen dhe konsumohen nga trupa të shëndetshëm njerëzor, mbartës dëshirash specifike. Trupi i shëndetshëm është gjithashtu tempulli i mendjes “normale”, i pajisur me dëshira normale të cilat mund të përmbushen nëpërmjet konsumimit të të mirave normale. Shëndeti i mendjes-trupit është një korpusi disiplinuar, i aftë për të prodhuar dhe konsumuar normalisht. Në këtë kuptim, trupi i shëndetshëm, mbartës dëshirash, nënvizon çdo rritje ekonomike dhe penetron në zgjerimin e çdo praktike të tregut. Nuk mund të ekzistojë një ekonomi pa trupa të shëndetshëm.
Në të njëjtën kohë, lënda e biopolitikës, vetë trupi i shëndetshëm, materializohet përmes praktikave të veçanta ekonomike brenda një kompleksi industrial të përbërë nga ndërmarrje private dhe publike. Trupi i shëndetshëm është një produkt i një aparati të gjerë të përbërë prej institucionesh publike e private, si spitalet, laboratorët kërkimor, kompanitë farmaceutike etj., të cilat përpiqen të sigurojnë riprodhimin organik të popullsisë dhe mirëqenien e saj. Kur trupi zhvillon patologji, aparati ndërhyn në përmirësimin dhe disiplinimin e tij. Doktorët, kompanitë farmaceutike, ilaçet dhe vaksinat janë shërbime të cilat qarkullojnë në një ekonomi tregu. Në modelin kapitalist të prodhimit dhe qarkullimit, shëndeti është një mall në vetvete, i shitur sipas një çmimi që nuk reflekton vlerën e përdorimit të tij, por qarkullon midis tregjeve nëpërmjet vlerës së këmbimit, e cila synon gjenerimin e fitimit dhe akumulimin e kapitalit. Në këtë sens, trupi i shëndetshëm nuk përbën vetëm bazën për gjenerimin e vlerës ekonomike në përgjithësi, por në të njëjtën kohë është vendi i akumulimit të kapitalit në vetvete. Një kompani farmaceutike nuk merr pjesë në garën për zbulimin e vaksinës ndaj Covid-19 për të mirën e njerëzimit, por sepse kjo është një fushë e përcaktuar për gjenerimin e fitimit. Për pasojë zgjerimi i biopolitikës ngulitet gjithashtu në motive specifike ekonomike të lidhura me shndërrimin e shëndetit në mall.
Agamben-i ka të drejtë kur pohon se ndërhyrja shtetërore nuk motivohet, në vetvete, nga mbrojtja e jetës njerëzore. Por, nga ana tjetër, nuk ka sens argumenti i tij për themelimin e shteteve despotike si pasojë e qëllimeve instiktive, të brendshme, për zgjerimin e sovranitetit të tyre. Shteti nuk është nga natyra autoritar, por ekzistojnë parakushte historike të cilat e bëjnë të dëshirueshme lindjen e një shteti autoritar, në momente të caktuara, për arsye të caktuara dhe në periudha po ashtu të caktuara. Historia ka treguar se shtetet moderne, në vend që të jenë mbartës të autonomisë absolute, entitete të drejtuara prej “vullnetit të brendshëm” dhe etjes për autoritet, janë në fakt mjete në duart e elitave drejtuese ekonomike; njësi të cilat gëzojnë një hapësirë të kufizuar të një autonomie tepër relative. Ndryshe nga entitete të plotfuqishme dhe të gjithëpranishme, historia ka provuar se shtetet janë “trupa” në përpjekje për të mbijetuar, më së shumti duke u përpjekur për të përmbushur vullnetin e pronarëve të tyre. Qasja e Agamben-it e mbivlerëson fuqinë e shtetit (sovranitetin) dhe, njëkohësisht, vuan prej patologjive të vjetra të analizës së shtetformimit, të cilat gjenden në shkrimet e idealizmit dhe të socializmit utopik.
Agamben-i dhe filozofët të tjerë me të drejtë i vendosin gishtin faktit se pandemia është investuar në mënyrë diskursive dhe do të vazhdojë të ndodhë kështu në mënyrë që të zgjerohet implementimi i praktikave biopolitike të diskutueshme. Sidoqoftë zgjerimi i kontrollit nuk do të zhvillohet mbi kushte abstrakte, regjimet të së vërtetës janë të rrënjosura në rrethana të caktuara historike, të cilat gjithashtu krijohen prej kushteve të caktuara materiale. Ka shumë të dhëna që dëshmojnë se gjatë tridhjetë viteve të fundit kemi hyrë në një prodhim të pakufizuar të të mirave, i cili kombinohet njëkohësisht me një mospërputhje të pashembullt të shpërndarjes së kësaj pasurie. Ne prodhojmë më shumë se kurrë dhe në të njëjtën kohë gjithnjë e më shumë njerëz vdesin sepse u mungon aksesi në burimet themelore për të përmbushur nevojat jetësore. Kjo është kontradikta më bazike që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën kapitaliste të prodhimit dhe të qarkullimit, dhe kjo nuk u shkaktua nga pandemia. Në të njëjtën kohë, pandemia investohet nga ana diskursive për të shtrembëruar shfaqjen e kësaj kontradikte të përhershme.
Për shembull, çdokush mund të gjejë një numër të madh artikujsh në gazeta si Financial Times dhe Economist, përgjatë dy viteve të fundit, të cilat parashikuan krizën aktuale ekonomike. Kjo krizë u shkaktua prej akumulimit të pakushtëzuar të kapitalit, jo prej Covidit-19, ku pandemia vetëm sa e thelloi situatën e dhënë. Qasjet politike që e forcojnë akumulimin e tepërt të kapitalit shkaktuan një tjetër krizë në muajin shkurt, një krizë e cila përngjan së tepërmi me krizën ekonomike të vitit 2008. Pandemia ndikoi në thellimin e situatës, por në asnjë mënyrë nuk ishte shkaktari primar e saj. Pavarësisht kësaj, narrativa e prodhuar prej mediave fokusohet në krizën ekonomike sikur kjo e fundit të ishte pasojë e pandemisë. Kjo është vetëm një prej mënyrave se si pandemia është investuar në mënyrë diskursive dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mbi bazën e këtij diskursi, do të justifikohet implementimi i praktikave që legjitimojnë padrejtësitë shoqërore.
Përveç faktorëve të sipërpërmendur, zgjerimi i biopolitikave ndikohet mjaft edhe nga zhvillimet teknologjike. Kapaciteti ynë për të prodhuar, qarkulluar dhe ruajtur të dhëna, në një shkallë të paprecedent, sjell një efekt të drejtpërdrejtë në zgjerimin e kontrollit; në situatën aktuale kjo u bë e dukshme në implementimin e praktikave të mesazheve ose aplikacioneve online, për të autorizuar lëvizjet. Biometrika e avancuar, nga përdorimi i kartave të kreditit, të dhënat elektronike të gjurmëve të gishtave, njohja e fytyrës (face recognition) dhe deri në raportet mjekësore, nuk janë diçka e re, por eksperienca e pandemisë do të justifikojë zgjerimin e përdorimit të tyre.
Një platformë e raporteve mjekësore të digjitalizuara mund të jetë zhvillimi më i drejtpërdrejtë i nxitur nga pandemia. Kjo platformë mund të jetë një bazë të dhënash elektronike, të cilat mund të jenë lehtësisht të aksesueshme nga projekte të ndryshme kërkimore, në mënyrë që të shtohen mundësitë për zbulimin e vaksinave në çfarëdo situatë pandemie të re. Në një skenar ideal ku këto raporte menaxhohen nga institucione publike, larg qëllimeve të përfitimit, biopolitika me të vërtetë mund të operojë në të mirë të njerëzimit. Në një situatë ku shëndeti është shndërruar në mall, raportet mjekësore i shiten ofertës më të lartë të korporatave private të cilat, për të rikuperuar investimin e tyre, do të shesin vaksinën me një çmim i cili mund të funksionojë si një barrierë aksesi për një numër të lartë të popullsisë. Në një sistem shëndetësor që nuk orientohet nga përfitimi, aktiviteti i institucioneve nuk shtyhet nga etja për fitime, duke e bërë më të lehtë funksionimin e tyre për të mirën e njerëzimit. Nuk është zgjerimi i kontrollit, në vetvete, ai që kufizon lirinë njerëzore, por instrumentalizimi i tij për qëllime fitimprurëse, të cilat shtrembërojnë progresin njerëzor.
Për ta përmbyllur, duhet pohuar se zgjerimi i biopolitikës, i mundësuar nga ndërlidhja me rritjen ekonomike kapitaliste, thellimin e shndërrimit te shëndetit në mall, intensifikimin e kontrollit shtetëror dhe sublimimin e teknologjisë, do të sjellë zgjerimin e një numri të madh kontradiktash. Disa nga kontradiktat bazike, si ajo e akumulimit të tepërt të kapitalit, u shtjelluan përgjatë rrjedhës së këtij artikulli. Në rastin e pandemisë, mund të fokusohemi në paradoksin e diskursit të luftës, i cili ende vazhdon. Në këtë narrativë lufte, ne të gjithë thirremi të luftojmë kundër një armiku të përbashkët, në të njëjtën kohë që dëshmojmë një shpërndarje të pabarabartë të viktimave në shtresat shoqërore. Ekziston një shpërndarje e pabarabartë presioni dhe shpërblimi midis mjekëve, infermierëve, punëtorëve të supermarketeve, punëtorëve të fabrikave, minatorëve, pacientëve në spitalet psikiatrike, të burgosurve, në njërën anë, dhe atyre që nesër do të përfitojnë prej gjithë kësaj situate, nga ana tjetër.
Në përgjithësi, ushtarët thirren në luftë, duke iu kërkuar të blejnë armë me para të cilat nuk i disponojnë, ndërkohë që gjeneralët e rehatuar presin medalje për një luftë që nuk e luftuan kurrë. Sigurisht kjo situatë nuk është surprizë, por thjesht një ditë e martë, me kontradiktat e vjetra të akumulimit kapitalist dhe të modelit neoliberal të kontrollit. Në këto kushte lindja e krizave është e destinuar të vazhdojë, por kjo nuk duhet të jetë burim dëshpërimi dhe as themel i shpresave naive, por pika kyçe për imperativë politikë konkretë.
Imazhi: Medium
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.