Pse koronavirusi nuk luftohet me propagandë

/Glen Llaçi/

Një ndër problemet e Ramës në përballimin e krizës shëndetësore të koronavirusit është se ai po e shtyn deri në skaj luftën e imazhit dhe komunikimit, ndërkohë që kriza nuk do t’ia dijë se sa të forta i kemi furçat apo sa të lëngshme e kemi bojën për të lyer fasadat dhe kolonat e shtetit. E vetmja mënyrë për ta ndalur është me një drejtim të përgjegjshëm serioz dhe me respekt ndaj qytetarëve – karakteristika që Ramës i mungojnë krejtësisht.

Një ndër karakteristikat e tij është se kur nuk funksionojnë bojatisjet vendase kthehet nga bojatisjet perëndimore. Dhe meqenëse furça vendase ka marrë ujë dhe është zgërlaqur prej kohësh, Rama i është qepur metodave të fasadës perëndimore. Pa u ndalur nëse ai e bën me ndërgjegje apo jo, do t’u referohem disa elementëve që ai huazon nga jashtë, më konkretisht Franca, elementë që kundërshtohen bindshëm nga vetë francezët, të cilët Rama na i shërben si etalonë. 

Po e nis me fjalët që përdor Rama. Një e dy ai shprehet se jemi në luftë dhe se jashtë gjëmojnë bombat, ndërkohë që më parë ishim në paqe. Këtë shprehi Rama e ka vjedhur në mënyrë bajate nga fjalimi i presidentit francez Emmanuel Macron më 16 mars. Problemi është se kjo mënyrë e të shprehurit nuk pi ujë fare te francezët, aq sa vetë qeveria u tërhoq nga kjo mënyrë komunikimi. Përveç faktit se ky fjalor luftarak është absurd në vetvete, ai është goxha i kundërshtuar sepse tre qeveritë e fundit, duke përfshirë atë të Macron-it, kanë zbatuar politika privatizimi dhe reduktimi fondesh ndaj shëndetësisë publike dhe, për pasojë, qytetarët francezë i drejtohen Macron-it: Nëse jemi në luftë, atëherë jemi të keqpërgatitur sepse ti nuk ke bërë gjë tjetër përveçse ke pakësuar numrin e mjekëve, infermierëve dhe hapësirave pritëse nëpër spitale. Pra në këtë luftë ne jemi me ushtarë dhe gjeneralë mangët dhe të stërlodhur nga kushtet e përkeqësuara të punës që nga Sarkozy-ja deri më sot. 

Po meqenëse Rama i konsideron shqiptarët si pula, mendon se, ndryshe nga Macron-i, mund të vazhdojë me një fjalor bajat e të dalë boje ndërkombëtarisht, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe dhe është gjithnjë e më e pamundur të fshihet gjendja më se e vështirë dhe e braktisur e spitaleve tona.

Një tjetër mashtrim i rrezikshëm i Ramës është kur i referohet dështimeve të Perëndimit, në këtë rast të Francës, duke i justifikuar dështimet e tij si gjoja për shkak të rrethanave të paparashikueshme. Një ndër shembujt më emblematikë për Ramën është se si personeli mjekësor në Francë kishte mungesë maskash. Së pari, një ndër gjërat për të cilën Macron-i dhe kryeministri francez janë kritikuar më tepër është pikërisht fakti se u paralajmëruan që në janar për rrezikun e koronavirusit dhe nuk bënë asgjë për të furnizuar spitalet të paktën me materiale bazë. Sjellja kriminale e qeverisë franceze arriti kulmin më 15 mars, kur në raundi e parë të zgjedhjeve lokale ajo siguroi me maska dhe dizinfektant qendrat zgjedhore, ndërkohë që spitalet kishin mungesa, paçka se jo pak ekspertë e kishin këshilluar t’i shtynte zgjedhjet. 

Ka shumë e shumë argumente të tjera që mund të merren nga Franca, Italia, Belgjika apo Spanja se si kriza u menaxhua keq dhe jo se i kapi papritur. Boja e shembujve nga Perëndimi nuk mjafton për të fshehur keqdrejtimin në Shqipëri. Të mos harrojmë se Rama la hapur vende pune që nuk kishin lidhje me nevojat bazike si call center-at, firmat e ndërtimit apo rrobaqepësitë. Ndërkohë që kishte kohë që në shkurt të lejonte vetëm rrobaqepësit me kusht që të zbatonin distanca dhe kushte higjienike, dhe mbi të gjitha të prodhonin vetëm maska. Për pasojë do të kishim më pak mjekë apo infermierë të infektuar sot. Po me sa duket në këtë luftë gjeneralët e tij nuk janë mjekët, por shefat e komunikimit që bojatisin mediat. 

Për shkak se Rama i referohet kaq shumë Francës apo Spanjës, na lind një pyetje. Macron-i, që njihej si partizani i neoliberalizmit ose, thënë ndryshe Thatcher-i francez, sot të paktën me deklarata i është rikthyer idesë të një shteti të përkujdesjes sociale që merret me më të dobëtit dhe se mjekësia nuk duhet lënë në dorë të kapitalizmit. Ju tani, zoti kryeministër, si një partizan i PPP-ve do i hidhni poshtë këto praktika që i thithin gjakun shoqërisë shqiptare? Apo, njësoj si Macron-i, do të mbani një fjalor antineoliberal, por me vepra do të vazhdoni PPP-të dhe mjekësinë “falas” me Check-up-in e Ilir Beqes? 

Imazhi: vision.org

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.