/Kristjan Zoto/
Mbas rënies së Murit të Berlinit dhe kapitullimit të Bllokut Lindor filluan të shfaqen idetë e para neoliberale në Shqipëri. Të shumtë ishin ata që nxituan të përqafonin pa asnjë mëdyshje tregun e lirë dhe “dorën e tij të padukshme”. Këta baballarë të rinj të kapitalizmit na thanë se “tani, së bashku me ekonominë e tregut, do të lindë edhe demokracia e mirëfilltë “, duke na i imponuar si domosdoshmëri dhe parakushte të njëra-tjetrës, madje shpesh duke na i shitur si e njëjta gjë. Aq e skajshme ishte kjo zhvendosje “demokratike” djathtas, sa ideologjia na mësonte të shkatërronim çdo gjë që ishte ndërtuar në sistemin e kaluar të socializmit burokratik, nga vetë duart që nëpërmjet punës dhe sakrificës së tyre kishin ndërtuar të gjitha të mirat shoqërore. Ende në ditët e sotme, pas 30 vitesh privatizimesh të egra dhe shkatërrimit iracional të pasurive publike, nëse e kritikon ideologjinë etiketohesh si marksist, komunist, anarkist, terrorist, antiperëndimor apo diktator që ke nostalgji për Pol Potin.
Kritikat ndaj sistemit ekonomik sot janë të shumta sepse, pavarësisht rritjes së prodhimit dhe përmirësimit relativ të jetesës së një pjese të kufizuar të popullsisë, brenda kornizave të sistemit ende nuk ka një përgjigje për kontradiktën ndërmjet forcave prodhuese dhe marrëdhënieve të prodhimit, e shfaqur sidomos në shpërndarjen e pabarabartë të të mirave ndërmjet njerëzve. Sot edhe pse dëshmojmë prodhim të lartë të mirash materiale, kemi gjithashtu mijëra fëmijë që vdesin nga kequshqyerja. Sot vetëm 20% e popullsisë prodhon për 80% të saj dhe 36 njerëz kanë pasuri sa 4.6 miliardë njerëz. Sot tregu – që nuk është gjë tjetër veçse rezultantja e forcave të pabarabarta në shoqëri – na imponon se çfarë duhet të zgjedhim. Rrjedhimisht liria është iluzion. Një punëtor me pagë minimale nuk mund të zgjedhë dot se ku dëshiron të jetojë, ku do t’i arsimojë fëmijët apo se ku të kurohet për shkak se është i detyruar të zgjedhë variantet më të lira. Vetëm në vitin 2019, 33% e amerikanëve u tërhoqën nga kujdesi shëndetësor sepse me sa duket “ëndrra amerikane” nuk po funksionon si na thuhet.
Ithtarët e ekonomisë së tregut fajin e kërkojnë te mosfunksionimi si duhet i tregut dhe nuk e vënë në dyshim që problemin mund ta ketë vetë tregu. Në vitin 2008 ata u justifikuan se për krizën fajin e kishte shteti meqë kishte ndërhyrë më shumë sesa duhej duke e cenuar lirinë e tregut. Në të vërtetë, të mos ishte shteti që e financoi Wall Street-in dhe bankat e saj me para publike, sot do të kishin falimentuar dhe vetë kapitalizmi do të kishte përfunduar në analet e historisë. Të njëjtën gjë po shohim edhe këtë kohë kur bota është futur në krizë shëndetësore, por tregu nuk po përgjigjet. Prandaj edhe vendet kryesore të doktrinës së neoliberalizmit si SHBA dhe Britania e Madhe po përdorin shtetin për të shpëtuar nga falimentimi një sistem ekonomik që mbase nuk duhet shpëtuar.
“Tregjet janë më demokratike se vetë zgjedhjet parlamentare sepse procesi i votimit vazhdon gjithë kohën e jo një herë në katër vjet.” – deklaronte më 1998 Hans Tiemeyer-i, drejtor i Bankës Kombëtare Gjermane (Deutche Bundesbank). Pra jo vetëm tregu sjell demokracinë – siç pretendohej dikur, por tregu është demokracia e vërtetë. Demokraci të tillë kanë edhe vendet që po zhyten përditë e më shumë në autoritarizëm si Turqia, India, Brazili, Hungaria etj., për të mos përmendur kampionen olimpike të demokracisë e të drejtave të njeriut – Arabinë Saudite. Në mënyrë që kapitalizmi të prodhojë sa më shumë, duhet të kufizojë edhe më fort të drejtat dhe liritë e punëtorëve, ndryshe korporatat i hapnin fabrikat e tyre në SHBA, Norvegji e Gjermani, jo në Sri Lakna, Haiti e Shqipëri.
“Shpesh marrëveshjet e tregut të lirë negociohen në fshehtësi, midis qindra avokatëve dhe lobistëve të korporatave që shkruajnë detajet e tyre. Qëllimi është që ato të zbatohen në stil stalinist me procedura të shpejta që projektohen të shmangin diskutimin.” – shkruan Noam Chomsky në librin e tij “Kush e sundon botën”. E këtu përsëri shembulli vjen nga kriza e vitit 2008 në SHBA ku bankat e mëdha si “Lehman Brothers” ishin në prag të falimentimit, ndërsa një javë më pas ata filluan të blinin avionë private dhe pasuri të reja të paluajtshme sepse qeveria amerikane kishte vendosur ta paguante krizën e tyre me paratë e taksapaguesve amerikanë, pa dijeninë e tyre. “Kjo është vjedhja më e madhe që i është bërë ndonjëherë popullit amerikan.” – do të shprehej regjisori Michael Moore në dokumentarin e tij “Capitalism a love story“.
Kjo pandemi ka vendosur edhe më shumë në dukje hendekun e madh midis të pasurve dhe të varfërve. Një i pasur nëse nuk ndihet mirë shkon në një spital privat dhe për disa qindra euro bën analizat dhe e shikon nëse është apo jo i prekur nga koronavirusi. Ndërsa i varfëri duhet të mbyllet brenda dhe të lutet që mbase i bie fati të përzgjidhet nga ministria për të bërë analizat. Pandemia na ka treguar se Bashkimi Evropian nuk është bashkim ku shtetet mbështesin e solidarizohen me njëra-tjetrën për të arritur zhvillimin, por një treg i madh me një tendencë të natyrshme për të rritur përqendrimin e pasurisë, ku vendet më të fuqishme të qendrës përfitojnë nga vendet e dobëta të periferisë. Njëlloj si Greqia, viktimat e radhës janë Italia dhe Spanja, vendet që burokratët e Brukselit i quajnë me përçmim “derrat” (PIGS-Portugalia, Italia, Greqia, Spanja).
Nuk e dimë saktësisht ç’do të ndodhë më vonë me BE, por është e sigurt që tregu “i përbashkët të braktis ” kur nuk ta ka më nevojën. Prandaj ka ardhur koha që secili prej nesh të marrë në dorë jetën e tij, të cilën politikanë e burokratë e kanë lënë borxh në duart oligarkëve vendas, kapitalit financiar ndërkombëtar dhe çdo bixhozçiu tjetër që do të luajë me të. Duhet të organizohemi dhe solidarizohemi me njëri-tjetrin jo vetëm që të dalim nga emergjenca e tanishme, por që të shmangim krizat e të nesërmes. Rruga për ta arritur këtë është krijimi i diçkaje të re përtej neoliberalizmit. Siç thotë Slavoj Žižek-u: “Ndoshta ky solidaritet i tillë global është utopi. Por në qoftë se nuk angazhohemi për të, jemi me të vërtetë të humbur. Dhe do ta meritojmë humbjen.”
Imazhi: Diamantis Stagidis – Another World is Possible
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)