/Isabel Frey/
Përditësim: ndërkohë Holanda është distancuar zyrtarisht nga ky qëndrim. Sidoqoftë, qëllimi i këtij artikulli është të nxjerrë në pah paradigmën e kësaj strategjie, jo të japë një argument rreth efektivitetit të saj.
Ndërsa shumica e vendeve evropiane po përgatiten për bllokime për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, disa vende po zgjedhin një strategji të ndryshme: imunitetin e tufave. Në vend që të testojnë sa më tepër njerëz që munden dhe të marrin masa që të rrisin distancimin social, ata duan qëllimisht ta lënë virusin të përhapet te njerëzit që kanë risk të ulët, kështu një pjesë e madhe e popullatës bëhet imune. Kjo qasje është propozuar fillimisht nga kryeministri i Mbretësirë së Bashkuar Boris Johnson, i cili refuzoi të merte masa të distancimit social deri pak ditë më parë. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar është larguar zyrtarisht nga kjo strategji, Holanda dhe Suedia vazhdojnë t’i qëndrojnë kësaj qasjeje, pavarësisht kritikave të ashpra nga OBSh-ja.
Këto vende argumentojnë se ndërtimi i imunitetit të turmës është e vetmja strategji afatgjatë, meqenëse epidemia nuk mund të ndalet më dhe mund të rishfaqet përsëri e përsëri. Në vend që ta vendosni të gjithë vendin në izolim, në karantinë do të duhet të futen vetëm popullatat e rrezikuara, ndërkohë që epidemia vazhdon të përhapet. Sidoqoftë epidemiologë dhe virologë të panumërt e kanë kritikuar strategjinë si të rrezikshme, joshkencore dhe me shumë gjasa do të sillte një numër të lartë vdekjesh. Një raport i publikuar së fundmi nga Imperial College London, i cili çoi në ndryshimin e politikave të qeverisë britanike, vlerësoi se strategjia mund të rezultojë në 250,000 vdekje në Mbretërinë e Bashkuar. Meqenëse nuk është e mundur të izolohen në mënyrë efektive popullatat në rrezik, veçanërisht kur virusi vazhdon të përhapet, sistemi i kujdesit shëndetësor ka të ngjarë të mbingarkohet dhe të rrezikojë të shembet plotësisht.
Neoliberalizmi epidemiologjik
Pse një vend si Britania e Madhe do ta merrte në konsideratë një të tillë strategji të rrezikshme dhe pse vendet e tjera ende ndjekin këtë qasje? Arsyeja është neoliberalizmi. Që nga vitet 1980, ne jemi qeverisur nga paradigma politike e neoliberalizmit, e cila ka zëvendësuar politikën sociale të udhëhequr nga shteti me privatizimin dhe çrregullimin e tregut. Besimi i saj në drejtësinë e qenësishme të tregut ka çuar në një arsyetim politik, i cili me gjithë mend vë fitimet para njerëzve. Kjo ka kolonizuar mendjet e popujve duke i bërë ata të besojnë se e kanë vetë faji nëse janë të varfër, të pasigurt ose të papunë.
Ironia e neoliberalizmit është se krijon iluzionin e mobilitetit social, ndërkohë që fuqizon dhe thellon pabarazinë sociale. Ai supozon se mjafton që dikush “t’ia dalë” në tregun e lirë dhe të gjithë të varfrit janë vetë fajtorë për varfërinë e tyre. Ky besim nuk është vetëm i gabuar, por edhe i dhunshëm. Neoliberalizmi ka bërë që të pasurit të bëhen edhe më të pasur dhe të varfrit të vuajnë më shumë nga disikriminimi, pasiguria në vendin e punës dhe varësia ndaj tij. Politikat në dukje laissez-faire janë një sistem i rafinuar dhe kompleks i dhunës strukturore të automatizuar kundër më të dobtëve, që ka shkatërruar gjithashtu çdo mundësi rezistence.
Imuniteti i tufave është neoliberalizëm epidemilogjik. Ashtu sikurse besimi i pakushtëzuar në tregun e lirë, imuniteti i tufave mbështetet në supozimin se një epidemi kalohet më kollaj duke e lënë të parregulluar. Por po ashtu si neoliberalizmi, ajo rezulton në dhunë ndaj të dobtëve dhe të varfërve: të moshuarve dhe personave me nevoja të veçanta, të pastrehëve, refugjatëve dhe njerëzve me probleme të ndryshme shëndetësore — shumë prej të cilëve ka gjasë të kenë edhe një status të ulët socio-ekonomik për shkak të korelacionit midis varfërisë dhe sëmundjeve. Këta njerëzit ka rrezik më të lartë të vdesin nga COVID‒19 — sidomos nëse sistemi shëndetësor është i mbingarkuar dhe mjekët do të duhet të përzgjedhin.
Shkatërrimi i shtetit të mirëqenies
Nuk është rastësi që kjo ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë, dy vendet më neoliberale në Evropë. Gjatë dekadave të fundit këto vende kanë ndërmarrë politika që privilegjojnë interesat ekonomikë karshi interesave socialë, dhe sistematikisht kanë nënfinancuar sistemin shëndetësor, arsimin dhe strehimin. Vendimi kundër masave të izolimit të ashpër ekonomik i shkon për shtat më së miri arsyetimit të tyre politik. Suedia, megjithatë, është një rast i çuditshëm: është një vend i cili është vlerësuar ndërkombëtarisht për politikat e mira sociale dhe shtetin e bollshëm social. Por edhe një demokraci sociale tipike si Suedia nuk ka qenë imune ndaj politikave neoliberale. Si të gjitha shtetet evropiane, shteti i saj social është shpërbërë në dekadat e fundit.
Sfida më e madhe e epidemisë së coronavirus-it është “ulja e kurbës”, që kapacitetet për kujdes kritik dhe intensiv të mos thyhen. Por këto tri shtete kanë gjithashtu kapacitete të ulëta për kujdes kritik, të cilat nuk do të mjaftojnë edhe me masa strikte izolimi. Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda kanë vetëm rreth gjysmën e kapaciteteve të Italisë në shtretër të trajtimit kritik për frymë. Suedia, që supozohet të jetë shteti social më i mirë në Evropë, ka edhe më pak se gjysmën.
Nëse këto vende do të donin të mos mbingarkonin kapacitetet e tyre, do të duhej të vepronin shumë kohë më parë. Por tanimë e ka marrë ferra uratën. Zbatimi i masave strikte të izolimit jo vetëm që do ta vërë në vështirësi ekonominë, por do të nxjerrë në pah sistemin e shkatërruar shëndetësor nga dekadat e politikave neoliberale. Zgjedhja e imunitetit të tufave i lejon qeveritë t’ia faturojnë virusit, jo qeverisjes së keqe, përgjegjësinë për dështimin e sistemit shëndetësor. Nuk ka rëndësi nëse fajin e ka natyra, fati apo kushdoqoftë — mjafton që qeveria të lajë duart për vdekjen e njerëzve.
Imuniteti i tufave nuk është vetëm shkencë e rremë apo politikë e keqe. Shumë njerëz do të vdesin nga kjo gjë dhe qeveritë nuk do të mbajnë përgjegjësi. Por kjo strategji nuk ka lindur nga hiçi. Është një vazhdimësi logjike e arsyetimit politik që ka sunduar botën gjatë dekadave të fundit, i çuar në ekstrem si darvinizëm social i llojit laissez-faire. Sepse njerëzit që besojnë në një treg të parregulluar do të besojnë gjithashtu në një epidemi të parregulluar — edhe nëse ajo vret.
E përktheu Kristi Çunga
Isabel Frey është artiste, aktiviste, shkruese e shumë artikujve për politikën dhe ekonominë. Artikulli është botuar me lejen e saj.
Imazhi: mauro mora / Unsplash
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.