/Pankaj Mishra/
(Pjesa e dytë e artikullit me dy pjesë)
I shumëpërfolur në vitet e fundit, shteti i madh do të rikthehet – dhe bashkë me të edhe potenciali për të bërë mirë dhe keq.
Duke e kërcënuar botën me një recesion të gjatë, koronavirusi duket i vendosur të nisë një epokë të re politike dhe ekonomike të mbrujtur me plot turbullira. Shtysat e tij kryesore do të bëhen të qarta në muajt e vitet që do të vijnë. Por konturet e çarjes më revolucionare janë tashmë të dukshme.
Shteti, i shumëpërfolur në dekadat e shkuara, është rikthyer në rolin e tij themelor: si një Leviatan, parandaluesi i anarshisë dhe garanti i mbramë kundër gjendjes së patolerueshme njerëzore, në të cilën jeta është “në vetmi, në varfëri, e ndytë, e vrazhdë dhe e shkurtër.”
Në të gjitha vendet ku koronavirusi u përhap fillimisht – në Kinë, Korenë e Jugut, Iran, Singapor, Tailandë, Tajvan, Hong-Kong dhe Itali – shteti po i prin luftës kundër tij, duke vënë në zbatim masa drakoniane mbi popullata të tëra dhe sakrifikuar pamëshirshëm liritë personale në altarin e sigurisë. Nëse këto masa drastike do të rezultojnë të suksesshme – teksa duket se po japin fryte në Singapor dhe në Kinë, vende me kapacitete të mëdha shtetërore – mbetet ende për t’u parë. Megjithatë, në shumë vende politikanët në pushtet po fillojnë të kuptojnë se do të gjykohen në bazë të aftësive të tyre administrative për të kontrolluar përhapjen e virusit.
Prandaj belbëzimet në përgjigje të presidentit Donald Trump dëshmojnë po aq pamundësinë e shtetit amerikan për testime në masë sa edhe mangësitë e tij personale të mirënjohura. Qeveria konservatore në Britani bëri të ditur para një jave rimëkëmbjen e shërbimeve publike, duke u ndarë në mënyrë radikale nga ortodoksia liberale anglo-amerikane e dekadave të fundit.
Italia ka kërkuar nga Bashkimi Evropian për më shumë lëshime teksa bëhet gati t’i shkelë rregullat fiskale në mënyrë që të mbrojë nga virusi popullatën e saj të plakur. Edhe vetë Gjermania, zbatuesja e papërkulur e masave shtrënguese të BE, duket gati të shkelë mbi dogmën e vet të ruajtjes së balancës buxhetore teksa mbi 2/3 e popullsisë së saj rrezikojnë të infektohen.
U desh një fatkeqësi që shteti të rimerrte përgjegjësinë e mëparshme për mbrojtjen e qytetarëve. Nuk duhet harruar se ishte një katastrofë tjetër – ndoshta më e madhja e dy shekujve të fundit – ajo që hodhi themelet e shtetit modern si mbrojtës i aftë i popullatës.
Pas Luftës së Parë Botërore, në përpjekje për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe ato të jetesës, si dhe në përballje me papunësinë masive, qeveritë e rritën ndjeshëm ndërhyrjen e tyre në ekonomi dhe nxitën ngritjen e sistemeve të sigurisë sociale dhe shërbimeve publike në shëndetësi, arsim dhe strehim.
Aftësia e shtetit për të planifikuar u përforcua gjatë konfliktit që zgjati në kohë. Më pas, këto aftësi të zhvilluara rishtazi u riorientuan nga lufta drejt hapësirës së sigurisë sociale, mbështetjes së nevojtarëve në shkallë të gjerë dhe sistemeve të kompensimit. Në të njëjtën kohë që tregjet e lira u diskredituan botërisht pas Depresionit të Madh, shteti i luftës u shndërrua menjëherë në shtetin e mirëqenies në vendet e Evropës nga të dyja palët në konflikt.
Kjo u shoqërua me një zhvendosje të koordinatave intelektuale dhe ideologjike, e përfaqësuar më së miri nga John Maynard Keynes-i. Sipas fjalëve të 1933 të këtij ish-partizani të tregut të lirë, “kapitalizmi dekadent ndërkombëtar por individualist” i trashëguar nga e shkuara “nuk është inteligjent, nuk është i bukur, nuk është i drejtë, nuk është i virtytshëm – dhe nuk sjell mirëqenie. Me pak fjalë, nuk na pëlqen dhe po fillojmë ta përçmojmë.”
Edhe në SHBA, ku kundërshtia ndaj ndërhyrjes shtetërore – siç predikonte Keynes-i – ishte thellësisht e rrënjosur, politikat sociale gjatë luftës krijuan bazën e New Deal-it me mbrojtjen e paprecedent të të drejtave të punëtorëve.
Në epokën tonë, ne kemi kapërcyer nga kriza në krizë drejt një roli të ripërtërirë të shtetit prej shpëtimtari. Në dekadën e viteve ’90, debati mbi rolin që i takonte shtetit dukej se ishte shterur. Liderët centristë, si Bill Clinton-i dhe Tony Blair-i, nuk iu larguan shumë idesë së Ronald Reagan-it se qeveria më shumë është “problem” se një zgjidhje, teksa vazhduan në vorbullën e privatizimeve dhe çrregullimeve.
Ishte gjithashtu më e lehtë në atë kohë të besoje në urtësinë e tregjeve. Duke shpërndarë në mënyrë novatore përbërësit e ndryshëm të prodhimit, si edhe fitimet prej tij në qytetarë të shteteve të ndryshme, dhe duke marrë vendime të shpejta mbi bazën e përllogaritjeve financiare, tregu dukej më i mençur, më i shkathët dhe me më shumë burime sesa shteti i vjetër burokratik.
Por si më parë, disa probleme të papritura e minuan hegjemoninë e tregut. Presidenti George W. Bush u mbështet te zgjerimi masiv i burokracisë qeverisëse si përgjigje ndaj sulmeve të 11 Shtatorit. Më 2008-n, me rënien e tregjeve globale – SHBA, ashtu si Kina komuniste – injektuan likuiditet në ekonomitë kombëtarë në një shkallë të paprecedent. Qeveria amerikane mori nën kontroll , edhe pse për kohë të shkurtër, General Motors-in dhe Chrysler-in.
Pas krizës financiare, dyshimet thuajse kejnesiane rreth internacionalizmit ekonomik filluan të dilnin në sipërfaqe edhe mes arkitektëve të globalizimit si Larry Summers, i cili u bëri thirrje politikanëve të pranonin se “përgjegjësia bazike e qeverisë është të maksimalizojë mirëqenien e qytetarëve, jo të vrapojë pas një koncepti abstrakt të së mirës globale.”
Koronavirusi sot e ka ngritur përgjegjësinë në një domosdoshmëri mes jetës dhe vdekjes. Ashtu siç ndodhi edhe në periudhën midis dy luftërave, ndërhyrja e thellë e shtetit në jetën ekonomike dhe sociale për t’i bërë ballë një fatkeqësie të tillë duket se do të zgjasë.
Prirja e përgjithshme për ta konsideruar shtetin si shpëtimtar në kohë brishtësie ekstreme nuk ka për t’u zhdukur në këto ditë të rrezikshme që po jetojmë. Madje as politikanët nuk do të harrojnë ta bazojnë pëlqyeshmërinë e tyre te premtimi i sigurisë kolektive.
Por nuk duhet të kemi iluzione mbi rreziqet në transformimet e thella që do të vijnë.
Në periudhën mes dy luftërave, një shtet në zgjerim të vazhdueshëm fitoi pushtet të paprecedent mbi qytetarët, duke u metamorfizuar në disa shtete në fashizëm. Historia e luftës dhe gjenocidit në gjysmën e parë të shek. XX dëshmon se pushteti i dyfishtë – i kontrollit të teknologjisë dhe manipulimit të masave njerëzore – mund të bëjë realitet krime të tmerrshme.
Padyshim që teknikat e mbikëqyrjes në duart e shteteve bashkëkohore, çka është bërë e qartë në Kinën e sotme, mund t’i kufizojnë edhe më tej liritë dhe të drejtat e njeriut. Leviatani është rikthyer në një përmbysje të mahnitshme që askush nuk e parashikoi, që edhe pse e mirëpritur në afatshkurtër, duhet pasur frikë në afatgjatë.
E përktheu Redi Muçi
Marrë ngafaqja Bloomberg
Imazhi: Keystone-France/Gamma-Keystone via Getty Images