/Len McCluskey/
Historia na dëshmon se progresi për punëtorët ka ardhur gjithmonë nga vetëfuqizimi kolektiv i punës së organizuar.
Sindikata është një organizatë anëtarët e së cilës janë punëtorë. Ajo i bën njerëzit bashkë për të përmirësuar jetët e tyre: për të fituar paga më të mira, për të siguruar vende pune më të sigurta dhe më përfshirëse, si dhe për të përmirësuar qasjen në aftësim dhe trajnime. Anëtarët e sindikatës kujdesen për njëri-tjetrin dhe kur një grup punëtorësh veprojnë dhe ngrenë zërin së bashku, atëherë punëdhënësi duhet të dëgjojë.
Kushdo që e ka një punë, ose është në kërkim të një pune, duhet të bashkohet në sindikatë. Sindikatat negociojnë me punëdhënësin mbi pagat dhe kushtet. Ato luftojnë për të mbrojtur punëtorinë kur propozohen ndryshime të mëdha, si shkurtimet në shkallë të gjerë të vendeve të punës. Ato përfaqësojnë anëtarët e veçantë në çështje disiplinore dhe zgjidhjen e ankesave. Mesatarisht, anëtarët e sindikatës marrin paga më të larta se joanëtarët. Ata me gjasë do të kenë përfitime më të mira gjatë sëmundjeve dhe pensionit, pushime më të mirëpaguara, si dhe një kontroll më të madh mbi turnet dhe orët e punës.
Sindikalizmi ka një histori të gjatë dhe të thellë. Në vitin 1834 një grup punëtorësh bujqësorë në fshatin Dorset të Tolpuddle-it – të quajtur James Brine, James Hammett, George Loveless, James Loveless, John Standfield dhe Thomas Standfield – formuan Shoqërinë Miqësore të Punëtorëve Bujqësorë (Friendly Society of Agricultural Labourers) si reagim ndaj uljes së pagave. Ata kërkuan kolektivisht 10 shilinga në javë. U ndëshkuan për veprimtarinë e tyre dhe u akuzuan për betim të paligjshëm. Të gjashtë burrat u transferuan në kolonitë ndëshkimore. Por “krimi” i tyre i vërtetë, në sytë e klasës sunduese dhe në veçanti për punëdhënësit pronarë të tokave, ishte përpjekja për të formuar një sindikatë. Si kundërpërgjigje, mbi 800,000 njerëz firmosën një peticion për të kërkuar lirimin e heronjve të keqtrajtuar. Martirët e Tolpuddle-it ishin ndër pionierët e sindikalzimit të hershëm dhe të lëvizjes së të drejtave të punëtorëve. Prandaj ne iu thurim lavde çdo vit me një festival në fshatin e tyre Dorset.
Një trimëri e tillë bën ende jehonë. Në kohë më të afërt, një tjetër grup punëtorësh tha qartë e prerë “boll më!” dhe u bashkuan me njëri-tjetrin për të drejtat e tyre. Të lodhur prej grabitjes së bakshisheve të tyre nga punëdhënësi, stafi i një zinxhiri restorantesh në autostradë TGI Fridays vendosi të formojë një sindikatë për të mbrojtur të drejtat e tyre në punë. Atyre shumë shpejt iu bashkua stafi i një zinxhiri pub-esh Wetherspoons dhe punonjësit e McDonald-it, që kërkonin që t’i jepej fund kontratave për punë jo të rregullt, pagave të ulëta dhe shkallës së punësimit të të rinjve. Ata së bashku rekrutuan, u organizuan, u mobilizuan dhe braktisën vendin e punës. U bënë sindikalistë që të fitonin të drejtat e tyre kolektive. Ndonëse nuk ia dolën të plotësonin të gjitha kërkesat, ata fituan përmirësime domethënëse.
Natyra e përkohshme e shumë prej punëve të kohëve të sotme e bën shpesh të vështirë për punëtorët në punë jo të sigurta dhe me kohë të çrregullt për të kuptuar se si mund t’i ndihmojnë sindikatat. Po sindikalizmi nuk është vetëm për paga dhe kushte. Është për larminë, vendosjen e barazisë në punë dhe në shoqëri në qendër të skenës; është për komunitetin, politikën, internacionalizmin dhe shumë më tepër. Unë besoj fort në rindërtimin e lidhjeve tradicionale midis sindikatave dhe komuniteteve, edhe nëse në të tashmen janë dobësuar. Të qenit sindikalist ka të bëjë me një rol sa politik aq edhe industrial. Prandaj kanë rëndësi lidhjet historike të lëvizjes punëtore dhe Partisë Laburiste.
Historia na dëshmon se progresi për punëtorët ka ardhur gjithmonë nga vetëfuqizimi kolektiv i punës së organizuar, jo prej akumulimit vetëm të të drejtave individuale, sado vlerë që ato mund të kenë.
Si do të dukej një botë pa sindikata?
A janë sindikatat ende të rëndësishme në një botë që po ndryshon, në të cilën robotët po zënë shumë prej punëve të mira dhe mund të përpijnë edhe ato që kanë mbetur? Historia na tregon se sindikatat janë barometër i ndryshimeve të tilla. Ne i shikojmë të tilla zhvillime që në fazat e tyre të hershme. Dëgjojmë anekdotat e anëtarëve tanë ndërkohë që ngjarjet zhvillohen. Bëjmë hulumtime për të zbuluar se çfarë po ndodh në të vërtetë. Pa ne, sot vendet e punës do të ishin të rrezikshme, vdekjeprurëse dhe me pak vende pune të dinjitetshme. Praktikisht do të mbeteshin vetëm vende pune të parregulluara, me paga të ulëta, të pasigurta, me kontrata të çrregullta dhe punë agjencish me orë të zgjatura. Në të vërtetë punë të tilla tashmë mbizotërojnë sektorin e shërbimeve të ekonomisë tonë, por pa sindikata ato do të ekzistonin pa asnjë prej të drejtave dhe mbrojtjeve që tashmë janë fituar prej punëtorëve, ose për të cilat po luftohet.
Cilat janë fitoret e sindikatave që e kanë bërë jetën tonë si punëtorë më të sigurt dhe më të drejtë?
Karl Marksi, në kritikën e tij madhështore të mënyrës së funksionimit të sistemit kapitalist, te “Kapitali”, shkroi për betejën për “ditën normale të punës” që solli miratimin e Ligjeve të Fabrikës (Factory Acts). Ai shtjelloi se si përgjatë shekujve kapitali e kishte zgjatur ditën e punës jo vetëm në kufijtë e saj natyrore, por përtej tyre (aq sa edhe përkufizimet e ditës dhe natës ngatërroheshin). Shumë prej reformave të revolucionit postindustrial rreth kushteve të punës dhe të drejtave të punëtorëve u arritën prej betejave të lëvizjes punëtore që po ngrihej. Ato u siguruan përmes konflikteve industriale, ose duke punuar me qeveritë progresiste Laburiste, ose duke shfrytëzuar mundësitë që lejon ligji për të luftuar padrejtësitë. Ligjet kundër sindikatave të miratuara përgjatë historisë kanë bërë që punëdhënësit të kenë në dorë shumicën e kartave, por ligji ka qenë gjithashtu një armë e arsenalit tonë që mund të ndihmojë punëtorët në ngritjen e zërit.
Sindikatat dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë ndjekur shumicën e rasteve, të cilat kanë vendosur dhe zhvilluar ligjet rreth shëndetit dhe sigurisë në punë, si përpara edhe pas miratimit të Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (Health and Safety at Work Act) të vitit 1974. Për shembull, ishin sindikatat që ngritën të parat çështjen e suksesshme të dëmshpërblimit prej asbestit dhe sëmundjeve të lidhura me të në Dhomën e Lordëve të MB më 1972 – q’atëherë ato janë përfshirë në çdo ngjarje domethënëse rreth ligjeve për dëmshpërblimin prej asbestit. Sindikatat kanë mbështetur qindra punëtorë dhe familjet e tyre në rast sëmundjesh të lidhura me asbestin si rrjedhojë e ekspozimit në punë apo gjatë fëmijërisë.
Kjo nuk është gjithçka. Pa punën industriale dhe politike të zhvilluar prej sindikatave, nuk do të kishte ligje për të rregulluar orët maksimale të punës, rregulla për punën në lartësi, mjete për masa mbrojtëse, rregullore për transportin fizik, pagesë për shkaqe shëndetësore, pagesë për lejen e zakonshme. Unë mund të vazhdoja edhe më tej dhe, sado të thata të ngjanin disa prej këtyre termave, të gjitha këto e bëjnë më të sigurt jetën tonë prej punëtori.
Betejat tona ligjore kanë mbrojtur gjithashtu të drejtat e punësimit: pagën e barabartë, pagën minimale në nivel kombëtar, të drejtat e punëtorëve të punësuar përmes agjencive, të drejtën e pensionit, politika miqësore me familjen, lejen e lindjes për nënën dhe babain, pagesën për pushimet, të drejtën e mosdiskriminimit, të drejtën për kohë të lirë për t’u marrë me aktivitet sindikal, të drejtën për t’u shoqëruar nga një përfaqësues i sindikatës gjatë trajtimit të ankesave dhe çështjeve disiplinore. Këto janë të drejta që, nëse do të filloje sot punë, do t’i merrje si të mirëqena (ndonëse kjo nuk qëndron për punësimin me kontrata afatshkurtra).
Për shembull, në vitin 2017 Gjykata e Lartë hodhi poshtë vendimin e vitit 2010 të koalicionit qeverisës Konservator-Liberal për t’iu mohuar punëtorëve qasjen në sistemin gjyqësor, duke vendosur tarifa për gjyqe të çështjeve të punës. Ishte një çështje e ndjekur nga sindikata Unison, por përbënte një fitore për të gjithë punëtorët dhe, mbi të gjitha, për barazinë dhe restaurimin e një farë balance në vendin e punës. Tarifat gjyqësore kërkonin që çdokush që e ndjente se kishte pësuar një padrejtësi në punë të paguante deri në 1,200 paundë për ta hapur si çështje. Si rezultat pati një rënie drastike në ankimimin e diskriminimeve seksuale, racore dhe për shkak të paaftësive: afërsisht 80% më pak çështje gjyqësore përgjatë tri viteve. Kjo bëri që diskriminimi në punë të lulëzonte i pakontrolluar – një dhuratë për bosët e këqij nga një parti politike që pretendon të jetë mike e njerëzve të punës. Madje edhe tani Ministria e Drejtësisë po vret mendjen se si t’i kthejë sërish tarifat.
Në një vend tjetër, vendimi i gjykatës se shoferët e Uber-it janë “punëtorë” dhe, për pasojë, kanë të drejtat bazike si paga minimale, pagesa e pushimeve, pagesa e raportit shëndetësor dhe e lejes prindërore, ishte një fitore fantastike për sindikatën GMB. Ndërkohë sindikata Unite arriti një fitore ligjore të madhe, si pikë referimi, duke i detyruar punëdhënësit për të futur punën vullnetare jashtë orarit në llogaritjen e pagesave të pushimeve vjetore. Këto janë suksese themelore të cilat padyshim e sjellin në nivel fushën e lojës, por që në vetvete nuk i japin fund praktikave shfrytëzuese të punës. Të izoluara, as që i fuqizojnë punëtorët dhe as sigurojnë të drejta kolektive dhe të barabarta. Veprimtaria ligjore nuk e zëvendëson punën që duhet të bëjnë sindikatat: organizimi në vendet e punës kundër pandershmërisë dhe padrejtësisë.
Dy herë e mposhtëm me sukses një padi të ngritur nga Argos në Gjykatën Lartë për të shtypur aktivitetin tonë në industri, filluam luftën kundër kufizimeve të vendosura ndaj sindikatave nga Ligji i Sindikatave. Ky aksion nuk e hoqi dot qafe Ligjin, por dëshmoi se si strategjitë ligjore të sindikatave kanë një rol thelbësor për të luajtur në betejat e gjata në emër të anëtarëve tanë, dhe se si puna jonë ligjore tashmë është shumë më e përfshirë në aktivitetin industrial nga sa ka qenë më përpara.
Duke ndjekur këto strategji u fitua një dëmshpërblim mbi 10 milion paundë për punëtorët në lista të zeza në industrinë e ndërtimeve. Qartësisht, asnjë vlerë monetare nuk mund të tejkalojë padrejtësinë karshi këtyre punëtorëve, jetët e të cilëve u shkatërruan nga firma që iu mohonin të drejtën e punës për shkak të veprimtarisë sindikale dhe nga policia dhe shërbimet e sigurisë të cilët, e dimë se si, si rrjedhojë e hetimeve të “policëve-spiunë”, ishin të përfshirë gjithashtu në vendosjen e punëtorëve në lista të zeza në shkallë industriale. Megjithatë, sigurimi i dëmshpërblimit ka qenë një hap i madh përpara drejt ndreqjes së gabimit. Sindikatat vazhdojnë të luftojnë për viktima të tilla, por vetëm një hetim i veçantë publik do të tregojë të vërtetën e plotë të skandalit…
E përktheu Jani Marka
Marrë nga faqja e shtëpisë botuese radikale Verso
Imazhi: Amazing Zone
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).