/Alfred Bushi/
Fasoneria është sot një ndër punët më skllavëruese në vendin tonë. Nga studimet e kryera dhe nga takimet e vazhdueshme me punëtorë të ndryshëm, ky rezulton të jetë një sektor në të cilin: një numër shumë i lartë punëtorësh paguhen në të shumtën e rasteve poshtë pagës minimale (jashtë Tiranës ato janë edhe më të ulëta);punëtorët punojnë pa kontrata pune; kohëzgjatja e orarit të punës varet nga vëllimi ditor i punës ose dëshira e pronarit; heqja nga puna është një akt i mirëfilltë i ushtrimit të pushtetit absolut të pronarit në vendin e punës; një pjesë e mirë e orëve shtesë, për të mos thënë të gjitha, nuk paguhen; siguria minimale në punë në shumicën e rasteve mungon; dhënia e pushimeve javore e ditore nuk respektohet etj. Në këtë sektor punojnë edhe grupet më dobëta shoqërore, siç janë gratë, romët etj, të cilat në shumicën e rasteve janë pre shumë e lehtë e shfrytëzimit.
Përpara se të vazhdojmë më tej, le të shohim se çfarë përcaktohet me termin “skllavëri”. Referuar Encyclopædia Britannica-s,“skllavëri është puna e detyrueshme e paguar më pak ose e papaguar.” Ndërsa sipas konventave ndërkombëtare (Konventa e Gjenevës e vitit 1926) “skllavëria është gjendja e atyre personave mbi të cilët ushtrohet një pjesë ose tërë pushteti që buron prej të drejtës së pronësisë”. Të dyja këto përkufizime të përgjithshme e cilësojnë personin si objekt, si pronë mbi të cilën mund të ushtrohet një pushtet i pjesshëm ose i plotë, pra një qenie jo e lirë e cila mund të shfrytëzohet sipas vullnetit të zotëruesit të saj. Këto qasje të skllavërisë, të cilat vlejnë për vende të caktuara dhe periudha të tjera historike, vështirë se mund t’na ndihmojnë në leximin e situatës sot.
Një këndvështrim interesant është ai që e sheh skllavërinë si një formë shfrytëzimi të fuqisë punëtore,e cila mundëson akumulimin e kapitalit pa rritur nivelin e eficiencës në prodhim. Parë përtej rendit skllavopronar, mund të themi se kjo formë e shfrytëzimit të fuqisë punëtore është mbizotëruese në një shoqëri ku niveli i zhvillimit të forcave prodhuese është i ulët. Siç tregon një video e publikuar ne faqen e The Economist, skllavëria sot nuk ka të bëjë edhe aq me pronësinë e një personi mbi një tjetër, gjë që fatkeqësisht vazhdon të ndodhë në disa vende, por me shfrytëzimin e trupit dhe kontrollin e mendjes së punëtorëve. Pra problemi më i madh që kemi sot, të cilin e kemi të trashëguar që me lindjen e kapitalizmit, është trajtimi i punëtorit si mall, nga konsumimi i të cilit mund të nxirret fitim. Kjo është skllavëria në ditët e sotme: shfrytëzimi i punëtorëve si nëpërmjet përdorimit të shtrëngimit apo forcës ashtu dhe pa përdorur forcën.
Kështu, aty ku sipërmarrësi nuk do të investojë në zhvillimin e forcave prodhuese dhe as në rritjen e pagave, puna skllavëruese e një numri gjithnjë e më të madh punëtorësh, me ç’duket, është e vetmja mënyrë për të akumuluar. Pronarit, në vend që të rrisë produktivitetin e punëtorëve,i duket më pak e kushtueshme dhe më e lehtë të shtojë numrin e tyre. Ky model shfrytëzimi i punës duket sikur më shumë se kudo i shkon përshtat sektorit të fasonerisë në vendin tonë, ku vlera e shtuar ndaj produktit është e ulët, pagat kanë vite që nuk rriten dhe kemi të bëjmë me një sektor i cili zgjerohet dita-ditës. Nëse me skllavëri kuptojmë aktin e nënshtrimit dhe shfrytëzimit të një ose shumë personave nga një ose disa të tjerë, atëherë fasoneria është hapësira e mirëfilltë e skllavërisë moderne, e ushtrimit të autoritetit të pakushtëzuar të pronarit ndaj punëtorëve për të nxjerrë një fitim ekonomik sa më të madh të jetë e mundur, brenda një orari pune të pacaktuar. Kështu, shfrytëzimi i fuqisë punëtore shfaqet si tipari kryesor i skllavërisë si në të shkuarën ashtu edhe në të tashmen.
Mendimi politik liberal anglez, i cili afirmohet njëkohësisht me përhapjen e marrëdhënieve kapitaliste në prodhim, që në fillesat e tij përshkohet nga një kontradiktë thelbësore. Nga njëra anë kemi justifikimin dhe pranimin e skllavërisë brenda sferës ekonomike, ndërsa nga ana tjetër kemi denoncimin e skllavërisë politike si uzurpim i lirisë prej monarkut. Skllavëria, sipas kësaj doktrine politike, mund të ekzistojë vetëm brenda marrëdhënieve në prodhim, pra vendit të punës, ndërkohë liria mund të ekzistojë vetëm brenda sferës politike, pa e cekur aspak hapësirën e prodhimit. Kështu e mendon për shembull Xhon Loku, njëri prej etërve të liberalizmit politik. Ai nga njëra anë i kundërvihet pushtetit absolut të monarkut dhe ndërhyrjeve të tij të paligjshme, ndërsa nga ana tjetër merr pjesë në hartimin e normës kushtetuese sipas të cilës “çdo njeri i lirë i Karolinës duhet të ketë pushtet dhe autoritet absolut mbi skllevërit e tij zezakë”. Për më tepër, sipas liberalëve të kësaj periudhe, të lirët mund të skllavërojnë jo vetëm të pangjashmit, siç konsideroheshin zezakët apo lëkurëkuqtë, por edhe të ngjashmit, të bardhët e shtresave të ulëta, siç janë vagabondët, të vobektët, pijanecët, lypësit etj. Ndarja në të lirë e skllevër, të bardhë e të zinj, në të ditur e të paditur,në punëtorë krahu e punëtorë mendjeje, përbën bazën mbi të cilën ndërtohet dhe justifikohet marrëdhënia e shfrytëzimit në vendin e punës.
Për sa i përket robëtimit të punëtorëve,sot gjërat ndryshojnë shumë pak nga Anglia e fillimit të kapitalizmit. Ende sot shtresat më të shfrytëzuara në punë mbeten po të njëjtat: gratë dhe burrat e shtresave më të vobekta të shoqërisë, mjerimi i të cilëve në fund të fundit është produkt i vetë sistemit ekonomiko-politik. Në këtë kuptim, fasoneria është vendi ideal i prodhimit të skllavërisë moderne, pasi përbën në njëfarë mënyrë të vetmen rrugëdalje (përveç emigrimit të cilin shumë pak prej tyre mund ta përballojnë), mundësi punësimi për shtresat më të ulëta e më të pakualifikuara të shoqërisë. Këtu gjejmë gra te divorcuara nga burrat që i dhunonin sistematikisht, mbi të cilat ka rënë e tërë barra e familjes. Hasim në burra e gra të zhytura në borxhe e kredi, të cilët detyrohen të durojnë lloj-lloj presioni e dhunë nga ana e pronarit apo përgjegjësit. Kemi djem e vajza të reja me pak klasë shkolle e të pakualifikuar, të cilët nuk dinë të bëjnë punë tjetër veç asaj që bëjnë në fasoneri. Kemi të rinj e të reja të lënë pas dore nga familjet e tyre, të ndrojtur e të frikësuar, të paaftë për të ngritur zërin kundër përgjegjësit. Hasim në gra te të pesëdhjetat, të cilat me zë të ulët e të tmerruara thonë se po i nxorën nga puna ku janë, nuk i punëson më njeri prej moshës së tyre. Në fasoneri gjen vajza të reja që për arsye ekonomike nuk kanë mundur të vazhdojnë shkollën dhe që presin dita-ditës që familja t’i martojë që t’i ikin kësaj pune helmuese. Gjejmë gra të helmuara në trup e shpirt, të cilave u duhet të shkojnë te doktori pothuajse një herë në muaj sepse e kanë trupin të mbushur me lloj-lloj toksine.
Edhe sot, ashtu si në Anglinë e fillimit të kapitalizmit, pronari ushtron pushtetin e tij të padiskutueshëm mbi punëtorët dhe mbi procesin e punës. Në fasoneri pronari ka pushtetin absolut mbi gjithçka. Pronari mund të vendosë çdo gjë për të: sa pagë t’i japë, sa orë ta mbajë në punë, sa orë pune t’i heqë, a t’ia paguajë apo jo sigurimet shoqërore e shëndetësore apo raportet mjekësore. Pronari vendos edhe pozicionin e punës së punëtorit sipas nevojës. Në fasoneri nuk ka të drejta e as liri, ashtu siç nuk ka liri brenda vendit të punës në një sipërmarrjeje kapitaliste. Punëtori i fasonerisë ka vetëm detyrime dhe bindje. Ai është i lirë jashtë fabrikës dhe skllav i robtuar brenda saj. Liria e tij nis me shkuarjen në tualet dhe mbaron me tridhjetë minutëshin e ngrënies. Ai nuk ka zë në organizimin e asnjë procesi pune. As nuk ka të drejtë të ngrejë zërin kur i rritet norma dhe intensiteti i punës, apo kur urdhërohet të punojë të shtunave e të dielave. Ai nuk ka as të drejtë të ankohet kur llogaritarja i ka mbajtur padrejtësisht pagesën e orëve shtesë sepse, nëse ankohet, e pret përgjigjja e zakonshme: “Ti nuk di t’i bësh llogaritë!”
Mirëpo në mes të gjithë kësaj skllavërie bashkëkohore, ku në vendin e punës ka vetëm shfrytëzim, padrejtësi e mungesë të çdo lirie, punëtorët kanë një rrugëzgjidhje: ndërgjegjësimi dhe organizimi me të ngjashmit e tyre, me shumësinë e madhe që i bashkon shfrytëzimi dhe padrejtësitë e pronarit të fabrikës. Ndërgjegjësimi për këtë ndarje kaq të thellë do t’i bëjë bashkë një ditë punëtorët, dhe atëherë shfrytëzimi do t’i ketë ditët e numëruara.
Imazhi: The Nation
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).