/Klodi Leka/
Në punimin doktoral “Stalinizmi shqiptar: një vështrim nga poshtë”, studiuesi Sofo Meksi, përmes shqyrtimit të letërkëmbimeve midis qytetarëve të shqetësuar dhe burokracisë partiake, shpjegon format e komunikimit e të funksionimit të regjimit stalinist shqiptar. Këto korrespondenca, sipas autorit, lëvizin nga “ankesat e tifozëve të futbollit për privilegjimin e aksh klubi sportiv deri te fshatarësia e brengosur nga kolektivizimi i ashpër bujqësor”. Madje nuk mungon as letra e një të riu që i lutej shokut Enver ta ndihmonte me ndonjë bursë jashtë vendit që të mund të operonte hundën, e cila s’e lejonte të bënte dashuri me vashat.
Mirëpo, përveç kritikës teorike shteruese ndaj stalinizmit shtetëror dhe punës arkivore me letërkëmbimet midis Hoxhës e nënshtetasve, çka më krijoi mbresa të thella ishte konkluzioni: “letra të këtilla mund të jenë të mbarsura me një leksik modern, bile me një leksik ultra-modern siç është edhe marksizmi, porse në përmbajtje tradhtojnë një botëkuptim dhe realitet tradicional marrëdhëniesh pushteti”[f. 49]. Pra, midis qytetarit dhe shtetarit nuk zhvillohej një marrëdhënie moderne e ligjit, e kontraktualizmit, e të drejtave dhe detyrimeve, por një marrëdhënie paramoderne pushteti midis babës dhe fëmijëve, ku babai ishte arbitri midis fëmijëve, fëmijëve dhe nënës (.,.parti), por kurrë problemi, fajtori, i gjykuari.
Së fundmi, një korrespondencë të këtij formati ka krijuar edhe kryeministri Rama në Facebook-un e tij, ku, përmes instrumentit në dukje ultramodern të bashkëqeverisjes, qytetarët i luten me përshpirtje patriarkale për t’i dhënë drejtim aksh problemi personal me aksh institucion publik. E ai, kryeministri, si ndonjë burrë babaxhan që nuk e zë vendi për hallet e vegjëlisë, popullit të reduktuar në foshnje, përveç ankesës përkatëse, publikon në llogarinë e tij edhe falënderimet, ndërkëmbjet dhe puthjet e tunikës, me tone patetike e aspak politike. Le të marrim shembull ankesën e këtij qytetari të shqetësuar drejtuar kryeministrit:
“Kam familjen në errësirë dhe nuk i kam borxh askujt, nënën e kam invalide dhe kam një vajzë tre muajshe në errësirë ngaqë nuk më bëjnë kontratë dritash sepse vëllai im ka borxh e kemi të njëjtin mbiemër, por ç’lidhje kam unë me të, unë kam shtëpinë time.” Këtu, qytetari jo që nuk rebelohet ndaj faktit se shteti represiv i Edi Ramës të flak në errësirë nëse nuk paguan rregullisht rrymën elektrike apo të solidarizohet me të vëllanë e mbetur në terr, por e mallkon atë ngaqë mbajnë të njëjtin mbiemër dhe se është i varfër, duke shfaqur mungesë ulëritëse ndjeshmërie dhe konfliktin në familje – rezultat i këtij sistemi që ka ndërtuar Rama me të tjerët.
E kur Rama i zgjidh hall me ndonjë telefonatë te burokrati përkatës – i cili e shkel qytetarin jo vetëm kur nuk ka para, por edhe kur ka ose merr borxh për të shlyer faturat – ai nuk e shet këtë mosfunksionim të sistemit si vënie në vend të një të drejte të qytetarit, fundja edhe si shërbim ndaj klientit, por si nder personal, si sekserllëk, i cili e kthen hallexhiun në borxhli. Kështu konvertohet ai tek i shkruan: “Nuk e di si të të falënderoj, por ndihem i turpëruar nga e mira që më bëre se realisht nuk votova kurrë për ty, por të kërkoj të falur se je i vetmi njeri në jetë që u more me hallet e mia e të familjes dhe përveç teje nuk do të votoj njeri tjetër.”
Me këtë shembull real nuk dua të them se Rama është stalinist, paçka se përditë e më tepër po rrëshqet drejt autoritarizmit politik, por se shpërfaq personalizimin e pushtetit. Sipas Slavoj Žižek-ut, personalizimi i pushtetit është kolapsi më i madh i socializmit shtetëror, jo ngaqë ai ndërtoi një burokraci të madhe, por se realisht nuk ndërtoi fare burokraci. Thënë me fjalët e majtistit liberal Claude Lefort, nuk arriti të ndërtonte një sistem ligjor të pavarur prej sferës së pushtetit. Pra, pavarësisht pretendimit se po ndërton shtet, sekserllëku i kryeministrit dëshmon pikërisht të kundërtën, mungesën e shtetit, ku qytetarët të kryejnë punë pa ndërmjetësimin dhe falënderimin e kryeministrit.
Po kështu, kjo formë e të komunikuarit dhe zgjidhjes publike të halleve është shprehje e tentativës së vazhdueshme të kryeministrit Rama për ta fshirë politikën si antagonizëm i papajtueshëm midis qytetarëve dhe pushtetit, dhe për ta shndërruar atë në menaxhim jokonfliktual, në punë e jo sherre, në nder e jo detyrim, çka Jacques Ranciere-i e ka kritikuar jo vetëm si gabim teorik të marksizmit që krijoi hapësirë për shpërfytyrimin stalinist te tij, por edhe si veti themelore të kapitalizmit radikal, i cili e degdis politikën në procedurë elektorale që jo rrallë sjell në pushtet persona autoritarë, në matematikë paresh dhe votash, në show, në shuarje të çdo diference ideore dhe përplasjeje mbi si e duam shoqërinë ku banojmë.
Në mbyllje, fakti shqetësues se Edi Rama ndërhyn për të vënë në vend një shërbim bazik për qytetarët, mëshira bastarde që ekspozon, dëshmon pamundësinë praktike të shtetit të tij për të qenë normal e demokratik. Sepse ky shtet tashmë është vegël për sundim klasor dhe në shërbim të pakicës pasanike që ka para dhe mund të paguajë gjithçka, shtet i 400 policëve për 100 mijë banorë dhe veç 1 ambulance për 30 mijë qytetarë. Është shteti neoliberal i policëve, oligarkëve dhe luksit që nuk ka para për punëtorët, pensionistët e të pamundurit. Prandaj, edhe mëshira e kryeministrit është një manovër estetike që fsheh kalbëzimin faktik të shtetit të tij. Por jo edhe për shumë kohë!
Imazhi: Colossal
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).