/Bertolt Brecht/
E vërteta duhet thënë duke pasur parasysh rezultatet që do të prodhojë në fushën e veprimit. Si shembull të një të vërtete prej të cilës nuk del asnjë rezultat, ose dalin rezultate të gabuara, mund të përmendim pikëpamjen e përhapur se kushtet e këqija të një vendi vijnë si rezultat i barbarizmit. Sipas kësaj pikëpamjeje, fashizmi është një valë barbarie që i ka goditur disa vende me forcën e një fenomeni natyror. Sipas saj, fashizmi është një pushtet i ri, i tretë, krahas (dhe mbi) kapitalizmit dhe socializmit; jo vetëm lëvizja socialiste, por edhe kapitalizmi mund të kishte mbijetuar pa ndërhyrjen e fashizmit. E kështu me radhë. Sigurisht që bëhet fjalë për një pretendim fashist; pranimi i tij nënkupton kapitullim përpara fashizmit.
Fashizmi është një fazë historike e kapitalizmit; në këtë kuptim, është diçka e re dhe e vjetër njëkohësisht. Në vendet fashiste kapitalizmi vazhdon të ekzistojë; dhe fashizmi mund të luftohet vetëm si kapitalizëm, si forma më e lakuriqtë, e paturp, shtypëse dhe e pabesë e kapitalizmit.
Po si mund të thuhet e vërteta mbi fashizmin nëse nuk jemi të gatshëm të flasim kundër kapitalizmit i cili e prodhon atë?! Cilat do të ishin rezultatet praktike të kësaj të vërtete?
Kush është kundër fashizmit pa qenë kundër kapitalizmit, kush qahet për barbarinë që lind prej barbarisë, u ngjan atyre që duan të hanë mish pa therur viçin. Janë gati ta hanë viçin, por nuk durojnë dot gjakun. E vënë shpirtin në paqe nëse kasapi lan duart përpara se të peshojë mishin. Ata nuk janë kundër marrëdhënieve pronësore që prodhojnë barbarinë; janë thjesht kundër barbarisë. Ngrenë zërin kundër barbarisë dhe e bëjnë në ato vende ku mbizotërojnë pikërisht të njëjtat marrëdhënie prodhimi, po ku kasapët i lajnë duart përpara se të peshojnë mishin.
Thirrjet kundër masave barbare mund të jenë efektive për aq kohë sa dëgjuesit besojnë se të tilla masa nuk mund të merren në vendin e tyre. Vende të caktuara ende kanë mundësi të ruajnë marrëdhëniet e tyre pronësore përmes metodave që duken më pak të dhunshme se gjetiu.
Në këto vende demokracia shërben ende për të arritur të njëjtat rezultate që dhuna arrin tjetërkund – me një fjalë, garantimin e pronësisë private mbi mjetet e prodhimit. Monopoli privat i fabrikave, minierave dhe tokës krijon kudo kushte barbare, po në disa vende këto kushte nuk ta vrasin syrin aq fort. Barbaria ta vret syrin vetëm kur ndodh që monopoli të mbrohet vetëm prej dhunës së hapur.
Disa vende – të cilave ende nuk iu duket e nevojshme t’i mbrojnë monopolet e tyre barbare duke hequr dorë nga garancitë formale të shtetit kushtetues, apo nga arti, filozofia dhe letërsia – janë të gatshme t’ua vënë veshin vizitorëve që ankohen për vendet e tyre sepse të mirat e mësipërme mohohen. Ata dëgjojnë me qejf sepse shpresojnë të përfitojnë prej tyre avantazhe në luftërat e ardhshme. A mund të themi se të vërtetën e kanë kuptuar vetëm ata që, për shembull, kërkojnë me zë të lartë një luftë të paepur kundër Gjermanisë “për shkak se në ditët tona ky vend është bërë vatra e mirëfilltë e të keqes, partneri i ferrit, shtëpia e Antikrishtit”? Në fakt të tillë njerëz janë budallenj dhe të rrezikshëm. Përfundimi që del ky budallallëk është se, përderisa gazi helmues dhe bombat nuk prekin vetëm fajtorët, Gjermania duhet shuar nga faqja e dheut – i gjithë vendi dhe krejt populli.
Njeriu që nuk e njeh të vërtetën shprehet me fjalë të mëdha, të përgjithshme dhe të pasakta. Ai çirret kundër “gjermanëve”, ankohet për të keqen në përgjithësi dhe kush e dëgjon nuk di çfarë të bëjë. Mos duhet të vendosë të mos jetë më gjerman?! Do të zhdukej ferri sikur ai vetë të ishte i mirë?! Dokrrat mbi barbarinë që lind prej barbarisë janë të kësaj natyre. Burimi i barbarisë është barbaria, kjo e fundit luftohet nga kultura dhe kultura vjen prej arsimimit. Gjithë sa më lart thuhen me fjalë të përgjithshme; nuk kanë për qëllim të kthehen në plan veprimi dhe në të vërtetë nuk i drejtohen askujt.
Të tilla përshkrime të vagullta vetëm sa tregojnë disa hallka të zinxhirit të shkaqeve. Obskurantizmi i tyre fsheh forcat reale që shkaktojnë katastrofën. Nëse hedhim dritë mbi këtë çështje, duket sheshit se katastrofat shkaktohen nga njerëz të caktuar. Ne jetojmë në kohën kur fatet e njeriut vendosen nga njerëzit.
Fashizmi nuk është një katastrofë natyrore e cila duhet kuptuar thjesht në termat e “natyrës njerëzore”. Po edhe kur merremi me katastrofat natyrore, ka mënyra të shpjegimit të tyre që i shkojnë për shtat njeriut, pasi ato i bëjnë thirrje shpirtit luftarak të njeriut. Pas një tërmeti të madh që shkatërroi Jokohomën, shumë revista amerikane publikuan fotografi të rrënojave. Diçiturat: ÇELIKU NUK U THYE. Dhe, me thënë të drejtën, ndonëse syri në fillim të shkon vetëm te rrënojat, me të lexuar diçiturën, shikimi kap faktin se disa ndërtesa të larta kishin mbetur në këmbë. Midis sa e sa përshkrimeve për tërmetin, më të rëndësishmet janë ato të inxhinierëve të ndërtimit që merren me lëvizjet e tokës, forcën e lëkundjeve etj. sepse ato na tregojnë ndërtesat e ardhshme që do t’u qëndrojnë tërmeteve.
Kush do të përshkruajë fashizmin dhe luftën – katastrofa të mëdha, por jo natyrore – duhet ta bëjë në sensin e një të vërtete praktike. Duhet të tregojë se këto katastrofa shkaktohen nga klasat pronësuese për të kontrolluar punëtorët e panumërt të cilët nuk i zotërojnë mjetet e prodhimit. Kush do të shkruajë siç duhet të vërtetën mbi kushtet e këqija, duhet të shkruajë duke nxjerrë në pah shkaqet e tyre të evitueshme. Nëse identifikohen shkaqet e parandalueshme, mund të luftohen kushtet e këqija.
E përktheu nga anglishtja Arlind Qori
Imazhi: Reno Gazette Journal
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).