/Gresa Hasa/
“Çdo ditë kam nga një shenjë të re ndër duar. Puna e re është fizike dhe me orare të zgjatura. Sigurisht, pagesa është absurde. Më duhet të zgjohem shumë herët e, si gjithmonë, asnjëherë nuk arrij të jem në orarin e përcaktuar. Punoj rreth 10 orë dhe nuk ulem asnjëherë, por çuditërisht u ambientova shumë lehtë me këtë ‘risi’ së fundmi. Kam punuar afërsisht gjashtë muaj në call center e më kanë pushuar dy herë. Nuk e kisha menduar se do të vinte kjo ditë, ama jam duke e menduar seriozisht që të rikthehem atje. Kisha menduar se mund të bëja çfarëdolloj punë, por jo më në call center. Kurrë më! Orët në atë ambient ishin të ferrshme, të kobshme e kjo pa asnjë ekzagjerim. Pas punës nxitoja të ndiqja leksionet. Shpesh, stepesha te dera e auditorit. Nuk kisha më dëshirë dhe energji të ndiqja profesorët dhe të isha aktive në procesin mësimor. Kisha tepër vështirësi në përqendrim. Puna më konsumonte dhe në aspektin social. Shpesh isha tepër e lodhur për të ndjekur një bisedë ose për t’u përfshirë në një të tillë. Më frikëson vërtet ideja që do të më duhet të shkoj sërish atje. Ndër të tjera, mosarritja e rezultatit dhe ngulja këmbë që faji i mungesës së kontratave është në sajë të aftësisë dhe predispozitës psikologjikë të operatorit, me jep ndjesinë e të qenit e paaftë, jo mjaftueshëm e zgjuar apo fleksibël për të menaxhuar dhe bindur klientin. Për një njeri si unë, me pasiguri dhe vetëbesim të ulët, ky presion, kombinuar me intensitetin e një pune si ajo në call center, japin ndikime afatgjata në shëndetin mendor. Por më duhet të mbijetoj. Disa punë janë fizike, disa janë mendore e shpesh mund të gjenden të gërshetuara. Dhe zgjidhja është një dhe e vetme: mbijetesa.”
***
Sa më lart nuk është thjesht një përshkrim i gjendjes së përgjithshme mjerane në mjedisin e punës në Shqipëri, por realiteti i përditshëm i mijëra të rinjve që konsumohen në tregun e shërbimeve të kontaktit ose, siç njihet gjerësisht, call center. Entenela Ndrevataj, njëra prej tyre, në vjeshtën 2017 pati guximin të rrëfente historinë e saj personale, duke u bërë kësisoj zëri protestues i të gjithë atyre punëtorëve që çdo ditë humbasin veten, nën thundrën e një sistemi degradues e çnjerëzor.
Më herët, po atë vit, dikush tjetër pati denoncuar dhunën e ushtruar në mjedisin e një call center-i të ngjashëm në kryeqytet, çka u paraqit si skandal dhe prodhoi zhurmë anembanë medias konvenciale e rrjeteve sociale.
Në Shqipëri ekziston një perceptim i gabuar për sa i përket konceptit që është krijuar mbi punën. Të hedhur në mes të katër rrugëve menjëherë pas rrëzimit të diktaturës dhe vazhdimisht pré e politikave të këqija dhe krimeve gjithfarësh të pushtetit udhëheqës, gjatë këtyre 28 viteve, të pambrojtur, të pasigurt dhe kaherë në skaje të frikshme të mbijetesës – qytetarët e shoqërisë sonë e reduktuan perspektivën kolektive thjesht te të pasurit e një pune dhe vetëm aq.
“Pse ankohesh?! Të paktën, ke një punë. Mund të ishe fare pa gjë.” Këto janë fjalë që i dëgjojmë t’u thuhen shpesh atyre prej nesh që janë në një marrëdhënie pune. E kundërta do të ishte: “Shumë kërkon. Ke dhe tangërllëk, zotrote! Mjafton të gjesh punë e mos bëhesh parazit. Rroga do të vijë me kohën. Të gjithë kemi hequr keq.”
Rëndom, nëse gjendesh jashtë tregut të punës, përpos depresionit dhe frikës që të shkakton mungesa qoftë edhe e një rroge minimale prej 170 mijë lekësh në muaj, të duhet gjithashtu të durosh dhunën e kufizimeve absurde që të imponohen nga një realitet i ndrydhur në dy zgjedhje: të jesh pa punë apo të jesh në punë të paguar keq, ku djersa e mundi yt, që sipas gjasave shtrihen përtej 8-orëshit zyrtar, të përfundojnë te xhepat e pronarit të kompanisë për të cilën punon. Kësisoj, ky i fundit blen edhe një tjetër veturë apo i lejon vetes teka luksoze nga më të gërditshmet, teksa për ty luksi përmblidhet në kohën dhe qetësinë e munguar për të ëndërruar jo vetëm për të tilla vanitete, por për gjëra akoma më themeltare, si shlyerja brenda afatit e kredisë, pagesa e faturës së dritave në fund të muajit apo ajo e mjekut.
E pra, thjesht të kesh një punë nuk mjafton. Ne meritojmë punë dinjitoze, me paga po të këtilla, siguri dhe perspektivë sepse jemi njerëz, jo shtojca robotike të makinerive në shërbim të pronarëve në industrinë e shfrytëzimit kapitalist.
Letra e Entenelës është një buçimë e
fuqishme, sinqeriteti dhe revolta e së cilës nuk mund të mos shkaktojë reagim
te të gjithë ata që ndalen t’ia vënë veshin. Por Entenela
nuk është vetëm. Pas tryezave të ftohta, në kufjet e të cilave cimbidhin njëherësh
zëra të zvargur zonjash e zotërinjsh matanë detit, ekziston një armatë e tërë
të revoltuarish, të rinj energjikë që u ka ardhur në majë të hundës me dhunën e
vazhdueshme të supervizorit dhe këtij sistemi që prodhon përbindësha dhe
viktima.
Ishin këta të rinj ata që mbushën rrugët në dhjetor 2018 për të kërkuar
arsim publik cilësor dhe të mundshëm për të gjithë. Janë po këta të rinj ata që,
jo më larg se dje, themeluan sindikatën e parë të qendrave të kontaktit.
“Solidariteti” quhet garancia e njohur ligjërisht tashmë, për kushte pune
dinjitoze dhe të drejta të pakompromis të këtyre punëtorëve.
Kjo sindikatë e cila synon të përfaqësojë 30,000 punëtorë të qendrave të kontaktit që ofrojnë shërbime klientësh për kompanitë Amazon, Apple dhe Lottomatica në tregun italian, erdhi në jetë në sajë të solidaritetit dhe guximit të punëtorëve të Teleperformance-s, një nga kompanitë nënkontraktuese më të mëdha në botë.
Ardhja në jetë e kësaj sindikate u mbështet nga Instituti Për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (IKESH) dhe Sindikata Globale UNI (një federatë sindikale ku përfshihen 20 milionë punëtorë shërbimesh nga 150 vende të botës), në vazhdën e përpjekjeve për ringjalljen sindikaliste në Evropën Qendrore. Çelja e “Solidaritetit” do duhej të ishte lajmi i ditës e i javës, dëshmia dhe nxitja ndaj kompanive të tjera jo vetëm në tregun e shërbimeve të kontaktit, por gjithashtu në fasoneri; në industrinë e shërbimeve sanitare dhe në çdo hapësirë tjetër të tregut të punës në Shqipëri, për t’u organizuar bashkërisht për adresimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre, si një e drejtë dhe e mirë e rezervuar për të gjithë e cilindo.
Duke politizuar përditshmërinë tonë, duke u aktivizuar ndjeshëm në mjedisin e punës, duke mësuar të shquajmë shokë aty ku prej nesh pritet që të kemi veç konkurrentë, do t’i bëjmë vend hapjes së një udhe të shëndoshë, asaj që, nëpërmjet solidaritetit e angazhimit, do të na shpjerë drejt një shoqërie të re ku, pasi të kemi mposhtur frikën për t’i kthyer fjalën pronarit, sikurse mësuam të mposhtim frikën për t’i kthyer fjalën profesorit dhe dekanit, do të jemi mjaftueshëm të fuqishëm e krahëplot për t’i kthyer fjalën e për t’iu kundërvënë çdo kryetari shteti makut që luan me jetët dhe të ardhmen tonë.
Shoqërinë do ta bëjmë ne, studentë e punëtorë, duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin e hedhur hapin bashkërisht, drejt përballjeve fisnike, për një jetë që e dimë se mund ta realizojmë po të mos ndalemi në përpjekjen tonë për barazi dhe drejtësi sociale. Ne jemi e tashmja dhe e ardhmja! Askush tjetër veç nesh nuk e ka mundësinë e artë që na shpaloset përpara: kohën, idetë e reja e kreative, si dhe energjitë.
Imazhi: IKESH
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).