/Arlind Qori/
Edi Rama është i vjetër. Edhe i lodhur. I kapur nga oligarkët po e po, por kjo nuk përbën më lajm. Vjetërsia e tij lidhet me varfërinë e imagjinatës politike. Kjo e fundit është sa produkt i mënyrës së qeverisjes, aq edhe i atrofizimit mendor që vjen nga mungesa e leximit dhe rutina e piarit. I ngrati mendon se jetojmë akoma në fillim të viteve 2000, kur të vishje bluzë me ngjyra në vend të pardesyve të bardha merrej për avangardizëm. Ai është anakronik.
Ajo që Rama me të tijtë nuk arrijnë të kuptojnë, pavarësisht ushtrisë së propaganduesve që marrin në punë, është se risia nuk mund të jetë më sipërfaqësore. Ajo nuk varet nga batutat, zgërdhirjet dhe mbushjen e sallave me fakirë që marrin apo presin të marrin rrogën e shtetit. E reja sot është përmbajtje. Ajo shfaqet kudo, por mbi të gjitha në sheshe.
Pika ku Rama var shpresat është lodhja e studentëve. Njëlloj si homologët e tij, ai e mendon protestën sipas skemës së çadrës: Merr një dorë militantësh partie dhe futi në çadër – në daç për hapjen e kutive, në daç për Republikën e Re –, mundësisht edhe me ndonjë grevë urie nga pas, dhe prit që njerëzit të lodhen nga loja e tavllës dhe këngët për kryetarin.
Rama nuk ka përvojë, çka e pamundëson të mendojë, se ç’do të thotë protestë autentike, e vetorganizuar, me një spontanitet dhe entuziazëm mbresëlënës. Për studentët lodhja fizike nuk është e kundërta e entuziazmit. Në raste të caktuara ajo është faktor që e rrit vetëdijen e jashtëzakonshmërisë së asaj që po ndodh.
Po ashtu kjo është e para herë kur mllefi ndaj mbrapshtësive të politikave qeveritare dhe sistemit politik në përgjithësi nuk e mpak, por e ushqen harenë dhe kreativitetin e protestuesve. Bashkimi në një shumësi – sa plurale në përbërje, aq unitare në frymë – jo vetëm po i bind studentët për fuqinë që kanë, por edhe po i vetëdijeson se demokracia nuk është përfaqësim, por drejtpërdrejtshmëri; se zgjidhja e problemeve nuk pritet të vijë nga qielli, por nga toka ku ata janë të rrënjosur prej më se dy javësh; se fjalimi është demode atëherë ku fjala gëlon; se kënga nuk është argëtuese, por motivuese; se poezia nuk i kundërvihet jetës, por është shprehja më e lartë e saj.
Studentët shqiptarë sot po përjetojnë atë që pak popuj kanë arritur ta bëjnë në histori. Ata po ndryshojnë koordinatat e mendimit dhe të gjuhës politike, po vënë në krizë një sistem të tërë politik pa gjuajtur një herë me gur. Ata kanë nxjerrë jashtë loje një kryeministër që, duke mos ditur me kë të flasë, ka filluar të flasë me vete përballë audiencave të sajuara, kanë zhdukur nga korridoret e fakulteteve turlilloj matrapazësh me titullin profesor e me xhepat që po u çahen nga paratë e studentëve për provime e blerje librash me detyrim, kanë tulatur një burokraci të tërë që deri dje jepte urdhra, por sot s’di ku të fusë kokën. Si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë, vajzat janë shumica në pjesëmarrje dhe në frymëzimin e protestës. Nëse ky nuk është emancipim, atëherë flasim kot.
Sot jemi në fazën më të rëndësishme të lëvizjes universitare. Rama po endet si fantazmë në disa fakultete për tri arsye: 1. Të çorodisë studentët për të mos i plotësuar kërkesat e tyre. 2. Të shpëtojë fytyrën duke fituar kohë. 3. Të devijojë në mjegull e sipër vëmendjen nga thelbi i të gjitha problemeve: ligji i arsimit të lartë.
Çoroditjen po përpiqet ta prodhojë duke bërë sikur i pranon kërkesat studentore, pa i pranuar në fakt ato. Do ulim tarifat – thotë, por jo aq sa e kërkoni ju, po aq sa dua unë dhe për kë dua unë. Do të rrisim pjesëmarrjen studentore, por në fakt nuk do ta rrisim se nuk e ka asnjë vend i botës(!!!) Do të reformojmë bordet e administrimit, por duke hequr Lenën e vënë Prenën po nga qeveria.
Shpëtimin e fytyrës e kërkon që nesër, pasi studentët ta fitojnë kauzën e tyre, të shmangë presionin e shtresave të tjera shoqërore. Ai frikësohet se shembullin e studentëve do ta ndjekin punëtorët, të cilëve u del shpirti në fasoneri, call center-a e miniera me rroga mjerane dhe pa të drejta në punë. U frikësohet shitësve ambulantë që mund të bashkohen për ta hedhur policin bashkiak në karrocerinë e makinës kur t’i përndjekë se pse shesin vezë anës rrugës. U frikësohet të vetëpunësuarve dhe biznesit të vogël që mund të kërkojnë lirimin e darës tatimore që u ka zënë fytin. U frikësohet, mbase, edhe atyre pak sipërmarrjeve të mesme prodhuese që shohin se si diskriminohen ekonomikisht në raport me oligarkinë ekonomike të trafikantëve, ndërtuesve, grosistëve të naftës, pronarëve të qendrave tregtare, mediave etj. U frikësohet pensionistëve, të papunëve, pse jo edhe policëve që vuajnë familjarisht pasojat e këtij sistemi zhvatës nga të gjitha anët. Prandaj Rama po kërkon dëshpërimisht dikë që t’i japë dorën.
Po, mbi të gjitha, ai po kërkon që çfarëdo zgjidhje çyryke që po përgatit ta realizojë pa rrëzuar ligjin e arsimit të lartë. Nuk duhet harruar për asnjë rast se ligji i arsimit të lartë ka qenë ligji më klientelist dhe i kontestuar i qeverisjes së tij. Ai është përgatitur në zyrat e pronarëve të diplomoreve private dhe mbështetet në tregtarizimin e universitetit, shndërrimin e studentit në klient që matet nga xhepi dhe jo nga mendja, financimin e privatëve me fonde publike dhe zhbërjen e demokracisë universitare. Ai e di se rrëzimi i ligjit është rrëzim i reformës klienteliste në arsim dhe rrëzimi i kësaj reforme afron ditën e rrëzimit të qeverisë. Edhe sikur askush të mos e kërkojë hapur, kjo qeveri do të bjerë vetë si molla e kalbur nga pema.
P.S.
Banakierja e lokalit ndanë Fakultetit të Shkencave Sociale, me fytyrë të plakur dhe sy që i shndrisnin, po pyeste dikë:
“Kam vajzën studente masteri. Po asaj do t’i ulen tarifat?
Po luftojmë për të gjithë.
Ah sa punë të mirë po bëjnë studentët!” – vazhdoi ajo dhe u nis për në punë.
Imazhi: STRINGER/AFP/Getty Images
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).