21 Janari brehtian

/Arlind Qori/

Ai që të vjedh votën, të vjedh edhe pasurinë e përbashkët. Me këtë lajtmotiv, pas dallaverit televiziv Meta-Prifti, Partia Socialiste thirri popullin në demonstratën e 21 Janarit. Të trandur nga dëftimi açik i batërdisë së zotërinjve me pasurinë e përbashkët, populli u derdh rrugëve. Mes tyre, më të zëshmit, më të mllefosurit e të guximshmit ishin të varfrit. Ishin me ta edhe Ziveri, Hekurani, Faiku dhe Aleksi.

Në mendjen e të varfrit, vota është katandisur në mall. Ajo premtohet, ofrohet, jepet me qira, shitet ose përplaset fytyrës me dufin e padurimit. Në mendjen e të varfrit, varfëria është më e hershme dhe shpirt-e-trup-ngrënëse se një e drejtë kushtetuese. Në mendjen e të varfrit, pedagogjizmi i kullave të fildishta mbi përparësinë e të drejtave politike është i pakuptimtë. Ai kërkon bukë, punë, strehë, çlodhje, shpresë. Prej jetës së tij ai e di se vota, edhe përpara se të vidhej e blihej, nuk i siguron gjë. E kishte njëherë, e hodhi lirisht, zgjodhi me ëndrrën e të bërit të Shqipërisë si gjithë Evropa, dhe pa, pa kaluar muaji, se të zgjedhurit e tij nisën ta zhvatnin: nga fabrikat, minierat, kopshtet, shkollat, sheshet publike, këndet e lojërave, bregdeti e natyra. E pa se si Berisha i parë, mizor ekonomikisht i dha për shpresë vetëm mbathjen me të katërta nga vendi i tij; e pa se si, socialistët tradhtuan brenda natës shpresën socialdemokrate të shtetit që përkujdeset për vegjëlinë; e pa se si i njëjti Berishë, edhe më bishë, e rrahu dhe vrau më 21 Janar.

21 Janar, mesditë. Turma e kokëpalarëve po afrohet kërcënueshëm. Ata kanë guxim. Kjo i ngrefos udhëheqësit hipotetikë të demonstratës që rrinë pas. Ata mendojnë se me vrullin e skamjes do ta trembin pak Berishën. Do ta shtrëngojnë në kompromis politik. Do gjejnë rrugëdalje për fantazmat e kutive të votimit të djegura. Ndoshta edhe një premtim në presion e nën zë se plaçkën më vonë do ta ndajnë bashkë. Populli ecën, fillimisht i tulatur nga fijet që tendosen nga pas. Heu bre, s’ke si të mos u kushtosh vëmendje spitullaqëve me syze e të veshur krrëk! Jet-e-mot ata magjepsin, pikërisht përmes riprodhimit të hendekut estetik. Populli afrohet. Thërret kërcënueshëm, por në fillim duket lojë. Lojë për fytyrat e vrerosura pas xhamave të bunkerit shtetëror; lojë për organizatorët opozitarë; lojë për policët barkkërcyer të rreshtave të parë; lojë edhe për fukarain aty poshtë.

Megjithatë, ndryshe nga Berishët, Metët, Ramët, policët, spikeret seksi televizive, shitmendësit kallpë të emisioneve të darkave, kurvat dhe kodoshët të salloneve, oligarkët ekonomikë, zhvatësit e burimeve jetike, pronarët e punës dhe jetës së miletit, për popullin kokëpalar loja bëhet gjithnjë e më e padurueshme, sidomos kur lojtarë janë të tjerët e topi ai vetë.

Aty, mes policëve dhe shtytësve për gjojademonstratë, kokëpalarët panë njëri-tjetrin në sy. Ishin shumë, shumë për besë. Shiko: njëri xhaketërrjepur si unë; ky tjetri si im atë pensionist; ajo atje tej si ime më që mezi gjen punë të pastrojë haletë e venddëfrimeve të të rehatshmëve; ai më tutje si jevgu i lagjes sime; ky këtu fare i pashpresë. Të gjithë bashkë, sy ndër sy, sikur e ndezin njëri-tjetrin. Pa fjali, me thirrje dyfjalëshe që derdhin mllef e urrejtje, ata i drejtohen ndërtesës së hajdutëve të ditës. Aty fshihet i tmerrshmi Berishë, shkatërrimtari Berishë, dhunuesi Berishë, zhvatësi e mbrojtësi i zhvatësve Berishë. Ai që ish në krye kur im gjysh u tall pse kishte qenë partizan; kur im atë i papunë e i pashpresë u nis me kokën në torbë malit të Gramozit; kur time më e kapte lapsi i hekurt i reformës; kur tim vëlla e rrihnin në gjimnaz pse mblidhte shokët kundër qeverisë. Ai ishte kur mezi na dilte për të ngrënë. Ai është edhe tani. Mburojë e hekurt e dallaverit të fundit.

Fillon përpjekja e përleshja. Një burrë shtyn një polic të infiltruar. Shkëmbehen sharje e të shtyra. Dikush qëllon me çadër. Një polic i përgjigjet. Të tjerët shtyjnë nga pas e bërtasin në kor. Fluturojnë sende të lehta. Derisa duart bëhen grushte dhe me grushte mbrohet koka nga shkopinjtë policorë e goditen skafandrat. Ka amulli. Frikë po ashtu. Po na filmojnë! Kurrë s’na kanë filmuar në përditshmërinë tonë të mjerë. Por sot, tani, bashkë, fort, guximshëm, kur jo vetëm pësojmë, por edhe kërkojmë, jemi faqe botës. I japin njëri-tjetrit guxim. Policët zbythen. Një mesoburrë flokërënë i rrëmben shkopin prej dorës policit të mirëngjeshur hekurisht. Një tjetër, me sytë dhe rrobat e më të dëshpëruarit e të varfrit njeri, sulet i vetëm përpara. Një burrë plak, me njërën dorë të fashuar e ngjitur pas trupit, e përdor tjetrën për të mbajtur pankartën me të cilën godet dhe goditet.

Situata ndizet edhe më. Hyjnë në lojë zjarrfikëset që duan ta shpërndajnë popullin me ujë me presion. Hidhet në sasi të frikshme gazi lotsjellës, ose më saktë gaz marrës fryme. Populli çoroditet për pak. Dikush heroizon duke u shtrirë përpara brumbullit gjigand që kërcënon me ujë. Betejë e pafund, lodhje, dëshpërim, por mbi të gjitha urrejtje.

Tashmë populli kokëpalar është vetë zot i sheshit të tij. S’donin t’ia jepnin si agorë, ai e fitoi si fushëbetejë, dhe kë pa, sheshin me emrin më kumtues e traumatik: Dëshmorët e kombit. Athua se mitikisht ai i kërkonte diçka…të bëhej theror.

Organizatorët socialistë janë hallakatur. Rama ia ka mbathur me kohë. Të tjerë mundohen me zë e me duar të përmbajnë mllefin popullor, por pa sukses. Mirë që shpëtojnë edhe vetë nga uragani popullor. Kokëpalarët tani nuk kanë më zotër, as fije që i mbajnë nën kontroll. Ata kanë vetëm mllef, dëshirë për drejtësi, qoftë edhe të dhunshme. Ata duan që në një ditë të shpaguhen për sa e sa të zeza. Ata duan gjithçka, e duan tani, e duan aty, e duan për të gjithë. Ata po vetëndërtohen si subjekt.

Bash tani, kur policët ishin zbythur dhe populli kishte zaptuar sheshin e i bënte karshillëk godinës madhërisht qesharake të pushtetit, prej lart vjen urdhri. Duhet qëlluar. Duhen marrë shënjestër. Ata të poshtrit aty poshtë, ata zorrëtharë, ata fantazma të mjerimit, ata që guxuan të na tronditnin, ata duhen vrarë. Në mos të gjithë, ca prej tyre. Shtini derra shtini! Hë ti aty, ti mor ushtar kopuk, ti që dukesh zorraxhi si ata atje tej, pse nuk shtie? Ta tregoj unë mor pizeveng se si merret shënjestër! Ja u këput i pari, ai hollaku mjekrosh që rri para derës me duar në xhepa si të ishte në shpi’ t’vet. Ja edhe ai atje tej mbi stolin mediatik. Kape edhe këtë të tretin babaxhan flokëbardhë në trotuarin përballë. Hë se mos ju shpëton ai tjetri ca më tutje.

Plumbat vërshëllenin rrëzë veshit, por askush nuk u tut. Asnjë prej dëshmorëve të rinj nuk u la vetëm në tokë. Populli kokëpalar po çante midis plumbave për të tërhequr shokët. Ziver, Hekuran, Faik, Aleks…kurrë më parë s’ishim parë burra, po sot jemi shokë si të ishim njohur prej një jete. Edhe ju si ne me 200 lekë në xhep. Edhe ju fakirë, bij dhe etër fakirësh. Nga veriu e jugu, nga fshati e qyteti. Proletarë si ne, të pashpresë si ne, dhe e vetmja shpresë e njerëzimit si ne.

***

Një javë më pas, me paturpësinë e ambasadorit hiperpotent që konsideron burrë shteti tiranin gjakatar, me frikën e oligarkëve opozitarë për ta kthyer mllefin në revoltë për drejtësi, me dhimbjen në shpirt e duart e shtrënguara në xhepa, populli kokëpalar u riderdh bulevardit për të kujtuar shokët e tij. Atë ditë kishin ardhur edhe mbathacakët e një jave më parë: të englendisurit që i bezdis thjesht emri Berishë dhe asgjë më tepër, ata që kanë qepena për të mbyllur e të ardhme të sigurt. Ishin edhe ata, me tisin postmodern të zisë mbi fytyrë. Si për të lajmëruar se Revolucioni Shqiptar mori fund. Për momentin!!!

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.