Marksi pat shkruar se socializmi duhet të pasojë kapitalizmin në ato vende që kanë arritur përparimin më të madh socio-ekonomik brenda sistemit kapitalist. Në shkrimin që vijon dhe në disa të tjera që do të pasojnë do të përkthejmë për lexuesin një sërë artikujsh që sjellin më afër përpjekjet e kohëve të fundit të aktivistëve të spektrit të majtë – socialistë demokratë – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo me shpresë që të ketë, sadopak, jehonë pozitive edhe mes nesh në Shqipëri. Për më tepër, përtej parashtrimeve të kontekstit amerikan, disa nga parimet e artikuluara në artikullin më poshtë kanë edhe karakter universal: Ky dokument pjesërisht mund të përfytyrohej edhe si manifest i aktivistëve progresistë në Shqipëri, apo i një partie socialiste, me të vërtetë socialiste.
Shënim: Artikulli në brendësi të tij ka shumë lidhje me artikuj të tjerë të cilët, krahas përkthimit në shqip, nuk i kemi hequr jo edhe aq për hir të origjinalitetit, sesa për ta shtyrë lexuesin e anglishtes edhe drejt tyre.
***
/Neal Meyer/
Fitorja me përmbysje e Alexandria Ocasio-Cortez-it në Nju Jork në muajin qershor i shtoi benzinë një zjarri që Bernie Sanders-i e ndezi më 2016: një ringjallje në interesimin për socializmin demokratik. Dhe nuk ka rrymë të politikës së majtë që prodhon më shumë konfuzion sesa socializmi demokratik.
Krejt papritur duket se shumë vetë duan të dinë se ç’është socializimi demokratik. Më poshtë shpjegohet se ç’duhet të dini rreth tij.
Për një botë më të mirë
Disa komentues janë përpjekur të shpikin dallime midis shoqërisë për të cilën luftojnë “socialistët demokratë” dhe shoqërive të përfytyruara nga të ashtuquajturit “socialistë tradicionalë”. Në kanalin MSNBC, Stephanie Ruhle-i deklaroi plot vetëbesim se socialistët demokratë “nuk bëjnë thirrje për pronësi të përbashkët të prodhimit”.
Sipas Ruhle-it, ngazëllimi rreth shfaqjes së lëvizjes socialiste nuk është asgjë më tepër sesa: socialistët demokratë duan gjëra të mira si arsim falas dhe librari publike – pak a shumë kaq.
Ndonëse e mbështesim pa rezerva një sistem më të mirë librarish, socialistët demokratë kanë për vizion një shoqëri më të mirë dhe mënyra për t’ia mbërritur asaj kërkon shumë më tepër nga sa më sipër.
Bota në të cilën jetojmë sot quhet njëfarësoj demokraci; Shtetet e Bashkuara janë shteti më i pasur në gjithë historinë e njerëzimit dhe të gjithëve ne na mësohet se sa e rëndësishme është “liria” për vlerat amerikane. Por sot Shtetet e Bashkuara nuk përkufizohen nga liria dhe bollëku, por nga shfrytëzimi dhe shtypja.
Një grusht i vogël familjesh të pasura dhe të pushtetshme jeton prej fitimeve që nxjerrin nga shkatërrimi i mjedisit, si dhe duke nënpaguar, shfrytëzuar në orare të zgjatura dhe duke mashtruar shumicën e shoqërisë – shkurt, klasën punëtore. Ata pasurohen pikërisht se të varfrit dhe klasa punëtore varfërohen.
Kjo klasë kapitalistësh i kthen vendet e punës në regjime mini-autoritare, ku bosët kanë fuqinë t’u bien në qafë dhe të abuzojnë me punëtorët. Ata e mbrojnë pushtetin e tyre në çdo sferë të shoqërisë duke ushqyer flakët e konflikteve dhe paragjykimeve racore, të kombësisë dhe gjinore, në mënyrë që të mbajnë të përçarë klasën punëtore dhe të na pamundësojnë organizimin.
Socialistët demokratë duan t’i japin fund të gjithë kësaj.
Si shumë progresistë, ne duam të ndërtojmë një botë ku çdokush ka të drejtë për ushqim, kujdes shëndetësor, një strehë të përshtatshme, arsimim që kultivon mendjen dhe për një punë të mirëpaguar e të mbrojtur nga sindikata. Ne mendojmë se kjo lloj sigurie ekonomike është e domosdoshme që njerëzit të çojnë përpara një jetë të pasur e krijuese – dhe të jenë vërtet të lirë.
Ne duam ta sigurojmë sa më sipër ndërkohë që duhet të parandalojmë ndryshimet klimatike dhe të ndërtojmë një ekonomi që është e qëndrueshme ekologjikisht. Ne duam të ndërtojmë një botë pa luftëra, ku njerëzit në shtete të tjera të mos kenë frikë nga ndërhyrjet ushtarake dhe shfrytëzimi ekonomik prej SHBA. Duam t’u japim fund burgosjeve në masë dhe brutalitetit policor, dhunës gjinore, mungesës së tolerancës ndaj njerëzve queer, diskriminimit për punë dhe strehim, dëbimeve dhe të gjitha llojeve të shtypjes.
Megjithatë, ndryshe nga shumë progresistë të tjerë, ne kemi dalë në përfundimin se për ta ndërtuar këtë botë më të mirë do të duhen shumë më tepër përpjekje sesa fitoret elektorale/fitorja e një palë zgjedhjeve dhe miratimi i reformave të vogla.
Çfarë kundërshtojmë?
Demokracia në të cilën jetojmë qëndron shumë larg asaj që na kanë mësuar. Në shoqërinë tonë, njerëzit e zakonshëm – kur janë të paorganizuar –nuk kanë thuajse fare fuqi.
Përkundrazi, fuqia përcaktohet prej asaj që politologu Thomas Ferguson e quan “rregulli i artë”: kush ka ar, sundon. Kapitalistët përdorin pasurinë për të blerë politikanë nga të dyja partitë dhe fuqinë e tyre lobuese për të asgjësuar projektligjet progresive që kërcënojnë interesat e tyre për fitim.
Madje edhe sikur të zgjidhnim një qeveri me qëllime të mira që do t’i rezistonte presionit të lobistëve, ekzistojnë mundësitë që ajo do të rrëzohej prej atusë së kapitalistëve: grevës së kapitalit. Për të kundërshtuar programet e reja sociale dhe rishpërndarjen, klasa e kapitalistëve mund, si instrument i fundit, të tkurrë investimet e saj dhe të provokojë recesion, duke minuar kështu mbështetjen shoqërore për qeveritë progresiste.
Kjo reflekton edhe një problem tjetër kyç në sistemin kapitalist: jo vetëm që kapitalistët shfrytëzojnë punëtorët në vendin e punës dhe vënë mënjanë pasurinë që vjedhin prej nesh, por ata gjithashtu kanë edhe fuqinë për të vendosur nëse do të kemi ose jo vende pune dhe, në këtë mënyrë, mundësinë që ne të sigurojmë jetesën tonë. Gjithashtu, nëse kapitalistëve nuk u pëlqejnë kërkesat tona demokratike si, le të themi, ndalimi i ndotjes së planetit ose pagesa e punëtorëve me paga të dinjitetshme, ata thjesht mund të zhvendosin biznesin dhe vendet e punës në vende apo shtete të tjera – ne kemi pak fuqi për t’i ndalur.
Në raste të rralla – zakonisht pas luftërave masive dhe krizave ekonomike – ka ndodhur që qeveri progresive të kenë korrur fitore. Vendet Skandinave janë ato që ne i quajmë “socialdemokraci”, shoqëri me siguri sociale të forta dhe lëvizje punëtore që mban në kontroll prirjet më të këqija të kapitalizmit dhe kufizon fuqinë e të pasurve në fusha të rëndësishme.
Përgjatë shekullit të njëzetë, punëtorët e këtyre fituan punësimin e plotë, një shtet të fortë të mirëqenies sociale dhe një shkallë të lartë sindikalizmi. Por ata kurrë nuk e sfiduan në mënyrë të suksesshme burimin e pushtetit të klasës kapitaliste: të drejtën e tyre pronësore mbi korporatat e mëdha kombëtare.
Për rrjedhojë, në këto vende tridhjetë e ca vitet e fundit një klasë e rigjallëruar kapitalistësh ka udhëhequr një fushatë të qëndrueshme e të suksesshme për t’i prapësuar këto arritje progresive. Këto dështime të eksperimenteve progresive dëshmojnë se vizioni ynë socialist demokratik duhet të shkojë shumë përtej kufijve të ngushtë që propagandohen nga ekspertët e sapongjizur televizioneve të socializmit.
Kjo nuk do të thotë se ne na ha kurrizi për detyra të vështira politike apo se jemi puritanë politikë. Po të kishim mundësi ta realizonim këtë botë më të mirë – që e duan të gjithë progresistët, socialdemokratët dhe socialistët demokratë – pa sfiduar apo zhdukur përfundimisht pushtetin e kapitalistëve, do ta merrnim me gjithë qejf rrugën e lehtë.
Ne jemi socialistë pikërisht se nuk është e lehtë ta ndryshosh botën në kapitalizëm.
Rruga demokratike drejt socializmit
Një gjë është të kuptosh se për çfarë luftojnë socialistët demokratë e krejt tjetër të skicosh një shteg bindës përmes të cilit mund të arrihen qëllimet tona. Ky është dallimi i vërtetë midis socialistëve demokratë dhe disa prej miqve tanë në të majtën socialiste. Ne jemi kundër strategjive që duan të imitojnë shtigjet e ndjekura në Rusinë e 1917-s apo në Kubën e 1959-s, a thua se do t’ia mbërrinim socializmit duke shpërthyer Shtëpinë e Bardhë dhe nxjerrë jashtë Donald Trump-in.
Ajo çfarë duhet është një strategji që i merr seriozisht sfidat dhe mundësitë që vijnë prej të organizuarit në një demokraci liberale.
Prandaj jemi të përqendruar në bashkimin e të gjithë klasës punëtore. Punëtorët – çdokush që e nxjerr jetesën e tij në këtë botë duke punuar në vend se të zhvatë fitime nga puna e të tjerëve, nga punëtorët e fabrikës e ndërtimit deri te mësuesit e infermierët apo edhe nëpunësit e zyrave – kanë interesin më të madh material në luftimin e kapitalizmit, kanë fuqinë për të ndalur prodhimin në vendet e punës dhe ta bllokuar sistemin kapitalist, dhe (duke qenë shumica e shoqërisë) fuqinë potenciale në numra për të përmbysur sistemin politik.
Kjo është arsyeja pse besojmë në një rrugë demokratike drejt socializmit – ajo rrugë që ndërton lëvizje dhe merr pjesë në zgjedhje.
Bernie Sanders-i e bëri të qartë pa pushim në vitin 2016: një “revolucion politik” do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara vetëm nëse ia arrijmë të ndërtojmë lëvizje masive nga poshtë, sidomos lëvizjen punëtore. Këto lëvizje e kanë potencialin të fitojnë lëshime prej kapitalistëve dhe politikanëve. Dhe gjatë betejës, ne mund të fillojmë ta transformojmë ndërgjegjen e njerëzve – duke përhapur idenë se mund të fitojmë nëse organizohemi së bashku.
Mundësitë e reja që sot duken fantastike do të bëhen të mundura gjatë procesit. Ndërkohë që pritshmëritë do të rriten, njerëzit do ta kuptojnë se çfarë duhet të ndërmarrin për të fituar një jetë më të mirë. Dhe më tej, kur kapaciteti i lëvizjes sonë të vijë në rritje, njerëzit do ta kuptojnë se ata në të vërtetë e kanë fuqinë për t’i sjellë këto ndryshime.
Përgjatë ndërtimit të lëvizjes, ne duhet të fillojmë të marrim pjesë në zgjedhje si kryengritës që sfidojnë udhëheqjen e dy partive kryesore. Kjo punë do të shtrojë rrugën për ndërtimin e partisë sonë politike, me një bazë shoqërore masive, e cila në fund do të luftojë të zgjedhë një qeveri socialiste.
Po për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme të klasës kapitaliste, ne jemi të vetëdijshëm se vetëm zgjedhja e një qeverie socialiste nuk do të thotë pasje fuqie për të transformuar shoqërinë. Një qeveri socialiste duhet të shohë si detyrë të saj parësore marrjen e pushtetit prej klasës kapitaliste.
Kjo do të thotë shtetëzim të sektorit financiar në mënyrë që vendimet për investimet e mëdha të merren nga qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike, si dhe largimin e elementëve armiqësorë në ushtri dhe polici. Do të thotë futje e planifikimit demokratik dhe pronësisë shoqërore të korporatave (megjithëse përzierja e duhur mes planifikimit shtetëror dhe “socializmit të tregut”, apo përzierja e firmave me zotërim publik, bizneseve të vogla private dhe kooperativave të punëtorëve, është një temë ha debat brenda lëvizjes sonë). Dhe do të thotë ringritje e demokracisë përmes financimit publik të zgjedhjeve, ndalim i lobimit të korporatave e të donacioneve private në fushata, madje edhe kërkesa edhe më radikale si hartimi i një kushtetute të re.
Edhe me një agjendë kaq ambicioze, një qeveri socialiste do të vendoset në një presion të madh nga klasa kapitaliste për t’u zmbrapsur. Përpjekjet e guximshme të shekullit të njëzetë për të kontrolluar fuqinë e korporatave dhe rishpërndarë pasurinë – në vende si Franca, Xhamaika dhe Suedia – u përballën me të tillë presion, shpesh në rrugë që i dobësuan rëndë apo i fundosën përpjekjet për reforma. E dimë se në disa raste, si kur Salvador Allende u përpoq ta shtynte Kilin në rrugën demokratike drejt socializmit në fillim të viteve 1970, klasa sunduese ka hequr dorë nga tolerimi i parimeve të demokracisë liberale.
Në kohën e duhur do të jetë detyrë e socialistëve demokratë në lëvizje dhe qeverisje të marrin masat e domosdoshme për të mbrojtur mandatin e fituar në rrugë demokratike.
Kjo na sjell sërish te rëndësia e jashtëzakonshme të ndërtimit të fuqisë së lëvizjes së klasës punëtore, si pjesa e rëndësishme plotësuese e pushtetit shtetëror të ushtruar nga një qeveri socialiste.
Lëvizje të tilla mund t’i vendosin qeveritë socialiste përpara përgjegjësisë, duke i ndihmuar ato t’i rezistojnë presionit për t’iu dorëzuar kapitalit. Por këto lëvizje duhet të veprojnë edhe me nismën e tyre të lirë në periudhën tranzitore për të demokratizuar vendet e punës dhe komunitetet. Duke i ndërtuar lëvizjet sociale demokratike nga poshtë-lart, do të ndërtojmë jo vetëm atë fuqi që na duhet për të mposhtur të pasurit, por edhe ato lloj institucionesh demokratike që do të jenë qendrore për shoqërinë e ardhshme socialiste në të cilën duam të jetojmë.
Vetëm duke ndërthurur një qeverisje socialistë të përkushtuar me një klasë punëtore të fuqishme e të vetorganizuar do të jemi në gjendje ta mposhtim klasën kapitaliste si nga lart edhe nga poshtë.
Detyrat tona ditët e sotme
Rruga demokratike drejt socializmit është e gjatë. Ne jemi të vetëdijshëm se në Shtetet e Bashkuara na presin përpara vite me punë të vështira. Por në afatshkurtër, rezistenca ndaj politikave të djathta populiste të Donal Trump-it duhet të jetë përparësia kryesore.
Detyra jonë më e rëndësishme dhe e menjëhershme si socialistë demokratë është të ngremë fuqinë e lëvizjeve shoqërore.
Ne jemi ndërtues aktivë të lëvizjeve kundër dëbimeve, brutalitetit policor, tubacioneve të naftës dhe luftës. Ne ofrojmë mbështetje për kërkesa universale gjerësisht popullore si kujdesi shëndetësor për të gjithë dhe kontrollin e qirave të shtëpive. Ne punojmë për të bërë bashkë e ndihmuar lëvizjen e anëtarëve të thjeshtë të sindikatave të cilët luftojnë për ta bërë lëvizjen punëtore militante, progresiste dhe demokratike – duke përfshirë projekte si Labor Notes, Teamsters for a Democratic Union dhe “komitetet e arsimtarëve të rebeluar” në sindikatën e mësimdhënësve në mbarë vendin.
Ne gjithashtu mbështesim krijimin e aleancave gjithëpërfshirëse, pa sakrifikuar parimet tona, për të zgjedhur kandidatë që mbështesin kërkesat tona afatshkurtra.
Ne e dimë se jo çdokush në të majtën progresiste bie dakord se mundja e forcave të krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara dhe ndërtimi i një shoqërie më të mirë lyp këto ndryshime të mëdha që ne mendojmë se janë të nevojshme. Shumë vetë nuk bien dakord me përfundimin tonë se udhëheqja e Partisë Demokratike është në xhepin e biznesit të madh dhe kriminalisht e paaftë (megjithëse pas katastrofës së 2016-s, shumë të tjerë tani bien dakord). Në afatshkurtër, atëherë, detyra e socialistëve demokratë gjatë zgjedhjeve është të mbështesin kandidatët që luftojnë për të përmirësuar jetën e njerëzve të punës dhe të ndërtojnë fuqinë e klasës punëtore.
Disa nga kandidatët tanë – si Julia Salazar-i në qytetin e Nju Jorkut dhe Jovanka Beckles-i në Kaliforni – janë socialistë demokratë. Disa, me më tepër kujdes, mund të quhen “social-demokratë” meqenëse besojnë se mund të kontrollojnë aspektet më të këqija të kapitalizmit, por nuk ndajnë perspektivën tonë për domosdoshmërinë për të shkuar përtej tij.
Por të gjithë kandidatët tanë i bashkon mbështetja për kujdesin shëndetësor për të gjithë (Medicare for ALL), të drejtat e punës, rritje të pagës minimale, mbrojtjen e mjedisit, ndalimin e dëbimeve, si dhe dhënien fund burgosjeve masive. Duke luftuar për këto reforma, synimi ynë është të përfshijmë miliona njerëz, të cilët kanë hequr dorë nga politika, t’i bashkohen betejës, për të testuar kufijtë e lëshimeve që mund të fitohen tani për tani dhe për të nxitur bashkëluftëtarët tanë në të majtën progresiste se për të ndërtuar botën që duam nevojitet një strategji socialiste më ambicioze.
Ngritja e Socialistëve Demokratë të Amerikës
Jona mund të duket si një detyrë e tmerrshme, por e ardhmja e një politike socialiste demokratike sot duket më e ndritur se gjysmë shekulli më parë.
Falë fushatave të Bernie Sanders-it dhe Alexandria Ocasio-Cortez-it dhe rritjes meteorike të Socialistëve Demokratë të Amerikës (Democratic Socialists of America) (DSA) – e cila tashmë ka mbërritur në 45,000 anëtarë dhe vijon të rritet, me mijëra aktivistë anembanë vendit që kryejnë detyra – miliona vetë identifikohen si socialistë.
Shfaqja e lëvizjes socialiste të organizuar është një faktor përcaktues në politikën e SHBA. Deri kohët e fundit, e majta e ka shpërfillur rëndësinë e organizimeve politike, duke preferuar një qasje si “lëvizje të lëvizjeve” e cila kurrë nuk arriti të ishte më tepër se shuma e pjesëve të saj. Dhe brenda organizatave, aktivistët prireshin të përqafonin një politikë “horizontale” e cila refuzonte zgjedhjen e udhëheqësve dhe strukturave vendimmarrëse demokratike. Në vend të saj kishim tiraninë e pastrukturimit, në të cilën organizatat duket se ishin johierarkike, por që rezultoi se dominoheshin nga një numër i vogël udhëheqësish të pazgjedhur e jollogaridhënës.
Ky ishte gabim. Organizatat socialiste si DSA janë thelbësore në kryerjen e detyrave të përditshme në zhvillimin dhe popullarizimin e një strategjie politike afatgjatë, për të afruar dhe edukuar aktivistë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e anëtarëve në udhëheqës.
Organizata jonë është gjithashtu e rrallë në Shtetet e Bashkuara: një organizatë me të vërtetë demokratike dhe e mbështetur tek anëtarët. Kjo është vendimtare për misionin tonë.
Në fund, organizata socialiste si DSA dhe një lëvizje punëtore e gjallëruar do të duhet të afrohen me njëra-tjetrën për të ndërtuar një parti politike me miliona anëtarë, e cila do të udhëheqë luftën për një botë më të mirë. DSA është një pikë e rëndësishme e fillimit.
Sa për tani, detyrat e socialistëve demokratë janë të qarta. Lidhja e lëvizjeve në Shtetet e Bashkuara dhe në botë për të luftuar kundër shfrytëzimit, sundimit dhe luftës. Të ndërtojmë forcat tona! Të fitojmë zgjedhje! Të fitojmë gjithçka sa mundemi brenda kapitalizmit! Dhe të krijojmë idenë se na duhet një revolucion politik i vërtetë për shkuar përtej tij.
Radhët tona janë të hapura për të gjithë ata që duan të luftojnë. Së bashku kemi një botë socialiste demokratike për të fituar.
Shënimi hyrës dhe përkthimi: Jani Marka
Marrë nga: Jacobin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).