/Arlind Qori/
Çështja e pagesës për shkollimin universitar kushtëzohet nga konceptimi i arsimit; pra nëse ky i fundit kuptohet si e drejtë e patjetërsueshme qytetarie apo mall e shërbim i çfarëdoshëm, mospasja e të cilit ka po atë ndikim në kushtetimin qytetar si mosshkuarja me pushime në vende ekzotike. Konceptimi i shkollimit universitar si mall përkon me kapitalistëzimin mësymës të të gjitha sferave të jetës, ose siç do ta quante Habermasi kolonizimin e botës së jetës. Pra, në logjikën e ekonomisë kapitaliste, gjithçka duhet riformësuar në mënyrë që të shndërrohet në mall, pra send që ka vlerë këmbimi ose çmim, që mbijeton duke u shitur, duke qarkulluar, duke u reklamuar etj. Dhe që universiteti ta shndërrojë dijen në mall kërkohet që jo vetëm të gjendet fuqi e mjaftueshme blerëse e saj, por vetë dija duhet të ketë së brendshmi cilësitë e mallit, pra të jetë e ndërkëmbyeshme dhe e prodhuar për fitim. Madje jo vetëm kaq, por universiteti si farkëtues i dijes duhet të kushtetohet si fabrikë e prodhimit të mallit dije, duke përfshirë këtu edhe krijimin dhe fuqizimin e sektorëve marketues-administrativë në kurriz të pedagogjisë kritike dhe dijes emancipuese në tërësi. Po ashtu, studentët duhet të shndërrohen në klientë (sigurisht ata që kanë aq fuqi blerëse sa të paguajnë për dijen-mall). Madje ata duhen atrofizuar në atë formë që të shohin te vatra universitare vetëm terrenin për brendësimin e teknikave që do t’i bëjnë të suksesshëm në garën e nesërme frenetike për punë, çka do të prodhonte studentë të tëhuajsuar prej njëri-tjetrit, të servilosur ndaj autoriteteve universitare, dhe nesër lakej të pronarëve të fuqisë së tyre punëtore, apo shtetit.
Të gjitha të mësipërmet vlejnë vetëm për ata që kanë fatin të origjinojnë nga familje relativisht të kamura, pra për ata që në terma klasikë të kritikës ndaj kapitalizmit konsiderohen të shfrytëzuarit brenda mjediseve të punës (në këtë rast shkollës). Fat më të rëndë se këta ka pasur gjithmonë ushtria rezervë e të papunëve (të pamundurve për arsye ekonomike për të parë dyert e universiteteve), madje e të papunësueshmëve (lexo: të paarsimueshmëve), pra të atyre që as në fantazitë e veta më të shfrenuara nuk do ta shohin universitetin sepse ai, duke u shndërruar në fabrikë mallrash, do ta kushtëzojë hyrjen me pagesa që shkojnë drejt kostos, madje edhe fitimit. Kjo portë e lartë do të merrte alegorikisht formën e kundërt të portës së ferrit dantesk. Në këtë të fundit, ata që hynin duhet të braktisnin përfundimisht çdo shpresë. Në dyert e universiteteve tona të privatizuara konceptualisht, shpresën duhet ta braktisin përgjithmonë ata që mbesin jashtë, ngjashëm me fytyrat e lypësve që u shkon goja lëng përpara vitrinave të ëmbëltoreve luksoze.
Përkundër këtij kapitalistëzimi qëndron alternativa historike e arsimit si pasuri e përbashkët, si ngjizës i qytetarisë së emancipuar, të vetëdijes kritike dhe të formave të larmishme të solidaritetit shoqëror. Dhe ky arsim jo vetëm që nuk mund ta kushtëzojë përmes tarifave futjen në të, duke e parë si domosdoshmëri karakterin falas të tij, por njëlloj si në luftërat kundër sëmundjeve shfarosëse, apo analfabetizmit, duhet të nxisë përparueshëm gjithkënd t’u afrohet dyerve të tij. E meqenëse arsimi ka rolin kyç të ndërmjetësuesit dhe përcaktuesit relativ të fateve shoqërore, shkolonizimi i tij duhet parë si territori i parë i çliruar shoqëror që ndikon pashmangshmërisht përpjekjet për çlirimin e gjithanshëm të shoqërisë.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.
Karikatura nga Selim Veliu