/Arlind Qori/
Bunga-bunga nuk ka thjesht kuptimin e lodrave erotike të gaztorit të paarritshëm Silvio me “mbesat e Mubarakut”, por atë të shndërrimit të të drejtave më të paçmimta në mallra pazari: në rastin tonë jo të asaj të trupit, por të arsimit si vatër dijësuese-emancipuese. Kjo bunga-bungë së fundmi ka marrë emrin Strategji e Arsimit të Lartë 2013-2020, akronimi i të cilës për rreng psikanalitik na del SAL.
SAL-i ynë mbështetet në konceptimin e universitetit më një anë si rrip transmisioni i trinisë treg-shtet-shoqëri, e në tjetrën si biznes që prodhon mallra, i hedh në treg dhe nga sasia e shitjeve mban veten më këmbë. Për të, meqenëse arsimi duhet t’u përgjigjet nevojave të vendit, dhe nevojat e vendit i përcakton tregu, atëherë universiteti duhet t’i nënshtrohet tregut, duke prodhuar për tregun dhe duke u shndërruar vetë në ndërmarrje tregtare. (Madje aq fort duhet t’i ngjajë universiteti ndërmarrjes tregtare, saqë SAL-i lajthitet qesharakshëm deri në pikën ku rekomandon që në rekrutimin e trupës pedagogjike t’u jepet përparësi biznesmenëve. Pra, edhe pedagog, edhe sipërmarrës, madje sa më shumë sipërmarrës, aq më pak pedagog.)
Mirëpo harrohet se tregu nuk është aspak natyror, por i kushtëzuar nga situata historike, vendimmarrjet politike, gatishmëria e shoqërisë për ta mbështetur atë etj, dhe për pasojë ajo çka kërkon tregu sot nuk ka se si të përputhet domosdoshmërisht me nevojat e shoqërisë, të cilat mund të formulohen vetëm politikisht, pra në formën e një kolektiviteti të lirë, të barabartë dhe të organizuar. Përndryshe, strukturimi konkret i një shoqërie, në të cilën tregu kërkon me shumicë hyzmeqarë, kurtizane apo rrufjanë (në kuptimin e profesioneve), do ta shtynte universitetin në prodhimin e zanatçinjve të tillë. (Mos u habisni, pasi në ish-Antilet Hollandeze ka shkolla që përgatisin mushka njerëzore, pra transportues droge që kokainën e fshehin brenda trupit njerëzor). Meqenëse ideologjia sunduese e paraqet zhvillimin ekonomik si natyror, të rastësishëm, të cilin e rregullon veç dora e fshehtë, SAL-i mëton ta shndërrojë universitetin në fabrikë që prodhon zanatçinj që dinë të rregullojnë kompjuterët, të zhbllokojnë lavamanët, të flasin rrjedhshëm në gjuhë të huaj për të punuar call center-ave, apo të bëjnë marketing; duke shpërfillur kështu jo vetëm karakterin politik të strukturimit ekonomik, por, më rëndë akoma, pavarësinë e universitetit si koncept i vatrës kritike nga shteti dhe tregu. Se në fund të fundit, nëse zhvillimi duhet përkufizuar në aksh mënyrë, apo se si duhen ndërtuar marrëdhëniet shoqërore dhe politike, nuk buron nga dhuna ekonomike tregtare dhe shteti si mbrojtës i saj, por nga një popull i lirë, i barabartë dhe i arsyeshëm, cilësi këto me të cilat nuk lind askush, por që sendërtohen edhe nga institucionet arsimore. Veçse këto të fundit mund të farkëtojnë qytetarë të emancipuar vetëm atëherë kur dyert e tyre janë të hapura për të gjithë pavarësisht mundësisë për të paguar, dhe njëkohësisht ndikimi i dhunës së tregut dhe të shtetit mbi to është zero. Universiteti është vatër kritike, nga zjarri i të cilës nuk përjashtohet askush, dhe aq më pak ky zjarr nuk shpërfytyrohet duke u shndërruar në nxehës tiganësh që skuqin qofte (kupto: diploma) për të nxjerrë fitim, por përdoret për të djegur kritikisht gjithçka dhe gjithkënd.
Sidoqoftë, zemra e SAL-it tonë rreh te ndryshimi i skemës së financimit të universiteteve; pra kalimin e një pjese të fondeve shtetërore nga universitetet publike te diplomoret private. Meqenëse arsimin nuk e konsiderojnë më si të drejtë për dije, por si mall që ka çmim dhe çmimi duhet të mbulojë koston, atëherë shkollimi universitar shndërrohet edhe formalisht në shkollim klasor, duke e bërë universitetin, si në shoqëritë paramoderne, privilegj të të paktëve me mundësi financiare. Ah po, SAL-i jep zgjidhje edhe për fukarenjtë: kreditë. Pra meqenëse shteti merr përsipër të mbulojë gjithnjë e më pak pjesë të shkollimit tënd, për shkak se duhet mbuluar një pjesë e tarifës së diplomoreve private, atëherë zgjidhja është të hysh në borxh; çka jo vetëm që do të të rëndojë ekonomikisht në një kohë kur gjetja e punës dhe mirëpagimi janë ëndrra në diell, por njëkohësisht si çdo borxhli, do të të mbajë të varur, të pazë, kokulur e të paangazhuar në çështje politiko-shoqërore. Madje për SAL-in tonë, shteti, edhe në mbuloftë ndonjë pjesë të tarifës studentore, që sot e tutje as që ka ndër mend të mbulojë studimet e nivelit të dytë e të tretë (master, doktoratura etj), madje s’do të hedhë as edhe një qindarkë për mbulimin e pjesshëm të kostove të jetesës së studentëve, p.sh. konvikte, mensa etj. Prandaj, po s’ju ka rënë lotaria natyrore që të lindnit në Tiranë, të keni babin drejtor partiak apo gangster qyteze, harrojeni universitetin! Ndërsa ju që doni shkollim universitar përtej bazikut, ju të lajthitur që doni të merreni me shkencë, ju që s’doni ta nisni dhe ta bitisni jetën si zëra të ëmbël call center-i, mbajini vetë në kurriz kostot, se shkenca është shpengim aristokrat dhe jo domosdoshmëri shoqërore!
Sigurisht që SAL-it nuk i mungon fare cipa për ta thënë troç që thjesht i duhet të mbajë me para diplomoret private. Prandaj skemën e justifikon publikisht duke pretenduar se fondet ndjekin studentin. Pra, në varësi të numrit të studentëve të regjistruar, sigurisht mbi ndonjë farë pragu pikësh të maturës shtetërore (të katandisur si mos më keq), universitetet publike ose private do të përfitojnë fonde shtetërore. Rrengu propagandistik me dukjen demokratike të lirisë së zgjedhjes qëndron në faktin se diplomoret private, në shumë raste të ndihmuara bujarisht nga shteti me godina të privatizuara apo të marra me qira për një kacidhe, kanë përparësi të konsiderueshme infrastrukturore. Në fund të fundit ato u marrin studentëve disa-fish më shumë sesa universitetet publike, të cilat vuajnë prej vitesh nënfinancimin shtetëror, e për pasojë gjendjen problematike të hapësirave universitare. Po ashtu, regjistrimi i studentëve kushtëzohet nga përshtypja që ata krijojnë më parë për universitetet, dhe këtu diplomoret private, si të regjura në punë komerciale, kanë vite që ndajnë hapësirën reklamore televizive me biskotat, birrat dhe prezervativët. Për të mos përmendur fushatat gjysmë të errëta të reklamimit të drejtpërdrejtë nëpër gjimnaze, edhe brenda orës së mësimit. Njëkohësisht, në një shoqëri të strukturuar në atë mënyrë ku shumëkush beson se më shumë i vlen një copë diplomë sesa dija, diplomoret private do të bëhen magnet edhe më i papërballueshëm. Madje edhe renditja e universiteteve, si kriter i shpërndarjes së fondeve, do të kushtëzohet nga vlerësimi i vetë studentëve, duke i vendosur këta të fundit në dilemën: a të them të vërtetën duke e bërë diplomën time nga institucioni ku studioj më të pavlerë, apo ta bëj fushë me lule se kështu ia rris të famshmen konkurrueshmëri copës së kartonit që marr në fund?!
Prit do të gjegjej SAL-i, se që një diplomore private të hyjë në garë për fonde publike duhet të akreditohet dhe ta ndërrojë statusin në institucion jofitimprurës. Madje që akreditimi të fitojë besueshmëri publike, agjencinë akredituese do ta ndihmojnë ekspertë ndërkombëtarë(!) Në fjalorin e kritikës së ideologjisë, këta të fundit zënë vendin e Subjektit që hamendësohet se di. Pra, pavarësisht faktit se realisht askush nuk di asgjë, se të gjitha reformat katastrofike kanë pasur nga një bekues ekspertor të përtejdetit, se edhe vetë përtej detit ekspertët s’dinë më ç’të thonë pasi kriza dhe katastrofa ndihet kudo, këtu, në atdheun tonë kreshnik, të qenit ekspert ndërkombëtar garanton riprodhimin ideologjik duke sendërtuar Subjektin që hamendësohet se beson, domethënë popullin në formën e publikut të pashqueshëm. Pra ekzistenca e ekspertëve, megjithëse nuk besohet personalisht nga askush, i krijon bindjen secilit më vete se të gjithë të tjerët, ndryshe nga ai, e besojnë këtë përrallë. Kështu që nuk duhet bërë zë për të mos dalë si leshko para leshkove të hamendësuar. Ndërkohë që kalimi në status jofitimprurës është aq vulgar, saqë do të mjaftonte për ta shkërmoqur vetëm fakti se do të përbënte risi globale lobimi konstant i sipërmarrjeve fitimprurëse për t’u kthyer në institucione jofitimprurëse me qëllim dijen për të përfituar fonde shtetërore. Pastaj, në këtë vendin tonë të dashur, kush s’do t’i rregullonte kartat brenda natës për ta fshehur fitimin si shpenzim të domosdoshëm për mbarëvajtjen e aktivitetit?! Sundimtarëve dhe ideologjisë së tyre nuk u duhet dhënë dekorata e të qenit mashtrues inteligjentë. Qëllimi vulgar prodhon dhe prodhohet nga arsyetimi vulgar.
P.S. Margaritari i fundit i SAL-it tonë është futja e duarve të qeverisë apo parlamentit në zgjedhjet universitare. Tashmë që rektori, punëdhënësi i trupës pedagogjike, nuk do të zgjidhet drejtpërdrejt nga pedagogë e studentë, por nga një bord, sipas gjasave i emëruar politikisht, me përbërje gjithnjë e më të madhe biznesmenësh, lasciate ogne speranza, voi ch’entrate!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.