/Arlind Qori/
Qëllimi: Sindikalizmi është pjesë e lëvizjeve dhe formave të larmishme organizative punëtore. Ky parashtrim synon të specifikojë vendin e veçantë që kanë lëvizjet sindikale brenda lëvizjeve dhe organizimeve punëtore, marrëdhëniet midis tyre, dhe brenda vetë sindikalizmit të analizojë format e ndryshme që mund të marrë kjo lëvizje, si nga pikëpamja e synimeve shoqërore dhe politike, ashtu edhe nga ajo strategjike.
Domethënia shoqërore dhe politike e punëtorëve: Karakteristikë e të gjitha lëvizjeve punëtore, edhe e sindikalizmit brenda tyre, është theksimi i rolit të punëtorëve në shoqëri si prodhues të mirash dhe të shfrytëzuar apo të patrajtuar siç duhet nga institucionet shoqërore dhe politike. Po ashtu, të gjitha lëvizjet punëtore i përkufizojnë punëtorët në shumës, domethënë si klasë me tipare, interesa dhe pritshmëri të përbashkëta, dhe jo si individë të veçuar që rastësisht gjenden brenda të njëjtit gardh. Njëkohësisht, të gjitha lëvizjet punëtore e shohin organizimin punëtor si kusht të domosdoshëm të përparimit të të drejtave dhe interesave të klasës punëtore. Dallimet midis lëvizjeve të ndryshme punëtore kanë të bëjnë me konceptimet e ndryshme të të drejtave punëtore, rolit të punëtorëve në shoqëri, marrëdhënies së tyre me shtetin dhe sistemin ekonomik (historikisht dhe aktualisht kapitalizmin) dhe mjeteve e formave të rezistencës.
Marrëdhënia me kapitalizmin: Megjithëse origjina e lëvizjeve dhe organizimeve punëtore daton që në lashtësi (Egjipt, greva e parë; Romë, shkëputja plebease; Mesjetë, esnafet), ato zhvillohen tërësisht bashkë me përparimin e sistemit ekonomik kapitalist. Me strukturimin kapitalist të shoqërisë ndryshojnë lloji i punës, format e organizimit të saj, marrëdhëniet midis pronarëve të mjeteve të prodhimit dhe punëtorëve, dhe mbi të gjitha punëtorët gjenden numerikisht më të shumtë në vendet e punës dhe me mundësi më të mëdha organizimi. Problematika dhe marrëdhënia me kapitalizmin ndryshon nga njëra lëvizje punëtore tek tjetra: nga refuzimi i kapitalizmit si sistem shfrytëzues dhe i pareformueshëm deri te tentativa për të gjetur zgjidhje për problemin punëtor brenda suazës së kapitalizmit; nga konsiderimi i punëtorëve si të robëruar që duhen çliruar deri tek ai sipas të cilit problemi punëtor lidhet me keqpagimin dhe cilësinë e kushteve në punë.
Konceptimi i klasës punëtore: Megjithëse të gjitha lëvizjet punëtore i japin përparësi klasës punëtore, roli i tyre në shoqëri konceptohet në mënyra të ndryshme në varësi të mënyrës se ç’qëndrim mbahet ndaj sistemit kapitalist. Kur kapitalizmi vihet në dyshim si sistem dhe nuk pranohet mundësia për ta ndryshuar brenda suazës së vet, klasa punëtore nuk shihet si njëra prej disa klasave në shoqëri, por si klasa e fundit për nga mundimet dhe shfrytëzimi dhe e para për nga mundësia për të çliruar jo vetëm veten, por gjithë shoqërinë. Në këtë kontekst, klasës punëtore i jepet roli emancipues universal që përmes çlirimit të vetes nga shfrytëzimi dhe pabarazia, të çlirojë edhe mbarë shoqërinë nga të gjitha padrejtësitë serioze brenda saj. Një konceptim i tillë kushtëzon edhe mjetet e rezistencës punëtore ku përparësi u jepet veprimeve që synojnë shkatërrimin e kapitalizmit për të ndërtuar një shoqëri të re (socialiste, komuniste, anarkiste etj). Në këndvështrimin e dytë, klasa punëtore, megjithëse konsiderohet si më e madhja dhe e rëndësishmja në shoqëri, nuk merr përsipër emancipimin e shoqërisë, por përparimin relativ të të drejtave dhe interesave të punëtorëve. Kësisoj, klasa punëtore konsiderohet si njëra nga disa klasat shoqërore dhe roli i organizatave punëtore është të negociojë me klasat e tjera përparimin e punëtorisë. Sipas kësaj qasjeje, sistemi kapitalist mund të reformohet së brendshmi përmes rezistencës dhe luftës sindikale.
Partitë punëtore: Specifikë e partive punëtore është fakti se ato i përfaqësojnë vullnetin, të drejtat dhe interesat e punëtorëve në rrafsh politik. Ato mbështeten kryesisht te klasa punëtore, megjithëse mbrojnë edhe interesa të grupeve të tjera shoqërore të afërta me punëtorët, ose mbarë shoqërisë. Në varësi të konceptimit të kapitalizmit, partitë punëtore ndahen në revolucionare dhe reformuese.
- Partitë punëtore revolucionare: Për këto parti, sistemi kapitalist jo vetëm i përkeqëson kushtet e jetesës dhe të drejtat e punëtorëve, por përmes shfrytëzimit të vazhdueshëm të tyre edhe i tjetërson dhe i lë prapa ata shoqërisht, kulturalisht etj. Po ashtu, problem parësor i klasës punëtore nuk është vetëm keqpagimi apo kushtet në punë, por njëkohësisht edhe ndarja e punëtorit nga mjetet e prodhimit, dhe për pasojë sundimi i tij në qendrën e punës nga pronarë të cilët padrejtësisht zotërojnë këto mjete. Meqenëse kapitalizmi konsiderohet si i pashërueshëm, ato synojnë kapërcimin e tij dhe ndërtimin e një shoqërie të re (të quajtur sipas rastit socialiste, komuniste, anarkiste etj). Vetë partitë punëtore revolucionare ndahen mes tyre për sa i përket mjeteve të realizimit të revolucionit, ku herë i jepet përparësi revolucionit apo kryengritjes së armatosur, herë grevës së përgjithshme bllokuese deri në dorëzim të sistemit, dhe herë përmes përdorimit të parlamentarizmit. Historikisht brenda këtij grupi janë vendosur partitë komuniste, organizatat anarkiste, partitë social-demokrate (deri diku nga mesi i shekullit XX) etj. Për këto parti, roli i sindikatave si organizata ekonomike punëtore është brenda këtyre, si shtytëse e luftës politike në rrafshin ekonomik brenda qendrave të punës. Për to, arritjet e pjesshme të lëvizjes sindikale nuk kanë vetëm rëndësi në vetvete, por shërbejnë si shteg për përmbysjen e kapitalizmit dhe jetësimin e një shoqërie të lirësh dhe të barabartësh. Pas revolucionit, sindikatat shndërrohen në këshilla punëtore, të cilat me zhdukjen e shtetit marrin edhe rolin e vendimmarrësit të vetëm politik.
- Partitë punëtore reformuese: Ndryshe nga partitë revolucionare, ato reformuese nuk i kushtojnë rëndësi parësore tjetërsimit dhe çnjerëzimit të punëtorëve në kapitalizëm, por theksojnë interesat e tyre të drejtpërdrejta për paga më të larta, kushte më të mira pune, zhvillim të ngadaltë kulturor e arsimor etj, dhe mbi të gjitha ato mbajnë një qëndrim negociues-pajtues me kapitalizmin. Po ashtu, për partitë reformuese zhveshja e punëtorit nga pronësia mbi mjetet e prodhimit nuk përbën kusht të domosdoshëm të emancipimit punëtor. Për to punëtorët nuk janë edhe aq cilësisht të shfrytëzuar, sesa materialisht dhe shoqërisht të keqshpërblyer. Për të përparuar të drejtat dhe interesat punëtore ato preferojnë rrugët institucionalo-parlamentare dhe negocimin me përfaqësuesit e grupeve të tjera shoqërore (biznesit etj). Historikisht një pozicion i tillë është përqafuar nga partitë social-demokrate (prej gjysmës së dytë të shekullit XX), partitë neolaburiste, të rrugës së tretë etj. Marrëdhënia e këtyre partive me lëvizjet sindikale është më autonome, dhe ku qëllimi i lëvizjeve sindikale për kushte dhe paga më të mira në rrafshin ekonomik shoqërohet me përpjekjet e partive të mësipërme për hartimin e ligjeve dhe vendimeve që i mundësojnë këto kërkesa politikisht.
Anarkosindikalizmi: Qëllimi i lëvizjeve anarkosindikaliste është shkatërrimi i kapitalizmit si sistem shfrytëzues dhe ndërtimi i një shoqërie të vetorganizuar, pa shtet dhe pronë private mbi mjetet e prodhimit, mbi bazën e bashkimeve punëtore. Anarkosindikalizmi ndan me partitë revolucionare qëllimin antikapitalist, por jo mjetet e realizimit të këtij qëllimi dhe mbi të gjitha jo format e ardhshme të organizimit shoqëror dhe politik. Megjithëse e pranon mundësinë e revolucionit të armatosur, anarkosindikalizmi i jep një rol të veçantë grevës së përgjithshme, përmes të cilës, duke bllokuar për ditë me radhë funksionimin ekonomik të shoqërisë, shteti dhe kapitalizmi do të mposhtet duke i lënë rrugë të lirë vetorganizimit punëtor. Që në fazën e rezistencës, anarkosindialistët i kushtojnë rëndësi të veçantë organizimit horizontal punëtore sipas parimeve të demokracisë së drejtpërdrejtë. Prej celulave më të vogla punëtore deri te federatat apo konfederatat punëtore, vendimet respektojnë pjesëmarrjen e të gjithëve dhe vullnetin e shumicës, dhe funksionarët vendosen përmes zgjedhjeve të revokueshme në çdo rast (ku i zgjedhuri mund të shkarkohet menjëherë nga zgjedhësit). Kjo formë vetorganizimi demokratiko-i drejtpërdrejtë u shërben anarkosindalistëve edhe si formë e organizimit politik paskapitalist dhe passhtetëror. Për anarkosindialistët shteti është po aq shfrytëzues dhe tjetërsues sa kapitalizmi dhe me zhdukjen e njërit, duhet zhdukur njëkohësisht edhe tjetri. Prandaj vendin e shtetit do ta zënë këshillat, federatat dhe konfederatat punëtore pa nevojën e një burokracie shtetërore. Po ashtu, në sferën ekonomike, po të njëjtat struktura do të kenë në pronësi të përbashkët mjetet e prodhimit (uzina, fabrika, tokë, etj) dhe do të vendosin bashkërisht për prodhimin, shpërndarjen e tij, ndarjen e detyrave etj.
Sindikalizmi: Sindikalizmi i përshtatet më shumë karakterit të lëvizjeve punëtore reformuese. Pavarësisht se e konsideron kapitalizmin si sistem ekonomik ku të drejtat dhe interesat e punëtorëve nëpërkëmben, sindikalizmi i qëndron idesë se përmes formave të larmishme të organizimeve dhe resistencës kapitalizmi është i reformueshëm në të mirë të klasës punëtore. Njëlloj si partitë reformuese, sindikalizmi nuk e konsideron zhveshjen e punëtorëve nga pronësia mbi mjetet e prodhimit si kusht të emancipimit punëtor. Ndryshe nga partitë reformuese, fushëbeteja e sindikalizmit nuk është sfera politike (zgjedhjet politike, parlamenti etj), por sfera ekonomike. Po ndryshe nga të mësipërmet, sindikalizmi i grupon punëtorët në bazë të qendrës së punës, profesioneve apo edhe më gjerë duke përfshirë krejt klasën punëtore, por pa përfaqësuar interesat e grupeve të tjera shoqërore afër vetes.
- Qëllimet specifike të sindikalizmit: Përparimi i të drejtave dhe interesave punëtore ka kaluar historikisht nëpër disa nyje. Kërkesa specifike më e kudogjendur e sindikalizmit është kontrata kolektive. Përmes kontratës kolektive, punëtorët shndërrohen nga individë të pafuqishëm përballë pronarit në kolektiv që mund të ushtrojë vullnetin e vet dhe të ketë zë të fortë në përcaktimin e kushteve të punës, formave të saj, pagës dhe përfitimeve të tjera.
- Përmbajtja e kontratës kolektive ka për synim strategjik fuqizimin e sindikalizmit dhe integrimin e të gjithë punëtorëve brenda organizimit sindikal. Katër format kryesore të saj janë: 1. Ndërmarrja e mbyllur (closed shop) arrihet atëherë kur sindikata i imponon pronarit përmes kontratës kolektive që të punësuarit të jenë medoemos pjesë e organizatës sindikale. Duke pamundësuar punësimin e punëtorëve pa vullnet organizimi sindikal, sindikata fuqizon unitetin punëtor dhe i paraprin grevëthyerjeve. 2. Ndërmarrja e bashkimit të mëvonshëm (union shop) ndodh kur pronari mund të punësojë punëtorë të paorganizuar sindikalisht, por ata kanë detyrimin që brenda një afati të mirëpërcaktuar kohor të bëhen pjesë e sindikatës. 3. Ndërmarrja agjenci ndodh atëherë kur pronari ka të drejtë të punësojë punëtorë të paorganizuar sindikalisht. Këta të fundit nuk kanë detyrimin për t’u anëtarësuar në sindikatë, por kanë atë të pagesës së një kuote financiare për shërbimet që sindikata u ofron në negocimin e kontratës kolektive dhe të tjera të drejtave që fitohen pa pjesëmarrjen e tyre. 4. Ndërmarrja e hapur ndodh atëherë kur secili punëtor zgjedh nëse do të jetë ose jo pjesë e organizimit sindikal. Kjo është alternativa më e keqe për punëtorët pasi tërthorazi pronari mund të ushtrojë presionin e tij për mosanëtarësim në sindikatë, për përçarjen e saj dhe për grevëthyerje në rastet më serioze.
- Për të përparuar të drejtat dhe interesat e punëtorëve sindikatat mbledhin kuota anëtarësie apo krijojnë fonde të cilat i përdorin për t’u dhënë punëtorëve në nevojë ndihmë ligjore, mbështetje ekonomike në grevë, mbështetje në raste sëmundjesh apo aksidentimi etj. Po ashtu, sindikatat punojnë edhe për emancipimin shoqëror dhe kulturor të punëtorëve duke hapur biblioteka punëtorësh, organizuar kumtesa teorike dhe veprimtari të tjera kulturore. Njëkohësisht sindikatat kanë edhe organet e tyre të shtypit përmes të cilave ndërgjegjësojnë nga pikëpamja klasore dhe mobilizojnë punëtorët.
Greva: Mjeti më i fortë dhe i suksesshëm i lëvizjeve sindikale është greva. Ajo përdoret zakonisht përpara hartimit të kontratës kolektive, për ta kërkuar atë si domosdoshmëri dhe për ta formuluar në atë mënyrë që shkon në interes të punëtorëve. Meqenëse interesi i pronarit është gjithmonë të parandalojë grevat, atëherë greva fillestare ka si synim bazik pikërisht lejimin e grevës si formën kryesore të rezistencës dhe përparimit të kërkesave. Kur greva organizohet pa miratimin formal të sindikatës atëherë quhet grevë e pakontrolluar (wildcat strike).
- Piketat: Meqenëse ndodh rrallë që vendimi për grevë të mbështetet nga të gjithë punëtorët, dhe për shkak se presioni i pronarit është i kudogjendshëm, organizatorët e grevës përdorin piketat në hyrje të vendit të punës dhe grevës. Piketat synojnë pikërisht ndalimin e rifillimit të punës në rast vendimi për grevë. Format kryesore të piketave janë: 1. Piketa informuese kryhet nga një grup punëtorësh dhe ka për qëllim informimin e punëtorëve të tjerë dhe publikut të gjerë për çështjet që i shqetësojnë më shumë konkretisht punëtorët dhe për arsyet e grevës. Ajo synon që përmes bindjes të shmangë grevëthyesit 2. Piketa masive ka për synim të sjellë në vendin e piketimit sa më shumë njerëz me qëllim që të tregojnë solidaritet maksimal me grevistët. Për shkak të numrit të madh të piketuesve, kjo formë pikete mund të përdoret edhe si bllokim fizik i hyrjes së punëtorëve grevëthyes në vendin e punës. 3. Piketa dytësore nuk synon bllokimin e hyrjes në vendin e punës, por atë të funksionimit të subjekteve veprimtaria e të cilave është jetike për mbarëvajtjen e punës në ndërmarrje. Këto subjekte mund të përfshijnë furnizues të jashtëm, dyqane me pakicë që shesin mallrat e prodhuara nga ndërmarrja kryesore, shtëpitë e pronarëve ose menaxherëve të ndërmarrjes etj. 4. Piketimi përçarës ka si veçori përdorimin apo kërcënimin e përdorimit të forcës si formë presioni ndaj grevëthyesve, menaxherëve, pronarëve apo klientëve të ndërmarrjes.
- Forma të tjera të grevës: 1. Greva në ndenjje (sit-down strike) ndodh atëherë kur punëtorët e zaptojnë vendin e punës, por refuzojnë të punësojnë, duke ndenjur të përpara makinerive. 2. Greva në punë e sipër (work-in strike) ndodh atëherë kur punëtorët e zaptojnë vendin e punës, vazhdojnë të punën, por refuzojnë të marrin urdhra dhe pagë. Përmes saj ata duan të tregojnë, sidomos atëherë kur propozohen shkurtime të vendeve të punës, se puna e tyre është ende e vlefshme, madje edhe se vetadministrimi punëtor është i mundshëm dhe i preferueshëm.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.