/Arlind Qori/
Evropën e has kudo, jo vetëm kur bie fjala tek integrimi në Bashkimin Evropian. Ajo përdoret për të folur për lirinë, kapitalizmin, tregun, meritën, demokracinë, qytetërimin, identitetin, mirësjelljen, drejtësinë sociale, përgjegjësinë e kështu me radhë e pa fund. Në këtë kuptim, shënjuesi Evropë luan rolin e pikës nyjore që qep ligjërime politike të shumëllojshme.
Mirëpo domethënia e saj është kontradiktore. Në njërën anë i shërben ideologjizimit të ligjërimit politik, në kuptimin e ndërtimit të një “common sense”-i që ndihmon riprodhimin e formacionit shoqëror në fuqi (në rastin tonë kapitalist). Kurse në tjetrën, afërmendsh në pozicion margjinal, mbart një potencial utopik, aktualizimi i të cilit i ndihmon kritikës së ideologjisë, subversionit të aparateve politiko-ekonomike sunduese dhe hapjes së imagjinares kolektive të ndërtimit të një shoqërie të re.
E nisim nga ideologjia. Në këtë trajtesë nuk bën sens që ta përkufizojmë në mënyrën e thjeshtë, që përdoret zakonisht në shkencën politike analitike: si mendim politik sistematik dhe i thjeshtëzuar që shërben si udhërrëfyes i ristrukturimit politik të shoqërisë. Në këtë kuptim, ideologjitë i bie të jenë shumë dhe shërbejnë si kulluese të filozofive politike madhore. Ideologjia, në rastin tonë, do të përkufizohet si një tërësi ligjërimesh jo detyrimisht koherente dhe sistematike në sensin e ngushtë teorik, por të koherentizuara e sistematizuara performativisht: domethënë, që koherencën dhe sistematicitetin e ndërtojnë rrugës si rezultat i përsëritjes së mesazheve të pranëvendosura nga aparatet ideologjike. Kësisoj, ideologjia krijon një përfytyrim unik të së përbashkëtës, natyralizon atë që është historike, bën kontingjente të domosdoshmen dhe ndërton subjekte nga të cilat pritet sendërtimi i saj dhe subjekte penguese të saj. E gjitha kjo në funksion të riprodhimit të mënyrës sunduese të prodhimit brenda një formacioni shoqëror klasor.
Utopia, nga ana tjetër, është koncept kundërthënës. Në njërën anë, ajo i hyn në punë ideologjisë si pikëmbërritje apo si justifikuese e mjeteve për hir të qëllimit final. Mirëpo, në dimensionin e vet radikal, ajo e përball ideologjinë me premtimet e veta të pambajtura, çka e gërryen nga brenda këtë të fundit. Sidomos si zgjerim, nganjëherë edhe i dhunshëm, i kufijve të së mundshmes (në kuptimin e të mundshmes që duket e pamundshme vetëm nga këndvështrimi i ngushtë hegjemonik i të sotmes), utopia u jep frymë formave të reja të rezistencës dhe institucioneve shoqërore e politike alternative.
Mund të duket paradoksale, por fillesat e idesë së Evropës në ligjërimin politik bashkëkohor shqiptar i ruajnë asaj një rol utopiko-subversiv. Më 1991-1992, e famshmja “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” ishte thirrja përbashkuese e gjithkujt që donte t’i jepte dërrmën burokracisë së vjetër (me ngjyra socialiste), të cilës i kishin rënë dhëmbët despotikë. Atë nuk e thërrisnin vetëm studentët e intelektualët, të cilëve u vinte ngushtë në botëkuptim dhe stil jetese regjimi i vjetër, por mbi të gjitha punëtorët, të cilët aspironin një shoqëri të begatë e pa çekanin burokratik mbi krye. Ajo mbartte kumte të ndryshme, edhe kontradiktore. Në aspektin e vet dominues ishte një shënjues zëvendësues i komunizmit, duke marrë, qoftë edhe pavetëdijshëm, gjithë ç’kish emancipuese në të dhe e jetësuar në kushtet e reja historike. E shoqëruar me kritikën e ashpër të privilegjeve të “Bllokut” – burokracisë socialiste – ajo e ballafaqonte këtë të fundit me premtimet e veta të pambajtura, me tradhtinë ndaj idesë së saj themelore. Evropa përfytyrohej jo vetëm si një vend për ku duhet t’ia mbathnim, por si një ide që mund ta jetësonim këtu. Si një jovend (u-topos) që mund të bëhet vend. E ky jovend përziente kundërthënshëm barazinë e socializmit me begatinë e Evropës. Pra kalimin nga “të gjithë të barabartë në varfëri” në “të gjithë të barabartë në begati”; ose nga “të gjithë të barabartë në robëri” në “të gjithë të barabartë në liri”; nga paqja e varrezave e diktaturës në paqen vitale të demokracisë radikale.
Fatkeqësisht, historia nuk është përrallë ku, pas konflikti final, personazhet – populli në këtë rast – jetojnë të lumtur e të gëzuar. Despotizmit burokratik (me ngjyra socialiste) ia zuri vendin një formacion shoqëror kapitalist, tëpkë siç merr formë kapitalizmi në shumicën dërrmuese të vendeve të botës (në periferinë e sistemit-botë kapitalist). Diferencimi klasor, në fillim i ngadaltë, nisi të përshpejtohej sidomos në mijëvjeçarin e tretë. U kthye në hendek e pastaj në humnerë klasore. Prej kohësh ideja e Evropës e kishte humbur dimensionin e vet utopiko-subversiv dhe ishte kthyer në ideologji. Ajo përdorej nga pushtetarët politikë si justifikuese teleologjike e varfërisë dhe tëhuajësimit shoqëror. “Duhet të sakrifikojmë dhe presim me durim” – dukej sikur na thoshin – “se vetëm kështu, duke përshkuar luginën e lotëve, mund të arrijmë parajsën e premtuar evropiane.” “Kjo që ju duket vjedhje apo padrejtësi shoqërore, në fakt nuk është ashtu. Edhe në Evropë kështu ndodh.” “Integrimi kërkon reforma standarde, paçka se kjo do të thotë më pak bukë, punë, arsim e pasuri publike.” “Privatizojmë e privatizojmë, e kur nuk privatizojmë dot deri në fund koncesionojmë, se kështu na e kërkon BE!” – janë veç pak shembuj të artikulimit ideologjik të shënjuesit Evropë në ligjërimin politik shqiptar.
Intelektualët, sakaq, nuk mbeten hiç prapa. Përkundrazi, me shënjuesin Evropë luajnë luftëra qytetërimore që do t’i kishte zili edhe Samuel Huntington-i. Evropa, në këndvështrimin e tyre, është vendi i një qytetërimi sipëror: bartësja e idealeve të përkora të demokracisë, të drejtave të njeriut, shtetit ligjor, filozofisë, arti, krishterimit… flokëve të verdhë e ku ka më mirë. Ne, pastaj, si shqiptarë vendosemi ose në zanafillë të Evropës, ose si mbrojtësit e saj mesjetarë, ose si fëmijët e saj të humbur nga aksidentet historike të shekujve të fundit. Këtu ngre kokën edhe ideja e një subjekti parazitar e armiqësor, që qëndron midis nesh, por nuk është si ne. E atij që nuk mund të marrë frymë pa prishur udhën e shtruar me gurët e artë të Historisë (me h e madhe teleologjike) të shqiptarëve drejt Evropës. Ai është myslimani që iu shit turkut, komunisti që iu shit serbit e gjithkush tjetër që iu dha dreqit vetëm e vetëm që të pengonin rrugëtimin mitik. Ata dukeshin si shqiptarë, por nuk mund dhe nuk ishin të tillë përderisa punonin kundër Evropës. Të gjithë këta pretendohet se na kanë larguar nga e fortëndërruara Evropë sidomos nëpërmjet sajimit dhe fryrjes së konflikteve të brendshme, që i quajnë vëllavrasëse (motërvrasëse jo, se fundja kush ka kohë për gratë?!). Të mendosh se historia, sidomos në shoqëritë klasore, përshkohet nga kontradikta shoqërore konsiderohet… në fakt nuk konsiderohet fare. As që mendohet. Kombi a populli përfytyrohen si një unitet organik i diferencuar së brendshmi, ku këmbët luajnë funksionin e këmbëve dhe koka të kokës. Kështu koka i drejton këmbët drejt plotësimit të aspiratës së të gjithëve: ku koka bashkohet me kryekokën evropiane, kurse këmbët shtrihen sa gjerë gjatë në trotuaret evropiane.
Ka edhe më. Evropa përfytyrohet si një e vetme, pa kontradikta të brendshme (maksimumi e kërcënuar nga “barbarët” që kapërcejnë telat e saj me gjemba të trëndafiltë). Ajo është Evropa e burrështetasve (prapë burra, ndonëse pa mustaqe), e yjeve të kinemasë intelektuale, e biznesmenëve filantropë, e atyre që nuk shkelin barin. Madje edhe e revolucionarëve që, kur u mbushet mendja të pushtojnë stacionin hekurudhor, nuk harrojnë që paraprakisht të blejnë nga një biletë treni. Kjo është Evropa e fisnikëve dhe borgjezëve dhe, në rastin më të mirë, e mikroborgjezisë teknike të bankave, firmave të software-it dhe agjencive të marketingut. Në të nuk kanë ekzistuar kurrë lufta e klasave, revoltat fshatare apo tentativat revolucionare të punëtorisë. Edhe në u përmendshin ndonjëherë, ato konsiderohen si vickla trazovaçësh, kur nuk janë konspiracione masonësh. Në Evropën e sotme të rinjve nuk ua ha shpirtin statusi i prekariatit (proletarit me punë të pasigurt dhe të zhvazhdueshme), as të varfëve nuk ua vështirëson jetën zbythja e shtetit social. Lere më të mendohet imperializmi i fuqive të saj në histori. Jo jo, historia është karamele. Nga ato që mezi presin të kërcejnë në gojën tonë.
Evropa, po ashtu, është Tjetri që supozohet se di gjithçka. Di edhe se si do të bëhemi ne si ajo. Prandaj na sheqeros me progres-raporte e pasarela ambasadorësh. Ajo do të na bëjë si vetja, sikur ne të mos ishim ky popull i papjekur që vazhdojmë të jemi (për faj të osmanëve, serbo-grekëve e komunistëve domosdo). Ama ajo mbetet bujare. Ja edhe ca privatizime, reforma në drejtësi e një palë zgjedhje të pakontestuara dhe ia arritëm.
Po Evropa nuk është vetëm kaq. Është edhe e kundërta e sa më sipër. Fundja shënjuesi nuk është ideologjik apo subversiv në vetvete. I këtillë apo i atillë bëhet në varësi të mbushjes me përmbajtje, subjekteve që e përdorin dhe raportit me formacionin shoqëror në fuqi. Jo më kot e quajnë shënjues pluskues. Ja për shembull, në kuptimin më të thjeshtë subversiv, Evropa është jashtëvendi drejt të cilit mësyjnë mijëra shqiptarë çdo vit, në shenjë proteste individuale dhe të pazëshme ndaj mungesës së punës dhe të drejtave shoqërore. Është po ashtu tingëllimi gjithnjë e më i fortë i kambanës së tradhtisë së premtimeve themeltare të regjimit të sotëm. “Premtuat begati për të gjithë? Prodhuat luks për të paktët e varfëri për të shumtët. Atëherë në emër të idealeve të vjetra, politikanë e megabiznesmenë në kosh të historisë! Si anëtarët e dikurshëm të Komitetit Qendror.”
Por mbi të gjitha është burimi i frymëzimit të atyre që fuqizojnë jetën përmes rezistencës. Frymëzim që nuk vjen nga Evropa si një e tërë, se nuk ka një Evropë. Frymëzim nga ata që luftojnë brenda Evropës jo vetëm për një Evropë më të mirë, por edhe për një botë më të drejtë. Nga studentët e zaptimeve universitare, punëtorët e grevave, feministët e ekologjistët, intelektualët e mendimit kritik, grupimet e shumëllojshme që ndeshen e rezistojnë, krijojnë e bashkëfuqizohen e deri te tifozët e Borusias së Dortmundit që, në kulmin e agjitimit racist, u thoshin refugjatëve: “Mirë se vini!” Është Evropa e atyre që nuk e mendojnë veten thjesht si evropianë, por si qytetarë të shumëfishtë: të vendit të tyre, të Evropës dhe të botës njëkohësisht, ku sa më shumë të shtrihesh në botë, aq më shumë forcë merr e drejta. Është Evropa që vetëdijshëm i hap kufijtë e vet, hyn dhe e lë botën të hyjë brenda saj, nuk vendos hierarki midis vetes dhe botës me shpresën që, në fund të (para)historisë, njeriu nga njeriu të mos dallojë më prej të drejtave, por vetëm prej mendimeve, shijeve, mënyrës së jetesës e të gjitha këtyre vogëlsirave të rëndësishme. Kjo është utopia për të cilën ia vlen dhe është e mundur të luftohet.
Imazhi: Marco Monetti/Flickr
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).
Cila është mënyra për t’i bërë bashkë në një vend njëkohësisht, punëtorë, feministë, kritikë intelektualë e të tjerë që në parim, dhe jo vetëm, i bashkon rezistenca?
Sepse për mua reagimi dhe rezistenca e secilit grup veç e veç nuk problematizon mjaftueshëm.
Te gjitha grupet e siperpermendura kane te perbashket “armikun”, pra sistemin shoqeror qe prodhon diku shfrytezim, diku shtypje e diku tjeter diskriminim e tehuajesim. Gjithsesi nuk mjafton kaq per te pasur nje front rezistence. Duhen gjetur menyra – si teorikisht, ashtu edhe prej veprimtarise praktike – qe te prodhohet nje program minimal qe synon t’u jape pergjigje te gjitha problemeve te mesiperme.