/Arlind Qori/
Disa muaj pas ardhjes në pushtet, nazistët e shpallën 1 Majin festë, ditën kur populli gjerman do të nderonte dhe festonte bashkë me punëtorët. Bashkë me homonimin socialist/punëtor të emrit të NSDAP-it (Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei), ky fakt ende mbush zemrat e legjitimistëve të shtypjes bashkëkohore duke hedhur në kurriz të së majtës revolucionare edhe britmat hitleriane, sikur të mos mjaftonin gjëmat staliniste. Pa i hyrë shpjegimit historik mbi arsyet që i shtynë nazistët, që pas zhdukjes së menjëhershme të opozitës së majtë, ta joshnin, gëlltisnin dhe heshtonin klasën punëtore gjermane, e cila për nder të saj historik duhet thënë se ishte shtylla e antinazizmit duke votuar në bllok për socialdemokratët dhe komunistët, ajo çka vlen të shquhet është domosdoshmëria e të djathtës reaksionare (populiste, fashiste, protofashiste, folkfashiste etj) për të pushtuar simbolet e kauzës punëtore.
Këtë 1 Maj, edhe Aleanca Kuqezi ka thirrur demonstratë antiqeveritare, madje duke “vjedhur” 1% e Occupy Wall Street-it dhe identifikuar Berishën, si rëndom dhe banalisht këta njëzet e kusur vjet, me draprin dhe çekanin komunist. (Fakti që për fajkoin e neoliberalizmit, për atë që është krenaria e autokratëve të tregut për privatizimet masive dhe skajimin e pabarazive, nuk përdoren etiketime bombastike si p.sh. fashist, por epiteti komunist, shpreh hapur përçudnimin ideologjik që në rrafsh sistemor rreket të riprodhojë të njëjtën shoqëri fund-e-krye klasore). Sigurisht që paralelizmi me hitlerianët nuk synon t’u bjerë në qafë kot aleancistëve, të cilët pavarësisht ç’këpusin poshtë e lart, janë ende shumë larg nazistëve, qoftë për nga konsekuenca e thirrjeve raciste, paçka se herë pas here lajthisin në kërkesa për ndërrime toponimesh qindravjeçare apo ruajtje të virgjërisë së çikave shqiptare nga bashkëshortët sllavë, qoftë për nga serioziteti në planifikimin dhe jetësimin e dhunës sistemike që në fazën opozitare. Ama ngjashëm me protofashistët, aleancistët tanë shfaqin një epsh folklorik për simbolikën kombëtare, thirrje populisto-unifikuese që e rreshtojnë popullin në Një të tërë kundër një klike, hajnia e të cilës lidhet drejtpërdrejt me shërbimin ndaj interesave të huaja. (Kujtoni thashethemet mbi shërbimtarinë UDB-iste të Berishës, apo përfoljet e lidhjeve të gjakut të gruas së të parapërmendurit me soj e sorollop sllavësh!) Aq fort lë gjurmë një protofashizëm i tillë, saqë edhe vetë drejtuesve të AKZ-së u vjen herë pas here ballit i njëjti llum origjinar, duke u parë me lupë konspirative origjinën familjare, bash si në kohërat e Ligjeve të Nurembergut, por sigurisht me tragjizmin e kthyer përsëdyti në farsë.
Kësodore, simptomë e populizmit reaksionar është unifikimi i popullit në një komunitet apolitik, në një masë të padallueshme dhe të pashtresëzuar shoqërisht, një farë Volksgemeinschaft-i, përkatësia në të cilin është etno-kulturore, dhe kontradikta nuk shihet brenda shoqërisë, por midis kësaj të fundit si folk (volk), në rastin tonë deri edhe pellazgjik, dhe një klike që në mos qoftë judeo-bolshevike, është medoemos sllavo-komuniste, apo nëse bolshevizmës i ka ikur koha, është thjesht plutokraci e shërbëtorëve të të huajve. Meqenëse populli reduktohet në folk, atëherë edhe format e thirrjes së popullit janë folklorike, jo edhe aq në kuptimin e përdorimit të trashëgimisë popullore, sesa në atë të rishpikjes postmoderne të një tradite, që autentike ka vetëm rrahjegjoksin brenda mureve të prodhuesve të imazheve komerciale. Këtij populli të folklorizuar nuk i thirret në emër të një të vërtete që pikëniset si shpërfaqje kritike e kontradiktave shoqërore, e papajtueshmërive klasore, apo e antagonizmit politik që përpara sesa të unifikojë, ndan dhe ndan fort. Madje atij nuk i thirret as në emër të një të vërtete që bashkëprodhohet në diskutim dhe pjesëmarrje, por si identifikim emocional me një të shkuar idilike (kujto Skënderbeun, rilindësit etj) që është tradhtuar keqas nga spiunët e të huajve. Për pasojë, këtij folku i duhet bërë të harrojë se Berishajt, Ramët etj, nuk janë thjesht krijues prej hiçit të një strukture politiko-shoqërore shtypëse dhe shfrytëzuese, por bash domosdoshmëri e të mësipërmes. Ata janë lojtarët më të shkathët në territorin e ngushtë dhe gjithnjë e më frymëvjedhës të sundimit klasor.
Këtij folku i duhen mbyllur sytë se fajtorët nuk gjenden vetëm në zyrat e shtetit dhe në shpurat e tyre klienteliste, se ky vend nuk ndahet në biznesmenë të korruptuar dhe biznesmenë të ndershëm që e duan popullin si xhepat e tyre, por në klasa shoqërore të papajtueshme, ndoshta jo më në kuptimin tradicional të klasës punëtore përballë borgjezisë, por në kuptimin e një llave të tërë proletarësh, lumpenësh, të shfrytëzuarish të çfarëdoshëm dhe të kudogjendshëm, që nga fabrikat, te minierat, fasoneritë, te punëpritësit kokulur, e deri te mësuesit, studentët që rropaten me libër poshtë banakut të lokalit, dhe të rinjtë e pashpresë. Këtij folku i duhet heshtuar në kakofoni, që e godet të njëjtën gozhdë në të njëjtën vrimë nga çekanë të ndryshëm, e vërteta se pronari që nuk paguan sigurimet e punëtorit është më keqbërës se hajduti në autobus; se edhe në rrobaqepësinë më të vogël, në kushte mjerane ku gratë nxjerrin sytë dhe gishtat për dy kacidhe, pagëdhënësi i detyron ato të mbipunojnë pa shtesë page; se edhe për atë që vdes në zgafellet minerare apo plandoset përdhe nga skelat ekziston një boss që fiton më shumë nga mosrespektimi i kushteve të sigurisë në punë, qoftë ky simpatizant i qeverisë, opozitës, apo thjesht babaxhan pa parti. Këtij folku i duhen zënë veshët që të mos e dëgjojë pyetjen se pse në një fushatë ku ç’nuk thuhet e kërcënohet, nga askush, bash as nga hijet, nuk zihen në gojë punëtorët si të tillë, të drejtat e munguara në punë, kushtet vdekjeprurëse të punës, dhe palët përfyten se kush i ofron kushte më të mira investitorëve, madje një folëse opozitare lemerisej pesë-gjashtë muaj më parë për rritjen e gjobave ndaj atyre pronarëve që nuk i regjistronin dhe nuk u paguanin punëtorëve sigurimet.
Pikërisht këtij populli, të leqendisur në folk, i duhet pushtuar edhe 1 Maji. Pikërisht ai 1 Maj që nuk është thjesht dita e nderimit protokollar të punëtorëve si ndërtues kokulur të atdheut, çka u dilte fare natyrshëm personazheve që nga Pinoçeti tek Enver Hoxha, por e shpërfaqjes së proletarëve në shumëpërmasinë e tyre si mishëruesit e antagonizmit të pashmangshëm shoqëror, si pasqyra që nxjerr lakuriqe pretendimet për kapërcimin e karakterit klasor të shtetit. 1 Maji është i atyre, ekzistenca mjerane, poshtërimi në punë dhe barktharja në papunësi e të cilëve kërkon të nxjerrë pak kokën për të bëzajtur, e mandej thirrur e çjerrë shfrytëzimin e gjithanshëm. 1 Maji është i atyre që e ndajnë shoqërinë në dysh, e shpallin veten popull-vegjëli dhe ftojnë këtej barrikadës gjithkënd që s’pretendon për veten më shumë të drejta dhe liri se të tjerët, e asaj pjese që nga e papjesë kërkon të përshkojë tejpërtej krejt shtratin shoqëror me synimin e prodhimit të një territori të ri, të hapur, ku mikpritet gjithkush e bashkëndahen buka dhe trëndafilat me gjithkënd. 1 Maji është dita e atyre për të cilët fajtorët nuk janë vetëm jashtë, por mbi të gjitha brenda, dhe nuk pikasen thjesht në fytyrat e funksionarëve politikë të sundimit, por në pa-fytyrësinë e strukturës ekonomiko-shoqërore. 1 Maji është dita e atyre që të paktën një ditë në vit kuptojnë se nuk kanë asnjë dallim thelbësor nga mjeranët e Bangladeshit, Kongos, Greqisë, Kinës apo nga i fundit urith-minator në botë. Për 1 Maj, e kuqja gjallon dhe thërret e vetme, dhe nga forca me të cilën thërret ripërkufizon edhe kuqezinë kombëtare: nëse kjo e fundit, në 364 ditët e tjera do të jetë turbo-folkloristike, apo politiko-emancipuese, shkolonizuese, vetëkushtetuese, vetëpërcaktuese, vetëçliruese dhe solidare me të shtypurit anekënd globit.
…Këtë 1 Maj, pa vëmendjen mediatike, pa butaforinë kuqezi, pa zotime zgjedhore, të papunë, punëtorë, sindikalistë, pensionistë, studentë, gjimnazistë, shitës cigaresh etj. do të marrin nga një flamur të kuq, pa simbole të tjera përveç ngjyrës së të shfrytëzuarve të përbotshëm, për t’iu drejtuar Partizanit të panjohur – atij që qyteti ia hoqi emrin e përveçëm për të lartësuar sakrificën kolektive, por që në sytë e të cilit shfaqen si ushtri hijesh vulëhumburit e pashpresë dhe kalojnë me vrik luksoz hienat e motit. Të panjohurit që përditë sheh qart’ e ma qartë, dhe vuen thellë e ma thellë nga mosnjohja e qytetit për të cilin ra.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.