21 Janari: Në kurthin e “demokracisë”, se vullkani është në gjumë!

/Jani Marka/ 21 Janari është ngjarje që nuk duhet harruar. Por, nga ana tjetër, 21 Janari nuk është ngjarje thjesht për t’u kujtuar në bulevard, në bulevardin ku gjaku është shpëlarë dhe hijet e hekurosura si hiena janë larguar. 21 Janari është ngjarje për t’u gjykuar, dhe për t’u gjykuar rëndë. Nuk ka rëndësi nëse gjykata është e nivelit të ulët apo e nivelit të lartë; rëndësi ka që të dënuarit të jenë të nivelit të lartë, e bash drejt në burg të shkojnë, kudoqoftë, në Peqin apo Hagë. Çfarë ishte 21 Janari? A ishte 21 Janari revoltë popullore? Jo. Revoltat popullore as mund të lindin dhe as mund të vdesin brenda ditës! A ishte 21 Janari grusht shteti? Jo. Meqë revoltë nuk ishte, të paktën të kishte qenë grusht shteti, por realisht as grusht shteti nuk ishte. Të kishte qenë grusht shteti – si një shembull modern i “demokracisë” shqiptare, ku pushteti sundues mund të cenohet edhe nga “elita të emancipuara liri-dhe-barazi-dashëse, ushtarake dhe civile” – do kishte qenë një ngjarje historike. Por jo, fatkeqësisht, ne as këtë shtresë “elitash liridashëse” nuk e kemi në Shqipëri. Po, mos më keqkuptoni, nëse shteti është shtet i keq, shtet i korruptuar, shtet autoritar, shtet i dhunshëm, atëherë grushti i shtetit është një zgjidhje shumë praktike dhe madje demokratike – karshi revoltave popullore – nëse grushti i shtetit synon kthimin shtetit në shërbim të popullit. Po çfarë ishte 21 Janari? Simbolikisht ishte si shpërthimi i një vullkani – vullkan i nxehur nga varfëria e pabarazia, e i mbushur me dru të trasha të korrupsionit, madje i spërkatur edhe me “benzinën” e shtypjes e përbuzjes, dhe i ndrysur edhe nga kujtimet e Gërdecit – që edhe pse duket si i fjetur, herët a vonë, kujtohet dhe shpërthen, por zjarri i tij nuk bën dëm, e vullkani tërhiqet sërish në gjumë, duke pritur herën tjetër. Herën tjetër! Herën tjetër! Nesër, ose pasnesër! *** Nuk duhet të ngatërrohen viktimat me dhunuesit e 21 Janarit. Nuk duhet ngatërruar Ziveri fukara, me kokëlarin që shkruan në bllok të zi, edhe sot e kësaj dite, në karrigen piedestal të “demokracisë”. E kjo është e thjeshtë, shumë e thjeshtë për t’u kuptuar; por nuk duhet ngatërruar as mercenari Llupo me urdhëruesin e pushtetit absolut, urdhëruesin legjendar të 97-ës, të 98-ës, urdhërues të asaj, e urdhërues të kësaj. Nuk duhen ngatërruar as të gjithë mercenarët e tjerë, me kryemercenarin ngaherë buzagaz, që vetëm shkenca mbetet ta provojë që është buzëqeshje e klonuar. Të parët janë viktima, viktima të pafajshme, si Hekurani, Faiku e Aleksi, apo viktima me faj, si mercenari Llupo. Viktima të varfërisë akute në njërën anë, si ajo e Ziverit, apo viktima të varfërisë të tipit “status quo” në anën tjetër, si gardistët e keqpaguar për të ushqyer fëmijët e tyre, por me kallashnikovë të varur në qafë për të mbrojtur demokracinë e pakicës sunduese. Ndërsa të dytët, ata, xhentëllmenët, pushtetarët, të kollarisurit, kokëlarët, manipulatorët, ata janë vetë faji; ata janë helmi, helmi i korrupsionit; ata janë helm i pakorruptueshëm, helmi i autoritarizmit; ata janë helmi shtypës; ata janë helmi i gjallë, helmi i palodhur shekullor i pakicave sunduese. *** 21 Janari, këtë vit është ditë e martë. Ditë tersi, thonë për të martën. Po ters për kë? Për Berishën? Për Bashën? Për Metën? Për Ramën? Apo për popullin? Apo ters për drejtësinë? Fatkeqësisht, me të gjitha gjasat, do të jetë ters për popullin, dhe jo ters simbolik – simbolike do jetë përkujtimorja e radhës, përkujtimorja n – por ters i vërtetë. Ters, se vullkani është ende aty, me dru të vjetra, por edhe degë të reja, i pashuar, por jo dhe i pandezur! Duhet drejtësi për 21 Janarin. Por, ta kërkosh drejtësinë sot, pas tri vitesh, nga të njëjtat gjykata duket një veprim absurd. Unë hyj tek ata – që mbase janë shumica – që pak besojnë se ky sistem drejtësie do të mund të japë drejtësi. Duket sikur drejtësia për 21 Janarin, tashmë, është “betejë” e humbur, dhe në fakt nuk e di a ia vlen të quhet betejë, për aq sa ajo kurrë nuk ka nisur. Mundësia tjetër është një vendim arbitrar i Dikujt të pushtetshëm – jashtë sistemit të drejtësisë – që të çojë në burg fajtorët, por kjo, edhe pse do ishte e mirëpritur, duket si e pamundur në Shqipërinë “demokratike” të shekullit XXI. Sa keq, që mungon ky Dikushi, që të ketë sy e faqe, si Giovanni Falcone, të shpëtojë popullin nga ndjenja e fajit apatik. E tashmë, e “gjithë kërkesa” për çështjen e humbur të 21 Janarit reduktohet në (ri)themelimin rrënjësor të gjithë sistemit të drejtësisë, nga koka e gjer tek këmbët, dhe realisht kjo do përbënte fitoren e madhe, fitoren e vërtetë edhe për Ziverin, Faikun, Hekuranin dhe Aleksin. Fitore për të gjithë ne! Megjithëse kjo fitore në sistemin e drejtësisë do ishte e madhe, ajo nuk është kryesorja, nuk është më e madhe se e drejta për barazi, barazi për të jetuar në dinjitet, barazi për të pasur një punë, dhe jo thjesht një punë të keqpaguar, që shkon vetëm për thasë me miell; një punë e keqpaguar që nuk del për librat e fëmijëve; një punë e keqpaguar që nuk del për të blerë një dhomë, një dhomë dhe një kuzhinë; një punë me pagë poshtë minimumit jetik, por që “tepron” kur është puna për ryshfet, ryshfet në polici, ryshfet në gjykata, ryshfet në komunë, ryshfet në bashki; një punë e keqpaguar, që nuk i çon dot kalamajtë me pushime në Durrës. Po, kalamajtë e kokëpalarëve duhet të shkojnë me pushime në Durrës, pas përfundimit të shkollës, në 21 Qershor. Po, fëmijët kokëpalarë do shkojnë me pushime, por jo nesër dhe as në qershorin e këtij viti. Do shkojnë një vit tjetër, një herë tjetër. Po, një herë tjetër!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

One comment

  1. Shume bukur shkruar, per nje realitet te hidhur! Sa te vonuar jemi! Perse???
    Ja edhe une qe rastesisht po i lexoj shume shume vone keto “thirrje” mendjesh te ditura (si Arlindi dhe Jani), verej lehtesisht si te gjithe, se asgje nuk ka ndryshuar.
    Pra, nuk vjen ndryshimi nga shkrimet…As nga brenda sistemit…Eshte sa pertej tyre, aq edhe e pamundur, te pakten per dekada vitesh te ardhshme radhazi😎😎
    E megjithate duhet shkruar! Faleminderit djema🙏‼️

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.